AGK mirëpret fitoren e Blerta Foniqi-Kabashi pas degradimit në RTK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka përshëndetur vendimin e Inspektoratit të Punës që i jep të drejtë gazetares Blerta Foniqi Kabashi, e cila ishte degraduar nga pozita e redaktores së Edicionit Qendror në RTK.
Inspektorati ka vendosur se vendimi i marrë nga U.D. kryeredaktori Blerim Haxhiaj ishte i jashtëligjshëm, pasi mandati i tij kishte skaduar më 15 shtator 2025 dhe ai nuk kishte kompetencë për të shqiptuar masën disiplinore ndaj Foniqi-Kabashit. Gazetares i ishte dhënë “vërejtja” për shkak të punës së saj si redaktore në Edicionin Qendror.
Si pasojë, RTK është urdhëruar që ta rikthejë Foniqi-Kabashin në postin e përshkruar me kontratën e saj brenda tre ditëve.
AGK thekson se vendimi i Inspektoratit tregon presionin e ushtruar nga menaxhmenti ndaj gazetarëve dhe redaktorëve që kryejnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
Asociacioni konsideron të papranueshme ndërhyrjet e vazhdueshme politike të Qeverisë së Kosovës dhe partisë Vetëvendosje në pavarësinë editoriale të Transmetuesit Publik, RTK. /Telegrafi/



















































