Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero ka analizuar fitoren 2-0 të “Bianconerëve” kundër Pafosit, duke theksuar se lojtarët e skuadrës aktuale “po e ndjejnë peshën e së kaluarës” dhe se ambienti te kampionët italian “nuk është për këdo”.

Juventusi triumfoi falë golave të Weston McKennie dhe Jonathan David në pjesën e dytë, megjithatë skuadra qipriote pati disa raste shumë të mira për të kaluar në epërsi në 45 minutat e para. Ish-trajneri Fabio Capello madje u shpreh se Juventusi kishte “pak fat në anën e tyre” në këtë ndeshje të dytë të fazës së ligës së Ligës të Kampionëve


Në analizën e tij për “Sky Sport Italia”, Del Piero u ndal te ngarkesa psikologjike që përballojnë lojtarët e Max Allegrit.

“Pesha e së kaluarës, në kuptimin e sukseseve të klubit, ekziston, por ekziston edhe pesha e së kaluarës së afërt, sepse kjo skuadër është krijuar nga ajo që ndodhi sezonin e kaluar, me disa ndryshime të mëdha te lojtarët kyç”.

“Lojtarët me personalitet u zëvendësuan nga lojtarë të rinj dhe ambienti i Juventusit nuk është për këdo. Është më kompleks. Kemi parë futbollistë që në klube të tjera janë më të lirë në kokë. Vështirësitë janë objektive dhe të përditshme”.

Del Piero vazhdoi duke e lidhur presionin me mungesën e qartësisë taktike dhe konkurrencën e brendshme të skuadrës, duke shtuar edhe një paralajmërim për vazhdimësinë e rezultateve.

“Ata fituan sot, por tani duhet të shkojnë në Bologna të dielën dhe mund të pësojnë dy gola, kush e di? Je gjithmonë në prag. Pyetja ime për Spallettin lidhej me këtë. Ka emergjencë në mbrojtje sepse ai kërkon një mbrojtës të djathtë që të luajë si qendërmbrojtës i djathtë. Ai ka ndryshuar shumë dhe nuk ka pasur asnjë siguri taktike apo sa i përket karakteristikave të lojtarëve, përveç Yildizit. Ku i krijon siguritë? Si i krijon? Gjithçka bëhet më e vështirë në kokat e të gjithëve, sidomos te ata që nuk luajnë rregullisht”.

Pas dy fitoreve në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, Juventusi aktualisht renditet në pozitën e 17-të me nëntë pikë dhe matematikisht i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar vendin në fazën e play-offit.

“Bianconerët” do të kenë dy sfida vendimtare në janar 2026: fillimisht do të presin Benfican në Torino, përpara se të udhëtojnë drejt Monacos për ndeshjen e fundit të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve, që do të përcaktojë përfundimisht të ardhmen e tyre në garën më të madhe të klubeve në Evropë./Telegrafi

telegrafi sport app