Një aeroplan shpërtheu në flakë në një përplasje të tmerrshme menjëherë pas ngritjes, ku si pasojë humbën jetën dy pasagjerë në një pistë në Venezuelë.

Një video tronditëse ka kapur momentin kur aeroplani mezi u ngrit nga toka përpara se të anohej dhe të binte, transmeton Telegrafi.


Aeroplani model Cheyenne përfundimisht u rrëzua mbi një nga krahët e tij dhe më pas shpërtheu.

Dëshmitarët e habitur që shikonin aeroplanin duke u ngritur aty pranë, u dëgjuan duke bërtitur ndërsa aeroplani tregonte shenja shqetësimi.

Fluturakja po ngrihej nga Aeroporti Paramillo në Táchira kur u rrëzua në parkun kombëtar San Cristóbal. Aksidenti la dy pasagjerë të vdekur dhe dy të tjerë të lënduar.

Viktimat e ndjera u identifikuan jozyrtarisht si Toni Bortone dhe Juan Maldonado, sipas portalit lokal El Nacional. Piloti thuhet se humbi kontrollin e aeroplanit pasi një gomë shpërtheu.

Zjarrfikësit, mbrojtja civile e Táchira dhe policia iu përgjigjën thirrjeve në orën 12:00. Aksidenti është ende duke u hetuar. /Telegrafi/