LAJMI I FUNDIT:

Aliu: Brenda këtij viti do të jetë funksionale pista e re në ANP “Adem Jashari”

Aliu: Brenda këtij viti do të jetë funksionale pista e re në ANP “Adem Jashari”

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se brenda këtij viti do të jetë funksionale pista e re e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Aliu që sot ka vizituar aeroportin, tha se me investimet që po bëhen do të mundësohet edhe normalizimi i hapësirës së ulët ajrore, gjë e cila tha se do të ndikojë që të ulen çmimet e biletave.


Ministri tha se me pistën e re do të mund të ketë aterrime edhe në kushte të rënda klimatike, që sipas tij deri më tash nuk ka qenë e mundur.

“Çështja e projektit të zgjerimit të pistës si dhe pajisjeve që në kuadër të këtij projekti parashihen të realizohen për shërbime të rëndësishme për vendin tonë. Së pari temë e diskutimit ishte përfundimi i këtij projekti dhe vënia në funksion sa më herët e pistës së re të zgjatur e cila do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në çështjet e aterrimeve edhe në kushte të rënda klimatike, gjë që ka qenë problematike në të kaluarën. Pra, tani pas realizimit të këtij projekti që besojmë që brenda këtij viti do të jetë funksionale pista e re, e që jemi dakorduar se si do të mund të arrijmë deri në këtë pikë me një punë të shtuar me intensitet më të lartë të realizimit të punëve, atëherë edhe mërgimtarëve tanë, si dhe udhëtarët të cilët vijnë nga jashtë dhe aterojnë në pistën tonë do të kenë mundësinë që të realizojnë këtë edhe në kushte të rënda klimatike gjë që në të shkuarën nuk ka qenë e mundur”, tha ai.

Aliu tha se realizimi i këtij projekti do të mundësojë normalizimin e hapësirës së ulët ajrore, e që sipas tij do të ketë ndikim që të bien çmimet e biletave të udhëtimit.

“Çka është e rëndësishme po ashtu, ky projekt dhe realizimi i këtyre pozicioneve të rëndësishme të këtij projekti do të mundësojë normalizimin e hapësirës së ulët ajrore të vendit tonë, gjë që është dëshirë e shumë viteve për ta realizuar e cila besoj që do të arrijmë ta realizojmë po ashtu në përfundim eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo do të krijoj kushte të mira që të bien edhe çmimet e biletave, pasi që do të mund të shkurtohen fluturimet dhe rrugët ajrore do të jenë më të shkurtra dhe rrjedhimisht do të kemi edhe shpenzime më të pakta gjatë aterrimit”, u shpreh ai.

Ministri Aliu tha se për realizimin e këtij projekti nuk do të ketë nevojë për tender të ri, pasi tha se për të njëjtin projekt ekziston kontrata dhe vetëm do të përshpejtohen punët./kp/Telegrafi/