Me rastin e Ditës Botërore të Pastrimit, Komuna e Podujevës ka paralajmëruar një sërë aktivitetesh mjedisore që do të zhvillohen gjatë ditës së sotme dhe të shtunën.

Sipas njoftimit zyrtar, të premten më 19 shtator, nxënësit e shkollave do të marrin pjesë në orë mësimore me tematikë për Ditën Botërore të Pastrimit, si dhe në pastrimin e hapësirave të brendshme dhe oborreve të shkollave.


Po ashtu, në orën 10:00 do të zhvillohet një aksion për largimin e një deponie ilegale në rrugën “Skënderbeu”, pranë shkollës “Ibrahim Rugova”.

Ndërkohë, të shtunën më 20 shtator, aktivitetet do të vazhdojnë me largimin e deponisë ilegale të mbeturinave inerte në fshatin Sfeçël, si dhe me një aksion të gjerë pastrimi në hapësirat përreth Liqenit të Batllavës, në vendin e njohur si “Te Plepat” në Orllan, duke filluar nga ora 11:00.

Në këto aktivitete do të marrin pjesë kompani të pastrimit, organizata joqeveritare, nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” të paraleleve në Orllan, si dhe qytetarë vullnetarë.

Komuna e Podujevës ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen aksioneve, duke kontribuar për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm. /Telegrafi/