Please enter at least 3 characters.

A pret vërtet Putin që dikush t’i besojë pretendimeve të tij qesharake bërthamore?

Hamish de Bretton-Gordon

Ky është shpërthimi i dëshpëruar i një regjimi të cilit po i mbarojnë njerëzit, mjetet dhe autoriteti moral.

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Kremlini i Vladimir Putinit ka zgjedhur edhe një herë instrumentin e tij të zakonshëm të shtrëngimit: kërcënimin bërthamor. Këtë javë, zyrtarët rusë pretenduan, pa asnjë copë prove të besueshme, se Mbretëria e Bashkuar, me mbështetjen e Francës, po furnizon Kievin me armë bërthamore dhe “bomba të pista”. Ata shkuan aq larg saqë sugjeruan se veprimi i tillë do të justifikonte sulmin taktik bërthamor rus ndaj Londrës dhe Ukrainës.

Pretendimet janë ashiqare absurde. Ato nuk bëhen sepse Putini i beson ato, por për të justifikuar kërcënimet bërthamore. Kërcënimet bërthamore bëhen për të frenuar aleatët e Ukrainës dhe për të reduktuar mbështetjen e tyre.

Kjo po bëhet sepse regjimi rus ka nevojë urgjente që situata të ndryshojë në favorin e tij. Humbjet ruse në Ukrainë po rriten tani me ritëm të paqëndrueshëm dhe Moska po përpiqet të gjejë 35 mijë trupa të freskëta që i nevojiten çdo muaj thjesht për të mbajtur ritmin dhe pozicionet aktuale. Fushatat e rekrutimit, stimujt financiarë dhe madje edhe mobilizimi i pjesshëm i fshehtë nuk po arrijnë të mbushin boshllëqet. Në fushëbetejë, forcat ruse, në rastin më të mirë, mezi po mbahen. Në Kremlin, Putini dhe gjeneralët e tij e dinë shumë mirë se nëse diçka nuk ndryshon, dhe shpejt, vijat e frontit do të fillojnë të lëvizin drejt Lindjes, jashtë territorit ukrainas të cilin Rusia e ka pushtuar në mënyrë të paligjshme.

Ndërsa hyjmë në vitin e pestë të asaj që fillimisht u paraqit si një “operacion special ushtarak treditor”, në vend po shfaqen çarjet. Familjet e ushtarëve po flasin gjithnjë e më me guxim. Ekonomia ruse është nën presion të dukshëm: inflacioni godet, standardet e jetesës bien dhe kontrata sociale po thyhet. Publiku rus nuk është monoliti i bindur që regjimi preferon të imagjinojë. Po rritet rezistenca ndaj rekrutimit të përgjithshëm dhe po lind ndërgjegjësimi se kjo luftë nuk po zhvillohet për sigurinë e Rusisë, por për ambicien personale të Vladimir Putinit.

Projekti madhështor i Putinit, ringjallja e një Rusie të aftë për të rindërtuar Bashkimin Sovjetik, po çmontohet gradualisht nga zgjuarsia ukrainase: dronë, goditje precize dhe bashkëpunim i nivelit të lartë në inteligjencë.

Londra dhe Parisi me të drejtë i kanë hedhur poshtë menjëherë pretendimet bërthamore ruse. Por, narrativat e tilla nuk duhet thjesht të përqeshen. Nga përvoja ime personale në dokumentimin e përdorimit të armëve kimike në Siri, për më shumë se një dekadë, ky soj akuze paraprake shpesh i paraprin një operacioni me qëllime të fshehta. Në Siri, regjimi i Assadit dhe mbështetësit e tij rusë akuzonin rregullisht grupet rebele se po përgatitnin sulme kimike, vetëm që aeroplanët e regjimit të hidhnin sarin ose klor mbi civilë pak më vonë. Vlen të kujtohet se forcat ruse hoqën në vitin 2022 karburantin bërthamor të përdorur nga zona e Çernobilit, material i përshtatshëm për një pajisje radiologjike për një pretekst.

Është e mundur që Rusia ta përdorë atë material, ose materialet radioaktive nga ndonjë burim tjetër, për të krijuar përshtypjen e një sulmi me bombë të pistë ndaj forcave të saj në Ukrainë, ose në territorin e vet. Ajo mund të argumentojë më pas se do të ishte e justifikuar, siç ka pretenduar tashmë, të kryejë goditje taktike bërthamore kundër Britanisë dhe Ukrainës.

Vlen të theksohet se nuk është bërë asnjë kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Francës: kjo ndoshta sepse Franca ka një opsion taktik bërthamor të vetin, i cili pa dyshim do të përdorej në rast të një goditjeje taktike ndaj Francës. Llogaritja mund të jetë se Britania, e cila ka vetëm armë bërthamore strategjike, të cilat nuk do t’i përdorte ato në rast të një sulmi të kufizuar rus.

Kremlini e kupton se retorika bërthamore ka shqetësuar, gjatë një pjesë të madhe të këtij konflikti, kryeqytetet evropiane. Por, kërcënimet e përsëritura humbasin efektin tronditës dhe pretendimet për “bombë të pistë” janë bërë edhe më parë. Thirrja e vazhdueshme e katastrofës bërthamore po njihet gjithnjë e më shumë për atë që është: luftë psikologjike, e projektuar për të frikësuar dhe për të përçarë vendosmërinë perëndimore. Çdo përdorim real i armëve bërthamore do të sillte pasoja me përmasa historike. Shkatërrimi i Siguruar i Ndërsjellë nuk është teori abstrakte perëndimore; është realitet strategjik i kuptuar plotësisht në Moskë. Sado ideologjik të jetë Putini, ai nuk mund ta ringjallë perandorinë nga hiri i shkëmbimit bërthamor. Kjo paraqet dështim shumë më të madh sesa pranimi i një paqeje të pafavorshme në Ukrainë.

Në vend që të frikësohet nga kjo valë e fundit e tundjes së shpatës bërthamore, Evropa duhet ta interpretojë për atë që është: shpërthimi i dëshpëruar i një regjimi të cilit po i mbarojnë njerëzit, mjetet dhe autoriteti moral.

Ky nuk është momenti për t’u tërhequr. Është momenti për të ushtruar presion të qëndrueshëm dhe koherent. Forca politike, ekonomike dhe ushtarake, është e vetmja gjë që Kremlini me të vërtetë respekton. Nëse do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për popullin guximtar të Ukrainës, tani është koha që Evropa të tregojë vendosmëri të bollshme. Ajo ndoshta do të duhet ta bëjë këtë pa ndihmën e presidentit të ShBA-së, i cili në këtë kohë është i përqendruar pothuajse në gjithçka tjetër. /Telegrafi/

true