Rrjeti Telegram, një platformë me prezencë të madhe në komunitetin serb, u mbush me mesazhe urrejtjeje vetëm pak minuta pasi u publikua në një medium lokal në zonën veriore të vendit lajmi se “policia kishte rrahur disa të rinj”, i cili më vonë doli të ishte sajesë.

Prokuroria Speciale e Kosovës, për një kohë të gjatë, ka hetuar grupe nacionaliste që veprojnë në veriun e Kosovës, si grupe të rrezikshme që indoktrinojnë të rinjtë për të zhvilluar aktivitete kriminale.


Me vendim të Qeverisë së Kosovës, dy organizata në këtë zonë janë shpallur terroriste, ndërsa platformat e rrjeteve sociale, si Telegrami, janë evidentuar si hapësira ku mesazhe nacionaliste të dhunës, kryesisht me përmbajtje hakmarrëse, shpërndahen në vazhdimësi.

Më 13 janar 2026, një medium lokal publikoi një intervistë me Sasha Bllazhiq. Ai pretendonte se djali i tij ishte sulmuar nga policia në njërën nga pikat e kontrollit policor.

E njohur si pika e Urës së Bistricës, pika e kontrollit të Policisë u vendos në këtë lokacion gjatë vitit 2021, në kohën kur në këtë zonë kishte barrikada.

Autoritetet e Kosovës asokohe e arsyetuan vendosjen e kësaj pike me nevojën për shtim të kontrolleve kundër kontrabandës, ndërsa aktivistë politikë lokalë e kishin kritikuar vendosjen e saj.

Ndërkohë në rrjetet sociale, sidomos në Telegram, grupet e ekstremit të djathtë kryesisht të orientimit nacionalist kanë shpërndarë mijëra mesazhe përmes të cilave pretendohej se në këtë zonë qytetarët torturohen dhe ndëshkohen në baza etnike.

Mbrëmjen e 13 janarit, qytetarët që ndjekin mediat në gjuhën serbe u rinjoftuan se në këtë pikë kishte sërish “dhunë ndaj disa të rinjve”.

E kritikuar në vazhdimësi në rrjetet sociale, Policia e Kosovës ka vendosur kamera të sigurisë në secilin cep të pikës së kontrollit, ndërsa përdorë edhe kamera të trupit për policët që zhvillojnë kontrollet.

“Siç ka treguar Vukashini, ai polici me maskë ia ka marrë telefonin, e ka hequr stikerin, ia ka hedhur Vukashinit në fytyrë dhe fëmijën tim me fanelë me mëngë të shkurta e kanë dërguar te shtylla e betonit, e kanë kapur për dore dhe e kanë tërhequr deri aty. Aty e kanë kontrolluar dhe shqelmuar. Ia kanë hedhur dokumentet në veturë dhe i kanë thënë se mund të vazhdojë rrugën”- kishte pretenduar Sasha Bllazhiq- babai i viktimës.

Ai e kishte dhënë intervistën para derës së spitalit ku djali i tij po merrte trajtim mjekësor.

Një pamje e tillë e viktimizimit u përdor tutje për të nxitur një reagim të shpejtë në rrjetin Telegram ku dhjetëra mesazhe vërshuan me thirrjet se “ushtria serbe do të kthehet në Kosovë” dhe serbët do mbrohen vetëm kur ushtria serbe të jetë në Kosovë.

Të nxitura nga grupet ento-nacionaliste, platformat online në vazhdimësi kanë synuar kontestimin e autoriteteve ligjore në Kosovë.

Por, pak orë më vonë situata u qartësua. Një grup hetimor do zbardhte pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa denoncimi do të ndryshonte kahun.


I riu Vukshin Bllazhiq- nga viktima do kthehej në të pandehur. Pamjet nga kamerat e sigurisë do tregonin se ai nuk ishte rrahur nga policia.

“Në rregull. Nderimet e mia. Të them të drejtën tani u zgjova. E kam parë mesazhin, u konsultova me avokatin tim. Avokati më tha që të mos jap deklaratë për gazetarët tanë. E pyeta për median tuaj, [por] më tha të mos jap asnjë deklaratë në mënyrë që të mos i shkaktoj problem vetes, meqë gjykimi është në vazhdim. Kaq mund t’ju them”- theksoi Bllazhiq kur pyetet për rrjedhën e ngjarjes.

Bllazhiq ishte paraqitur për t’u trajtuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe i ati kishte dhënë intervistën para derës së spitalit. Hetimet ende nuk e kanë zbardhur në tërësi se ku ishte lënduar Bllazhiq, por ato e zbardhën se ai nuk u lëndua nga policia.

“Menjëherë pasi është lajmëruar nga spitali, zyrtarët policorë kanë shkuar aty, mirëpo i njëjti nuk ka dashur të flas me zyrtarët policorë. Më pas është thirrur Inspektorati Policor i Kosovës, dhe me urdhër të prokurorit kujdestar është arritur të intervistohet pala i cili po ashtu ka pretenduar se është keqtrajtuar nga zyrtarët policorë. Dhe, ne menjëherë kemi filluar me hetimet”- thotë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për Mitrovicën e Veriut.

Rregullat ligjore në Kosovë kërkojnë që në rastet kur policët dyshohet se kanë kryer një vepër penale i tërë institucioni përjashtohet nga hetimi.

Një mekanizëm i veçantë hetimi është ngritur për të hetuar veprimet e kundërligjshme të policisë. Në vend ky institucion njihet si Inspektorati Policor i Kosovës.

