Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj gjuhës dhe sjelljes së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj gazetares së Reporterit, Leonora Kolukaj.

AGK-ja e ka cilësuar të papranueshme sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga Rama ndaj gazetares Kolukaj, e cila kishte provuar t’i bënte pyetje Ramës para një konference për media më 01.08.2025.


“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e cilëson të papranueshme sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama (LDK), në drejtim të gazetares së Reporterit, Leonora Kolukaj. Gazetarja ka provuar t’i bëjë pyetje zotit Rama para një konference shtypi, dhe ka hasur në sjellje të papërshtatshme të tij dhe stafit. Rama dëgjohet duke e quajtur “loçkë”, gazetaren, një gjuhë e përsëritur e tij me tone seksiste ndaj gazetareve gra”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, gazetarja gjithashtu është shtyrë fizikisht nga ekipi i Përparim Ramës.

Tutje në reagim thuhet se AGK-ja e dënon fuqishëm këtë qasje të kryetarit dhe stafit të tij, dhe e fton atë që të përgjigjet në pyetjet e interesit publik dhe t’i trajtojë gazetarët dhe mediet në mënyrë profesionale.