AI zbulon nëse do të zhvilloni kancer në 20 vitet e ardhshme - me saktësi tronditëse

Delphi-2M shfaq potencialin më të madh tek sëmundjet me progresion të qartë, si diabeti i tipit 2 apo infarkti i zemrës
Shkencëtarët kanë zhvilluar një mjet revolucionar të inteligjencës artificiale, i cili mund të parashikojë rrezikun e mbi 1.000 sëmundjeve, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin – madje edhe dekada përpara se ato të shfaqen.
Hulumtues nga Laboratori Evropian për Biologji Molekulare (EMBL), Qendra Gjermane për Kërkime mbi Kancerin dhe Universiteti i Kopenhagës shpresojnë se kjo teknologji do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të pacientëve me rrezik të lartë, në mënyrë që sëmundjet të parandalohen para se të shfaqen.
Delphi-2M është një model gjenerativ i inteligjencës artificiale, i trajnuar mbi miliona kartela mjekësore të anonimizuara. Ai analizon modelet në historikun shëndetësor dhe zakonet e jetës, si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit apo mbipesha dhe parashikon çfarë mund të ndodhë deri në 20 vite më vonë.
Modeli u testua mbi të dhëna nga 400.000 pacientë të projektit UK Biobank dhe nga 1,9 milionë persona të regjistrit kombëtar danez, raporton Daily Mail, përcjell Telegrafi.
“Ngjarjet mjekësore shpesh ndjekin modele të parashikueshme. Modeli ynë i mëson ato modele dhe mund të parashikojë rezultatet shëndetësore të së ardhmes”, shpjegoi Thomas Fitzgerald, bashkautor i studimit të botuar në revistën Nature.
Imagine a future where your medical history could help forecast what health conditions you might face.
Introducing a new AI model trained on anonymised medical records that estimates long-term risk for over 1,000 diseases over a decade in advance.https://t.co/oH6JvtBqw7 pic.twitter.com/qzopseFxAf
— EMBL (@embl) September 17, 2025
Ekspertët parashohin që një mjet i tillë do të bëhet pjesë e përditshme e punës së mjekëve.
“Ju hyni në ordinancë dhe merrni një pamje të qartë: katër rreziqet më të mëdha dhe dy gjëra që mund të bëni për t’i ulur ato”, shpjegoi prof. Ewan Birney, drejtor ekzekutiv i EMBL.
Potenciali më i madh i Delfi-2M është tek sëmundjet me progresion të qartë, si diabeti i tipit 2 ose infarkti. Përveç rasteve individuale, ai mund të shërbejë edhe për planifikimin e kujdesit shëndetësor në qytete të mëdha.
Megjithatë, krahas entuziazmit, ekspertët paralajmërojnë edhe për kufizimet.
“Modeli riprodhon paragjykimet nga të dhënat, përfshirë moshën, përkatësinë etnike dhe rezultatet shëndetësore”, paralajmëroi prof. Justin Stebbing, onkolog këshilltar.
Ndërkohë, prof. Peter Bannister nga Instituti i Inxhinierisë dhe Teknologjisë shtoi se sfida kryesore për sistemin shëndetësor është sigurimi që infrastruktura digjitale dhe qasja e barabartë të jenë të disponueshme për të gjithë, jo vetëm për të pasurit. Ekziston gjithashtu skepticizëm se të dhënat aktuale janë të njëanshme, pasi kryesisht vijnë nga vullnetarë.
Megjithatë, shumëkush beson se ky është vetëm fillimi. Prof. Gustavo Sudre nga King’s College London mendon se versionet e ardhshme do të përfshijnë një gamë edhe më të gjerë të dhënash, nga biomarkerët dhe imazheria deri te gjenetika, duke e shndërruar Delfin në një mjet të vërtetë të mjekësisë precize.
Ky zbulim vjen në një kohë kur organizata “One Cancer Voice” paralajmëron se rastet e kancerit do të arrijnë nivele rekord deri në vitin 2040. Vlerësohet se çdo dy minuta një person do të diagnostikohet me kancer, ndërsa llojet më të shpeshta, kanceri i gjirit, i prostatës dhe i mushkërive, do të shënojnë rritje të paprecedentë. /Telegrafi/


















































