LAJMI I FUNDIT:

Ambasada e Italisë: Asociacioni nuk cenon Kushtetutën e Kosovës

Ambasada e Italisë: Asociacioni nuk cenon Kushtetutën e Kosovës

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka shprehur mbështetjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Siç thuhet në një deklaratë publike, formimi i Asociacionit nuk e cenon Kushtetutën e Kosovës e as nuk kërcënon sovranitetin e saj.


Përkundrazi, sipas ambasadës italiane, duke e zbatuar marrëveshjen e nënshkruar Kosova ndërton të ardhmen e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

“Plotësisht pajtohemi: Përkushtimi i Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk cenon Kushtetutën ose kërcënon sovranitetin e saj”.

“Përkundrazi, me themelimin e Asociacionit, Kosova do të bëjë hap të rëndësishëm për të ardhmen e saj si shtet multietnik, i integruar në strukturat euro-atlantike”, thuhet në postimin e ambasadës në Facebook.

Ndryshe, këtë të martë në ambasadën amerikane në Prishtinë është mbajtur një takim ku është diskutuar për Asociacionin. Në të morën pjesë zyrtarë nga Presidenca, Zyra e Kryeministrit, liderë partiakë, diplomatë dhe anëtarë të shoqërisë civile. Asnjëri nga këta pjesëmarrës nuk është deklaruar për media. /Telegrafi/