Please enter at least 3 characters.

2010 vit i cili duhet ti vë në veprim qytetarët e Kosovës

A është kjo Kosova për të cilën jemi munduar të gjithë, për të cilën janë flijuar aq shumë jeta? A duhet të kënaqemi me gjendjen në të cilën jemi? A duhet të heshtim akoma dhe përveç reagimeve të ndryshme të disa analistëve e opinionistëve të mos bëjmë tjetër, duke menduar se një ditë ata të cilët e kane sjellë vendin në këtë gjendje të mjerueshme do të largohen vetvetiu? A duhet të durojmë akoma këtë varfëri në të cilën dita ditës po zhytemi të gjithë? A duhet të durojmë akoma vjedhjen e shitjen e pasurisë të të gjithëve, krimin e organizuar që po na rrezikon, korrupsionin, vdekjet e fëmijëve, grave, nënave e baballarëve tanë rrugëve ngase nuk kanë as kushte minimale për jetë, vetëvrasjet e të rinjve që nuk shohin ardhmëri, prindërit e mjerë që në pamundësi të sigurimit të kafshatës së gojës për fëmijët e tyre i marrin jetën veti!

Mund të shënohen gjëra deri në pafund për gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhemi. Duhet të veprojmë dhe ti themi mjaft këtij mjerimi, duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të ndryshuar jetën tonë për të krijuar një ardhmëri ma të mirë për të gjithë, për ti ja kthyer popullit dinjitetin, moralin, krenarinë, të krijojmë kushte që çdonjëri të mund të jetoj prej punës së tij, që çdo prind të jetë në gjendje të ofroj fëmijëve të tij kushte për jetë, shkollim, krijim familjeje,t`ju sigurojmë mbrojtje e siguri sociale të gjithë atyre qe nuk janë të aftë për punë.

Kosova ka nevojë për ide të reja, njerëz të ri që punojnë për të mirën e vendit, njerëz të guximshëm që do i çrrënjosin gjithë të këqijat që i kanë prodhuar udhëheqja e vendit prej 1999 e deri më sot. Njerëz që do i prijnë Kosovës dhe do e ngrisin në vendin që e meriton në bashkësinë e shteteve moderne. Udhëheqës që mbrojnë interesin e vendit e jo sikurse udhëheqësit e deritashëm të cilët për të mbrojt kërrigën apo për ti shpëtuar ndjekjes për veprat që i kanë bërë kanë pranuar në heshtje çdo gjë që ju është imponuar prej ndërkombëtarëve, gjera këto që jo rralle herë kanë shkuar në dëm të vendit.

Kosovës i nevojiten udhëheqës që merren me çështjet e jetës së qytetarëve që jetojnë e marrin fryme me qytetarin që të jenë sa më afër tij, si në të mirë ashtu edhe në të keqe, i nevojiten njerëz që e dinë q`ka është vuajtja, varfëria , sëmundja. Udhëheqja e deritashme gjërat e tilla nuk i njeh. Pse nuk shkojnë në cilëndo pjesë të Kosovës në familjet e shkreta ku është mbet nëna me jetimë që akoma jetojnë në kushte që nuk janë njerëzore me varfëri të skajshme, sëmundje e me i marre në dorë ata fëmijë e me ndije erën e sëmundjes erën e varfërisë e me pa që tërë pasurin që e kanë krijuar për vete e kanë krijuar në kurrizin e këtyre qytetareve.

Kosova ka nevojë për udhëheqës të ndërgjegjshëm. Lufta kundër korrupsionit kriminalitetit, drogës, tregtisë me qeniet njerëzore, prostitucionit duhet të jetë një nga detyrat kryesore. Hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi i bujqësisë ndihma që duhet dhënë për të ju kthyer njerëzit tokës, krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve nga jashtë, rregullimi i sistemit shëndetësor të pastruar prej korrupsionit për të ofruar shërbim të gjithë qytetarëve. Sistemi i shkollimit, në të duhet të bëhen investimet më të mëdha ngase aty është zhvillimi, duhet krijuar kushte që studenti që kryen fakultetin të ketë mundësi punësimi, e shumë e shumë të tjera që duhet bërë për të quar vendin përpara.

Të bëjmë që viti që po vjen të jetë vit i fillimit të veprimeve konkrete të mëdha,vit i kthesës së madhe, vit që do i jep fund një periudhë të errët e do kthejë shpresën për një ardhmëri më të mirë,të shikojmë përpara të marrim guximin të vejmë ne lëvizje të gjithë potencialin që posedojmë e të bashkohemi në një të vetmin qellim ta bëjmë Kosovën atdheun tonë të vetëm, vend ku do mund te jetojmë me dinjitet.

(Autori është ish anëtar i kryesisë së Partisë Parlamentare të Kosovës dhe kryetar i degës për komunën e Lipjanit)