Ambasada e Francës: Zbulime të reja në Ulpianë, thesari arkeologjik i Kosovës

Ambasada e Francës në Kosovë ka bërë një njoftim rreth zbulimeve që janë bërë në Parkun Arkeologjik të Ulpianës.
Në njoftimin e tyre thuhet se zbulimet e reja në Ulpianë, janë thesari arkeologjik i Kosovës.
"Pas gati dy muaj të gërmimeve ndërdisiplinore në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, janë bërë zbulime të mëdha në historinë e Dardanisë së lashtë. Nën dyshemenë e katedrales së madhe monumentale (78 x 23 m), e njohur tashmë për mbishkrimin e saj kushtuar Perandorit Justiniani i Madh me origjinë dardane dhe Perandoreshës Theodora, sapo është zbuluar një mbishkrim i dytë dhe më i madh, duke hapur perspektiva të reja për kërkimin historik".
Tutje, thuhet se "kjo punë po kryhet nga një ekip i jashtëzakonshëm: Profesor Christophe Goddard dhe ekipi i tij nga ENS, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës (Profesor Arben Hajdari) dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës (arkeologu Milot Berisha), me pjesëmarrjen aktive të një përfaqësuesi të Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës (Dr. Ilir Culaj) dhe shumë studentëve të apasionuar.
"Ky projekt është bërë i mundur falë mbështetjes së Bashkimit evropian, Francës dhe Ministrisë së kulturës, rinisë dhe sporteve të Kosovës, të cilat janë të përkushtuara ndaj kërkimit shkencor dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore"./Telegrafi/

















































