Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar publikisht mërgatën shqiptare për mbështetjen në zgjedhjet lokale.

Abdixhiku thotë se plot 30,25%, nga gati 30 mijë votues nga jashtë i kanë dhënë mbështetje LDK-së, transmeton Telegrafi.


"Ju kujtohet zhurma e madhe para disa muajve rreth mbështetjes për LDK-në nga mërgata? Ja ku jemi sërish, tetë muaj pas, mërgata foli prapë dhe foli qartë! LDK del e para me votat nga jashtë!Plot 30,25%, nga gati 30 mijë votues nga jashtë i kanë dhënë mbështetje LDK-së; duke rikonfirmuar edhe një herë se puna e vazhdueshme e lidhja e drejtë që kemi mbysin secilën zhurmë", ka deklaruar ai.

Sipas Abdixhikut, ky është rezultati më i mirë lokal që LDK merr nga mërgata.

"Të 8,093 votuesve tanë, ju themi faleminderit! Ky është rezultati me i mirë lokal që LDK merr nga mërgata që nga shpallja e pavarësisë. Jemi krenar. Jemi mirënjohës", ka pohuar ai.

Abdixhiku ka shkruar tutje, se "ky rezultat është dëshmi e besimit të madh që mërgimtarët tanë kanë ndaj vlerave, vizionit dhe politikës sonë të përgjegjshme".

"Është tregues se besimi mbytë zhurmën, ideali e zhbën propagandën, e Lidhja i qëndron kohës"./Telegrafi/