Në ditëlindjen 81-të të presidentit Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar familjen e tij dhe ka njoftuar përfshirjen e Ukë Rugovës në listën zgjedhore të LDK-së.

“Pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore,” tha Abdixhiku gjatë vizitës.


Ai shtoi se në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës.

“Ukë, të priftë e mbara në këtë garë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku theksoi edhe trashëgiminë dhe vizionin e Rugovës për Kosovën.

“Mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”, u shpreh i pari i LDK-së.

Abdixhiku kujtoi jetën dhe arritjet e Rugovës, duke theksuar se ai ishte njeriu që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, që e ndërtoi shtetin e përjetshëm që kemi, dhe që e vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, të arsyeshme e të domosdoshme.

Abdixhiku nënvizoi gjithashtu rolin e Rugovës në themelimin e LDK-së dhe shtetformimin e Kosovës.

“Kur u bë thirrja e madhe e vitit ’89, ai e la letërsinë për t’u bërë mburojë e një kombi. Nga aty lindi LDK-ja. Dhe nga LDK-ja, lindi rruga e shtetformimit modern shqiptar në Kosovë”, tha ai.

Kreu i LDK-së theksoi se kjo është arsyeja pse Rugova ka vetëm ditëlindje.

“Sepse drita e tij nuk fiket; historia e tij nuk harrohet; rruga e tij nuk tjetërsohet”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/