Ahmetaj: TAP redukton varësinë e rajonit nga Rusia
Kështu është shprehu mes të tjerash ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Energjetikës, Arben Ahmetaj, duke folur në konferencën për Ballkanin, që po organizohet në Berlin.
Ndërsa, u pyet për rëndësinë që ka gazsjellësi TAP për vendin tone, Ahmetaj tha se ky gazsjellës e kthen Shqipërinë në një nyje të furnizimit me energji.
“Do të doja të theksoja se në Shqipëri ne besojmë se vendet e vegjël si yni nuk mund t’ia dalin pa integrim në tregun global. Ne jemi një treg i vogël prej 3- 4 milionë konsumatorësh dhe 30 milionë si rajon. Duke iu referuar TAP, siguria energjetike dhe furnizimi me energji duhet të shihen të lidhura bashkë për krijimin e një klime të qëndrueshme. Pa sigurinë energjetike, stabiliteti mund të vihej në dyshim”, tha ai.
Sipas ministrit Ahmetaj TAP-i për Shqipërinë do të thotë jo vetëm furnizim me energji, por mbi të gjitha e vendos Shqipërinë në një pozicion shumë të rëndësishëm në hartë.
“Nuk është thjesht një tubacion gazsjellës; Shqipëria do të kthehet në një “nyje” të furnizimit me energji nga Shah Deniz, Greqia, Italia në dy drejtime: nga rajoni drejt BE dhe anasjelltas.Kjo gjë do ta bëjë tregun shumë më fleksibël, do të reduktojë varësinë nga Rusia dhe vende të tjera dhe do të na bëjë ne “të luajmë sipas rregullave të tregut”, ka thënë ministri shqiptar Arben Ahmetaj.
Ai theksoi se një tjetër element që në të ardhmen afatmesme do të bëhet shumë i rëndësishëm është interkonjeksioni potencial me IAP, gjë që do të garantojë alternativa të ndryshme për furnizimin me energji dhe gaz. /Telegrafi/


