20 vjetori i maturës: takim mbas vjetësh apo thirrje e kujtesës?
Javën që shkoi, unë dhe gjenerata ime, e festuam njëzet vjetorin e maturës, njëzet vjetorin e gjeneratës së maturantëve të shkollave të mesme të Prishtinës. Jemi ne gjenerata e ish-nxënësve që shkollimin e mesëm e vijuam në periudhën e viteve 1985-1990, vite këto shumë të rënda për historinë e Kosovës, të cilat nuk mbetën pa u reflektuar edhe në fatin tonë e të familjeve tona.
Thirrje e kujtesës
Jemi pra ne gjenerata që e filloi shkollimin e mesëm në objektet shkollore ku mësonim bashkë me nxënësit e nacionaliteteve të tjera që jetonin në Prishtinë dhe me të cilët i ndanim korridoret, sallat e kabinetet, e pse jo edhe ndonjë miqësi të pa hile, ndonëse në atë kohë, përkundër tensioneve që ndiheshin në atmosferë, incidente midis nxënësve nuk kishte. Megjithëse profesorët vazhdimisht na porosisnin të kemi shumë kujdes dhe të ruhemi të mos vie deri te ndonjë incident, pasi ë jo shumë më vonë erdhi një kohë kur incidentet filluan të ndodhnin, edhe pse ne kurrë nuk e morëm vesh se kush i bënte.
Më kujtohet këtu një ngjarje në një mëngjes kur ne hymë në klasë dhe kujdestari i klasës na mbajti në orën e parë orë kujdestarie, në vend të gjeometrisë të cilën lëndë e kishim në orar. Me pyetje pas pyetjesh e me kërkim në detaje se kush kishte dalë i fundit nga klasa një ditë më parë, atmosferë kjo që na bënte të ndiheshim si në një orë hetuesie, dhe pasi që nuk arriti të kuptojë nga përgjigjet tona naive dhe të pafajshme atë që kërkonte, na tregoi se një natë më parë e kishte kaluar në polici në “bisedë informative” pasi që në tabelën e klasës sonë, pas mësimit, ishte gjetur e shkruar parulla “Kosova Republikë”.
Parullat si kjo në atë kohë konsideroheshin provokim i rëndë për shtetin dhe “fajtorët” ndëshkoheshin shumë rëndë. Nuk shkoi shumë dhe incidentet e kësaj natyre filluan të shpeshtoheshin, ashtu që rezultuan me krijimin e shumë rrethanave, të cilat i përjetuam edhe ne si nxënës.
Ishte gjenerata jonë që në kohën kur minatorët e Trepçës u ngujuan në galeritë nëntokësore në kërkim të të drejtave të tyre, të cilat ishin edhe politike, iu bashkua pa hezitim thirrjes së studentëve që në solidarizim me minatorët e nisën grevën në sallën e sporteve “25 maji” atëherë. Më kujtohet që neve nuk na linin të hyjmë në grevë pasi që ende konsideroheshim të mitur, por shumë nga shokët tanë falsifikonin indeksat e studentëve vetëm që të arrinin të kalojnë rojet-studentë që ruanin rendin te dera.
Ishte gjenerata jonë po ashtu ajo që i përjetoi helmimet e nxënësve, veprim ky i radhës të cilin pushteti atëhershëm e zgjodhi që ta përdorte si një armë biologjike-kimike kundër popullatës së pambrojtur shqiptare, dhe për këtë viktimat qemë ne, nxënësit e shkollave të mesme. Mjaftonte në klasë të dëgjohej një erë e pazakontë dhe nuk shkonte shumë e nxënësve u binte të fikët. Ekipe të tëra mjekësh e punëtorësh mjekësorë vazhdonin të shkonin me të shpejtë me autoambulanca nëpër shkolla që të mblidhnin nxënësit e helmuar, të cilin kishin reaksione të forta nga gjendja e helmimit nervor.
