Të martën ka ndodhur një aksident rreth orës 17:45 në rrugën “Kral Petri”, përkatësisht tek ura e hekurit në Zveçan.

Policia ka njoftuar se sipas hetimeve të para, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, shkruan Telegrafi.


Bëhet e ditur se drejtuesi i automjetit, Z.V., 22 vjeç, ka humbur kontrollin mbi automjetin me targa te huaja dhe është rrokullisur.

Nga ky aksident nuk është raportuar për persona të lënduar.

“Lidhur me rastin, ura ka qenë e bllokuar për një periudhë kohore, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Pas ndërhyrjes së autoriteteve përkatëse, ura është liruar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet”, thuhet në njoftim.

Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit rrugor.

“Çdo pakujdesi në vozitje mund të rrezikojë jetën tuaj dhe të të tjerëve. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/