Bardhyl Haxhimustafa, udhëheqës i Departamentit të Hetimeve në IPK, thekson se hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar me hetimet qysh atë natë kur është lajmëruar rasti.

“Ne jemi thirr nga Policia e Kosovës, se një ankues ka pretendime se ka pësuar lëndime nga zyrtarët policorë. Ne e kemi intervistuar fillimisht aty dhe e kemi vet për vendin dhe kohën kur dhe ku ka ndodh. Më pas, me urdhër të prokurorit kemi shkuar në nënstacionin e pikës tek Ura e Bistricës dhe kemi tërhequr kamerat e sigurisë në të cilat shihet ndryshe ngjarja dhe jo ashtu qysh e thotë ankuesi” – thekson Haxhimustafa.

Prokurori Muharrem Prekazi, i cili ishte marr me trajtimin e këtij rasti thotë se prokuroria ka dhënë autorizime të shpejta për trajtimin e këtij pretendimi, por kamerat e sigurisë dëshmuan të kundërtën.

“Pasi kam kuptuar se behët fjalë për një ndalim tek ura e Bistricës, unë kam kërkuar të sigurohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe kam urdhëruar intervistimin e të dyshuarit dhe ballafaqimin e tij me pamje. Kemi kërkuar nga ai që të gjendet momenti ku është sulmuar – në cilin vend – sepse ai është e vërtetë që ka pas disa plagë, mirëpo të njëjtat nuk i ka nga dhuna policore. Por, kjo është çështje që jemi duke e hetuar se ku i ka marr ato”- theksoi Prekazi.

Ankuesi Vukashin Bllazhiq, për dy ditë nuk ka pranuar të ri-intervistohet nga hetuesit e IPK-së, duke pretenduar se është i tronditur nga keqtrajtimi i zyrtarëve policorë. Dy ditë më pas, ai në prezencën e avokatit të tij u intervistua nga hetuesit e IPK. Edhe këtu, ai pretendoi se plagët që i kishte në trup i ka marr nga zyrtarët policorë

Siç përshkruhet në dosjen e lëndës, Bllazhiq kishte pas disa plagë në regjionin e qafës, kraharorit dhe disa pjesë tjera të trupit, mirëpo askund nuk shihej se ato plagë janë shkaktuar nga zyrtarët policorë. Me këtë rast, hetuesit e IPK marrin urdhër nga prokurori që ta ballafaqojnë me pamje dhe ta pyesin atë se si u keqtrajtua nga zyrtarët policorë.

“Unë kam urdhëruar hetuesit e IPK ta ballafaqojnë me pamje e kamerave të sigurisë dhe i njëjti i gjendur para kësaj situate e ka pranuar fajësinë, dhe ka kërkuar falje, mirëpo ai do t’i bartë pasojat ligjore, sepse kam urdhëruar që ndaj tij të ngritët një kallëzim për deklarim të rremë. I njëjti tashmë ka ardhur nga IPK-ja në Prokuroi dhe është duke u trajtuar”- thekson prokurori Muharrem Prekazi.

Bardhyl Haxhimustafa, udhëheqës i Departamentit të Hetimeve në IPK, ka shtuar se ankuesi i këtij rasti ka kërkuar falje për deklarimin e tij.

“Kur i ka pa pamjet e kamerave të sigurisë, ai ka kërkuar falje për deklarimin e tij, mirëpo nuk ka deklaruar asgjë rreth motivit se çka e shtyu atë të pretendoi se u sulmua nga zyrtarët policorë. Ai ka pranuar fajësinë dhe do përballet me ndëshkimet për lajmërim të rremë”- thotë Haxhimustafa.

Ai është pyetur gjithashtu për deklarimin e babait të tij në media se a mund të thotë diçka rreth deklaratës që e ka dhënë për KosovaOnline?

“Avokati na ka thënë edhe mua edhe babait që të mos japim kurrfarë informata”- theksoi Bllazhiq.

Ne video incizimin e kamerave të sigurisë që e ka siguruar emisioni KallxoPernime shihen pamjet e një kontrolli rutinë që Policia e Kosovës e bënë në bazë të planeve operative në tërë territorin e Kosovës.

Një i tillë kishte ndodhur edhe mesnatën e 13 janarit në vendin e quajtur tek ura e Bistricës, në qytetin e Leposaviqit. Aty policia po ndalonte për kontrolle rutinore veturat që kalonin andej. Me këtë rast ndalohet edhe një veturë e markës Audi. Pamjet e kamerave të sigurisë qartësojnë se në veturë gjendeshin tre persona.

Një zyrtar policor fillon të flas me shoferin e veturës dhe pasi ia kërkon dokumentet, i kërkon që ta hap edhe bagazhin. Aty, policia nuk gjen asgjë të dyshimtë dhe pasi kontrollohet vetura, shoferi dhe dy pasagjeret në veturë kontrollohen nga zyrtarët policorë. Edhe në kontrollet trupore nuk gjendet diçka e ndaluar dhe në fund, pas diku 7 minutash kohë vetura largohet nga pika e kontrollit të policisë.

Shoferi i kësaj veture më pas kishte pretenduar se ishte sulmuar nga zyrtarët policorë, por pas përfundimit të hetimeve ndaj tij u ngrit kallëzim penal për deklarim të rremë. Ai kishte disa plagë në trup, për të cilat nuk u vërtetua se ishin shkaktuar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës, ashtu siç kishte pretenduar ai./KALLXO.