Jo shumë nga kjo kohë, filloi segregacioni nëpër shkolla dhe u mor vendim që nxënësit serbë të mbanin mësim vetëm paradite se ishin kinse të rrezikuar nga nxënësit shqiptarë. E ne mbetëm të mbanin mësimin vetëm pasdite deri në orët e vona kur errej dhe kur filluan të aplikohesihn edhe orët policore ku ishte i ndaluar qarkullimi dhe atë që e zinte polici në rrugë e kishte të drejtën edhe ta vriste. Madje edhe praktika e shkuarjes në lokale për një pije pas mësimit, e cila vazhdon të jetë midis nxënësve sot, atëherë përjetohej me ethe, pasi që jo rrallë “i tekej” policisë të hynte në lokale dhe të kërkonte të rinjtë meshkuj për rekrutë në ushtrinë jugosllave, të cilët i merrte pa i lënë as t’i lajmërojnë familjet e tyre.
Më kujtohet këtu një natë e tmerrshme kur policia e bllokoi Kurrizin i cili atëherë ishte i tëri me lokale të rinjsh dhe duke i mbyllur dyert e tij në hyrje dhe në dalje, neve të rinjve na pati bërë “sendviç”. Jo të gjithë patën hëngër dajak atë natë, por askush nuk shpëtoi pa u shkelur e pa u shtypur nga turma në ikje. Këto rrethana bënë që mijëra të rinj djem shqiptarë, tetëmbëdhjetëvjeçarë të detyroheshin të braktisnin Kosovën në kërkim të strehimit në ndonjë shtet të perëndimit. Ku ishin pastaj vështirësitë e të riut në një metropol evropian a tejoqeanik, të cilit do t’i duhej të mbijetonte, pa pasur asnjë përvojë dhe as një përgatitje shkollore, aq më tepër që familjes së tij i ishte dashur të hynte në borxhe të mëdha për t’ia siguruar djalit biletën për në perëndim.
Ishte kjo periudha kur Kosova po zbrazej nga potenciali i saj më vital, meshkujt e rinj të aftë për shkollim, për punë dhe edhe për luftë. Ky është shkaku edhe pse sot gjenerata jonë ka shumë vajza që u shkolluan dhe i mbaruan fakultetet, e numri shumë i madh i djemve mbetën as pa e filluar shkollimin superior këtu. Përderisa një numër shumë i vogël arritën të shkollohen në perëndim masa dërmuese mbetën kamarierë kafenesh e zanatlinj në profesione sekondare e terciare.
Histori në vete është përjashtimi i prindërve tanë nga puna, të cilëve nuk vonuan t’iu fusnin “masat e dhunshme” nëpër organizatat punuese me ç‘rast i detyronin të nënshkruanin programe të reja të punës sipas planeve të Serbisë që e nënkuptonin mohimin e identitetit tonë kombëtar në të gjitha sferat e jetës. Natyrisht që kjo ishte e papranueshme dhe rezistenca e tyre nënkuptonte përjashtimin e menjëhershëm nga vend i punës. Kjo metodë së pari i zbatua në organizatat vitale të industrisë dhe ekonomisë së Kosovës dhe pastaj për një kohë të shkurtër përfshiu mediumet informative, universitetin, spitalet, shkollat, administratën e shtetit dhe çdo sferë të jetës sonë publike.
Përjashtimi nga puna veç tjerash ishte edhe keqësim i gjendjes materiale të familjes, pasi që kjo ndikoi direkt në buxhetin e secilës familje shqiptare në Kosovë. E kujtoj këtu, veç shumë kufizimeve tjera që na u shkaktuan në atë periudhë, kur na u afrua koha e mbajtjes së mbrëmjes së maturës dhe secili prej nesh i ngushtuam familjet tona me mundësi tepër të pakta materiale, që të na siguronin veshjet mjaft modeste për atë mbrëmje. Sot duket e paarsyeshme por ishte mosha atëherë që kishte kërkesa të tilla, edhe pse për moshën që kishim ishim shumë të pjekur.
