16 policë të lënduar pas protestave të opozitës në Shqipëri
Policia e Shtetit e Shqipërisë ka bërë publike pasojat e protestës së zhvilluar pasditen e sotme nga opozita, e cila çoi në përplasje fizike dhe përdorim të lëndëve djegëse.
Sipas deklaratës zyrtare, 16 punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë tubimit që nisi para Kryeministrisë dhe u zhvendos më pas drejt godinës së Kuvendit.
Policët janë transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie nga bombat molotov dhe dëmtime fizike nga goditjet me sende të forta.
Blutë e kryeqytetit sqarojnë se gjatë gjithë kohëzgjatjes së tubimit, u është bërë thirrje protestuesve me megafon për t’u distancuar nga aktet e dhunshme. Pavarësisht thirrjeve për qetësi, një pjesë e turmës vijoi sulmet intensive.
“Sulmet ndaj punonjësve të policisë kanë vijuar deri në përfundim të tubimit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Strukturat ligjzbatuese kanë nisur menjëherë punën për mbledhjen e provave në vendngjarje. Policia bën me dije se po dokumenton çdo rast dhune me qëllim identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Në mbyllje të reagimit, Policia e Shtetit falënderoi qytetarët që zgjodhën të distancohen nga dhuna, si dhe mediat për pasqyrimin e situatës, duke ritheksuar vendosmërinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. /rtsh.al/


