LAJMI I FUNDIT:

Afat pas afati, premtimet që nuk u mbajtën për rrugën Prishtinë – Podujevë

Afat pas afati, premtimet që nuk u mbajtën për rrugën Prishtinë – Podujevë

Gjatë mandatit 4-vjeçar të ‘Qeverisë Kurti 2’ janë dhënë katër afate të ndryshme për përfundimin e rrugës Prishtinë – Podujevë. Fillimisht është përmendur viti 2021, më pas fundi i vitit 2022, zotimi tjetër ishte për fundin e vitit 2024 ndërsa në përfundim të mandatit qeverisës zotimi është dhënë për pranverën e vitit 2025.

Disa muaj pas fillimit të mandatit të Qeverisë Kurti 2, në muajin gusht 2021, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte premtuar se punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë do të përfundojnë në vitin 2021.

“Rruga Prishtinë – Podujevë do të përfundojë këtë vit”, kishte thënë ministri Aliu më 11.08.2021.


Rreth tre muaj më vonë, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti nuk e kishte dhënë afatin e njëjtë si anëtari i kabinetit të tij qeverisës, Liburn Aliu. Në nëntor 2021, Albin Kurti derisa kishte shkuar në Podujevë për të vizituar punimet bashkë me të parin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kishte premtuar që projekti do të përfundojë në vitin 2022.

“Jemi bashkë me Bulliqin që ta konstatojmë një zvarritje dhe zhagitje e cila përveç që e dëmshme është edhe e paarsyeshme. Prandaj teksa sektori dy do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, në vitin 2022 ne zotohemi që do t’i përmbyllim komplet punimet dhe gjithçka çka është e nevojshme në mënyrë që kjo rrugë e cila lidhë Llapin me kryeqytetin të jetë e përfunduar dhe asisoj njerëzit të mos i kenë këto vështirësi me këtë trafik kaq të dendur, i cili duket si në qendër të Prishtinës e jo këtu ku ndodhemi ne”, kishte deklaruar Kurti më 02.11.2021.

Ky projekt nuk ka përfunduar në vitin 2022 siç ishte zotuar kryeministri Kurti. Zotimi i radhës për përfundimin e këtij projekti ishte dhënë nga zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili në qershor të vitit 2024 kishte premtuar se rruga Prishtinë – Podujevë do të finalizohet në fund të vitit 2024.

“Gjatë këtij viti përfundon”, ishte përgjigjur Durmishi kur ishte pyetur më 24.06.2024 në lidhje me këtë projekt.

Pasi kanë kaluar disa muaj nga premtimi i dhënë nga zv.ministri Durmishi, në muajin tetor 2024 portali ka kërkuar përsëri përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës se kur do të përfundojë ndërtimi i rrugës Prishtinë – Podujevë.

Afati për finalizimin e këtij projekti ndryshoi nga ajo që e kishte premtuar Durmishi në muajin qershor. Durmishi kishte deklaruar se projekti përmbyllet në fund të vitit 2024 ndërsa më 30.10.2024 në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës thuhej se përfundimi i kësaj rruge pritet të bëhet në muajin prill 2025.

“Në seksionin e rrugës, punimet pritet të përfundojnë brenda afatit kohor, kurse sa i përket strukturave, ato nuk mund të përfundojnë brenda afatit. Përfundimi i realizimit të projektit pritet të përfundojë në muajin prill 2025, varësisht nga kushtet atmosferike dhe angazhimi i operatorëve ekonomikë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës për KALLXO.com më 30.10.2024.

Pranverën e vitit 2025 si afat për përfundimin e rrugës Podujevë – Prishtinë e ka përmendur edhe kryeministri Albin Kurti gjatë tubimit elektoral që e ka mbajtur para qytetarëve të Podujevës më 15.01.2025.

“Rruga Podujevë – Prishtinë përfundon në pranverën 2025. Kësaj pritjeje të gjatë po i vjen fundi sepse Qeveria jonë e mirë ka punuar edhe me problemet në mangësitë në shpronësime edhe me projektimet e këqija. Rruga kryhet përgjithmonë në pranverën e sivjetshme”, u shpreh Kurti më 15.01.2025.

Gjatë kësaj kohe, nëpër rrjete sociale, duke përfshirë edhe TikTok-un, janë publikuar video në lidhje me trafikun e krijuar në këtë rrugë, punimet që janë duke u zhvilluar.

Për herë të parë projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë kishte filluar në vitin 2016 kur ministër i Infrastrukturës ka qenë Lufti Zharku nën qeverisjen e ish-kryeministrit Isa Mustafa. Punimet në këtë rrugë kishin vazhduar edhe gjatë mandatit të ministrit Pal Lekaj kur në krye të Qeverisë së Kosovës ishte Ramush Haradinaj.

Gjatë Qeverisë Kurti, tenderi për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë është hapur më 06.01.2023. Ky tender ishte ndarë në 5 LOT-e dhe vlera totale e kontratave ishte rreth 35 milionë euro. Pesë kontratat për pesë LOT-et e këtij tenderi janë nënshkruar më 19 dhe 20.06.2023.

Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Edhe pse OSHP kishte konstatuar se MMPHI ka bërë shkelje kur ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë duke pasur ankesë aktive, zëvendësministri Hysen Durmishi që është një nga tre nënshkruesit e këtyre kontratave, kishte insistuar se procedurat kanë qenë në rregull.

Në lidhje me këtë projekt, Durmishi ishte intervistuar më 08.05.2024 si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ai para gazetarëve pas intervistimit kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.

“… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë  ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”, kishte thënë Durmishi para gazetarëve.

Në shtator të vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 6 milionë euro shtesë për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Podujevë. Në qershor të vitit 2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), kishte dhënë një tjetër kontratë në vlerë prej 575,972 euro për rrugën Prishtinë – Podujevë.

Në janar 2025, portali ka raportuar Ministria e Infrastrukturës është detyruar që të nënshkruajë dy aneks-kontrata për Lotin 1 të tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë, për shkak se kishte harruar që në pozicionet e aneks-kontratës së parë të vendosë edhe shtrirjen e ziftit për rrugën në fjalë. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

Lajme
Shqiptarja nga Ballshi ishte përballë vrasësit, gjatë ekzekutimit të 10 personave në Suedi

Shqiptarja nga Ballshi ishte përballë vrasësit, gjatë ekzekutimit të 10 personave në Suedi

Lajme
Gjendet i vdekur personi që ishte raportuar i zhdukur në Ferizaj, arrestohet një i dyshuar për vrasjen e tij

Gjendet i vdekur personi që ishte raportuar i zhdukur në Ferizaj, arrestohet një i dyshuar për vrasjen e tij

Kronika e Zezë
Haradinaj: Draftin e Asociacionit do ta dërgojmë në Kushtetuese, s'ka më përkëdhelje nga ShBA-ja

Haradinaj: Draftin e Asociacionit do ta dërgojmë në Kushtetuese, s'ka më përkëdhelje nga ShBA-ja

Lajme
Kalo në kategori