LAJMI I FUNDIT:

AFK hap degën e saj në Vushtrri

AFK hap degën e saj në Vushtrri

Agjencioni për Financim në Kosovë, “AFK”, ka hapur degën e saj në Vushtrri, që njëherësh është edhe dega e saj e 19-të në Kosovë.

Misioni i AFK-së në Kosovë është përmirësimi i kushteve të jetesës në Kosovë duke ofruar një qasje ndaj shërbimeve të qëndrueshme financiare për mikro-ndërmarrje dhe ndërmarrje të vogla.


Me rastin e hapjes së degës në Vushtrri, menaxherja e marketingut në AFK, Lyra Rezniqi, tha se kjo është dega e 19-të që AFK po e hap dhe deri më tani ka punësuar mbi 200 punëtorë.

“AFK operon që nga viti 1999, ku degën e parë e kemi hapur në Pejë dhe vazhdon të jetë zyra qendrore e jona në Pejë. Sot jemi mbledhur këtu për të hapur degën në Vushtrri, kjo është dega e 19 ku AFK po hap. Deri më tani kemi punësuar deri 200 punëtorë. 200 të punësuar do të thotë jemi në AFK, ku me rritjen e AFK-së, me hapjen e degëve të reja ne do të krijojmë edhe vende të reja të punës”, tha ajo.

Rezniqi bëri të ditur se AFK deri tani ka shërbyer deri në 75 mijë klientë, prej të cilëve 25 mijë janë bujq, ndërkohë që do të vazhdojë mbështetja për bujqit edhe në të ardhmen.

“Deri më tani AFK ka shërbyer deri në 75 mijë klientë, 25 mijë prej tyre janë bujq që kanë pasur nevojë për ndihmë, përkrahje ku ata e kanë gjetur tek AFK. Ne do të vazhdojmë këtë përkrahje për bujqit, ku do të organizojmë trajnime, këshillime falas për të gjithë ata të interesuar”, tha ajo.
Sipas Rezniqit, AFK ka edhe klientë të bizneseve të vogla, të mesme, por edhe klientë individualë.

“Gjithashtu, ne kemi klientë edhe të bizneseve të vogla edhe të mesme, ku kemi edhe klientët individualë, të cilët marrin kredi për nevojat e tyre familjare, për renovim të shtëpisë, për regjistrim të veturave, e për të gjitha këto më radhë”, tha ajo.

AFK në Kosovë operon që nga viti 1999, ku degën e parë e ka hapur në Pejë ku edhe vazhdon ta ketë zyrën qendrore. /Telegrafi/