Adria Security Summit 2025 hapet zyrtarisht në Shkup - ngjarja më e madhe e industrisë së sigurisë në Evropën Juglindore

Adria Security Summit 2025, ngjarja më e madhe e industrisë së sigurisë në Evropën Juglindore, është hapur zyrtarisht për edicionin e saj të dhjetë jubilar në Shkup.
Ky organizim dyditor ka mbledhur mbi 2,000 pjesëmarrës dhe 111 ekspozues nga e gjithë bota, të cilët prezantojnë zgjidhjet më të fundit në fushat e vëzhgimit me kamera, kontrollit të hyrjes, detektimit të ndërhyrjeve, mbrojtjes nga zjarri, sigurisë fizike, kibernetike dhe IT, automatizimit dhe teknologjive të mençura.
Qëllimi i Samitit është të forcojë bashkëpunimin, shkëmbimin e njohurive dhe rrjetëzimin profesional brenda komunitetit të sigurisë dhe teknologjisë në rajonin e Evropës Juglindore. Organizator i ngjarjes është revista profesionale a&s Adria, anëtare e grupit global a&s Security Media Group, që operon nën portofolin e Messe Frankfurt, organizatori më i madh evropian i panaireve dhe kongreseve.
Mahir Hodžić, Kryetar i Komitetit Organizativ të Adria Security Summit, theksoi se vizioni i përbashkët, bashkëpunimi dhe inovacioni janë çelësi për krijimin e vlerës së re në industrinë e sigurisë.
“Këto ditë, Shkupi është shndërruar në qendrën rajonale të industrisë së sigurisë, ku mbi 40 ligjërata dhe panele prezantojnë inovacione dhe praktika më të mira, ndërsa takimet B2B krijojnë mundësi të reja biznesi dhe partneritetesh. Falënderoj në mënyrë të veçantë presidentët e të gjitha odave profesionale nga rajoni për mbështetjen e tyre, që i jep këtij eventi edhe më shumë besueshmëri,” – tha Hodžić, duke ftuar pjesëmarrësit të marrin pjesë edhe në Romanian Security Summit, që do të mbahet më 5 dhe 6 nëntor në Bukuresht, i dedikuar tregut të sigurisë në Evropën Lindore.
Pançe Toškovski, Ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët në një ambient sigurie gjithnjë e më kompleks.
“Jetojmë në një kohë që sjell sfida të reja për sektorin e sigurisë, ndaj ngjarje si kjo janë thelbësore. Ato shërbejnë si urë lidhëse midis sektorit publik dhe atij privat, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim dhe ndërtimin e një shoqërie më të sigurt. Ministria jonë mbetet e përkushtuar ndaj modernizimit dhe digjitalizimit të sektorit,” – u shpreh Toškovski, duke shtuar se ngjarje të tilla nxisin bashkëpunime të reja dhe shkëmbim të praktikave më të mira në rajon.
Verica Mileska Stefanovska, Presidente e Odës së Sigurisë Private të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u shpreh e lumtur që Shkupi është nikoqir i ngjarjes më të madhe rajonale në fushën e sigurisë.
“Duhet të punojmë së bashku për të përmirësuar sigurinë dhe për t’u përballur me sfidat moderne me një qasje të përbashkët. Këto dy ditë janë mundësi për t’u takuar, për t’u lidhur dhe për të kontribuar bashkërisht në rritjen e sigurisë publike. I uroj organizatorëve të Adria Security Summit edhe shumë vite suksesi,” – theksoi ajo.
Leo Levit, Kryetar i Komitetit Drejtues të ONVIF, organizatë globale që bashkon prodhuesit e pajisjeve të sigurisë për të zhvilluar standarde ndërkombëtare të ndërveprimit mes sistemeve, vuri në dukje rëndësinë e Samitit si platformë që lidh profesionistët dhe nxit zhvillimin e industrisë.
“Ky është një forum i vërtetë ku ekspertë nga i gjithë rajoni mblidhen për të ndarë përvoja. Evente të tilla luajnë rol kyç në forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të dijes brenda komunitetit të sigurisë. ONVIF punon me të njëjtin qëllim – të krijojë një platformë globale ku prodhuesit bashkëpunojnë për një botë më të sigurt dhe më të lidhur,” – deklaroi Levit.
Përveç hapësirës së gjerë ekspozuese, Adria Security Summit 2025 përfshin një program të pasur konferencash, me panele, ligjërata dhe prezantime nga ekspertë ndërkombëtarë e rajonalë.
Risia kryesore e këtij edicioni është Adria Smart City, një platformë e re e zhvilluar paralelisht me Samitin, e dedikuar zgjidhjeve të mençura për menaxhimin urban.
Më shumë informacion rreth ngjarjes gjendet në faqen zyrtare: www.adriasecuritysummit.com


















































