Aktorët e Teatrit të Gjakovës ftohen në New York, por përballen me mungesë mbështetjeje institucionale

Katër aktorë të Teatrit të Gjakovës janë ftuar që këtë tetor ta sjellin shfaqjen “Kjo është rinia jonë” në skenën prestigjioze të The Producers Club në New York – një mundësi e rrallë për artistët kosovarë që të prezantojnë artin vendor në një nga qendrat botërore të kulturës.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së kësaj ftese, artistët gjakovarë po përballen me mungesë të mbështetjes institucionale, duke u detyruar të përballojnë vetë një pjesë të madhe të shpenzimeve, përcjell Telegrafi.
Në një reagim publik, ata kanë shprehur zhgënjimin e tyre, duke bërë thirrje për ndihmë nga dashamirët e artit dhe komuniteti shqiptar në diasporë: “Na jemi katër aktorë të Teatrit të Gjakovës dhe këtë tetor kemi marrë një ftesë që s’ka si refuzohet: me shfaqë ‘Kjo është rinia jonë’ në skenën e famshme të The Producers Club, New York, për tri netë rresht!".
"Për neve si artistë, kjo është mundësi që s’ndodh shpesh – me e çu zërin e teatrit tonë përtej oqeanit. Por, për fat të keq, institucionet tona që duhej të na përkrahnin… kanë mbyllë sytë”.
Sipas aktorëve, vizat dhe biletat e udhëtimit janë siguruar me mund personal, por mungesa e fondeve për qëndrim dhe organizim në SHBA mbetet pengesë kryesore për realizimin e këtij projekti.
“Çdo ndihmë, qoftë e vogël a e madhe, na e afron një hap më afër skenës së Broadway-it. Ju falënderojmë prej zemre që po bëheni pjesë e kësaj rruge tonë artistike”, ka përfunduar apeli i tyre.
Shfaqja “Kjo është rinia jonë” është një ndër prodhimet më të pëlqyera të Teatrit të Gjakovës, që trajton temën e ëndrrave, sfidave dhe realitetit të të rinjve në Kosovë. /Telegrafi/


















































