Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së sotme në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 97 vatra zjarri.

Nga to, 26 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 71 janë lokalizuar falë intervenimit të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.


Sipas AME-së, gjatë pasdites është vërejtur një rritje e lartë e numrit të zjarreve, me situatën më të rënduar në Klinë, Vushtrri, Podujevë dhe Mamushë.

Edhe pse aktualisht gjendja është nën kontroll, Agjencia thotë se mbetet tejet sfiduese për ekipet reaguese në terren.

AME u ka bërë apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast zjarrvënie pranë organeve ligjzbatuese, të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarr dhe të raportojnë urgjencat në numrat 112, 193 dhe 192.

Njëkohësisht, Agjencia ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve, Policisë së Kosovës dhe FSK-së, të cilët po veprojnë pandërprerë në terren.