Ishte gjenerata jonë ajo që përjetoi edhe kthimin e ndonjërit nga shokët në arkivol “të blinduar” nga ushtria, pasi që pati nga ata që patën fatin të shkojnë ushtarë dhe të mos kthehen më të gjallë, madje t’i sillnin me diagnozën “vetëvrasje”. Të gjeneratës sonë ishin edhe ata që u vranë për shkak të orientimeve politike që herë herë nënkuptonin edhe ndonjë aksion “ilegal”, dhe sot neve na mbetet vetëm t’i përkujtojmë në këtë përvjetor.
Ishte gjenerata jonë gjithashtu, ajo që e përjetoi përjashtimin e shqiptarëve nga objektet shkollore dhe universitare dhe e para që e filloi vijimin e mësimit sipas organizimit të sistemit paralel. Kushtet e shkollimit pësuan rënie drastike e bashkë me to u imponua edhe një kriter i dobësuar i punës dhe i vlerësimit të nxënësve, pasi që mungesa e librave, kabineteve e klasave dhe zëvendësimi i tyre me dhoma shtëpish private, natyrisht që ndikoi në nivelin jo të kënaqshëm të mësimit, megjithëse entuziazmi dhe këmbëngulësia e nxënësve, studentëve dhe profesorëve të asaj kohe për të mos e ndërprerë arsimimin me çdo kusht, është e pamundur të gjendet tek të tillët sot, të cilëve nuk u mungojnë kushtet e punës në arsim. Ishin rrethanat e rënda që na mbizotëronin në atë kohë të cilat na fuqizonin që të jemi të organizuar për t’i luftuar.
Takim mbas vjetësh
E sot kanë kaluar njëzet vjet nga ajo kohë dhe duken sikur kanë fluturuar. Gjithçka ka mbetur në kujtesën tonë, edhe pse nuk mund të themi se gjurmët e atyre rrethanave nuk na duhet shumë për t’i gjetur… Në festimin e njëzet vjetorit të maturës, ishin të pranishëm mbi katërqind e pesëdhjetë ish-maturantë, mjaft nga të cilët kishin udhëtuar nga Evropa e SHBA-ja për të ardhur dhe për t’u takuar me ish-shokët dhe shoqet e klasës. Ata kishin afër njëzet vite që jetonin jashtë Kosovës. A s’ishin këta ata që i detyroi situata e rënduar politike dhe ekonomike që të emigrojnë?
Gjithashtu në mesin e këtyre ish-maturantëve kishte edhe prej tyre që kishin bërë shkollime jashtë, ishin aftësuar profesionalisht dhe s’kishte shumë që ishin kthyer të vazhdonin të jetonin dhe të kontribonin në Kosovë. Aferim për ta! Natyrisht që kishte edhe shumë të tjerë si puna ime, të cilët nuk e kishin lëshuar Kosovën dhe që vazhdonin të jetonin dhe të punonin këtu, duke qenë pjesë e përditshmërisë sonë herë entuziaste herë deprimuese, por gjithmonë të paluhatshëm dhe potencialë për të dhënë më shumë për vendin e vet.
Që të gjithë dukeshim optimistë, të ngazëllyer dhe të gëzuar që ishim bashkë dhe që kishim arritur t’i përjetojmë dhe t’i arrijmë bashkë gjithë këto ndryshime brenda këtyre njëzet viteve.
Takimi mbas kaq vitesh ishte një përjetim i veçantë. Të përballur aq të rinj me gjithë ato sfida, ne tani të pjekur dhe të formuar si individualite, jemi gjenerata e cila mund t’i japim ende shumë vendit dhe potencialisht të kontribojmë ende shumë. Prandaj veç përpara gjeneratë, punofsh, kontribofsh dhe pritsh edhe përvjetorë të tjerë në një Kosovë edhe më të mirë në të ardhmen!


