Ambasadorët e akredituar në Kosovë reagojnë pas sulmit ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në veri, kërkojnë që këto akte të ndalen

Ambasadorët e akredituar në Kosovë, kanë reaguar pas sulmeve të mbrëmshme ndaj pjesëtareve të EULEX-it dhe Policisë së Kosovë, në veri të vendit, duke i quajtur të papranueshme.
Ambasada e Italisë në Kosovë, përmes një reagimi në Twitter, ka shkruar se sulme të tilla me shok-bomba në drejtim të personelit të sigurisë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe ndaj Policisë së Kosovës, janë të pajustifikueshme.
Ambasada e Italisë në Kosovë, ka deklaruar se i dënon ashpër këto akte që ndodhën të shtunën në veri të Mitrovicës.
“Sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare si EULEX-i, nuk kanë fare justifikim. Ne i dënojmë këto akte në termat më të ashpër”, thuhet në reagim.
Sulmin ndaj EULEX-it me shok-bombë ne veri e ka dënuar edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili ka bërë thirrje që të dhuna ndaj organeve të rendit të ndalet tani.
“EULEX- i kontribuon në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani”, ka shkruar Rohde.
Edhe ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiq, i ka quajtur të papranueshme sulmet e tilla.
“Sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme”, ka shkruar ajo.
Sulmet e tilla i ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Ai në Twitter shkroi se sulmet e tilla si ndaj Policisë së Kosovës si ndaj personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme.
Duke shtuar që përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë kosovare.
“SHBA i bashkohet, EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle të EULEX-it, mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë kosovare”, ka shkruar në Twitter Hovenier.
Sipas njoftimit thuhet se nga ky sulm fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftim./Telegrafi/






















































