Abdixhiku për votat e diasporës: E kanë nënvlerësuar mërgatën e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se roli dhe ndikimi i mërgatës së kësaj partie po nënvlerësohet nga kundërshtarët politikë, duke theksuar se diaspora ka qenë dhe mbetet mbështetëse e rëndësishme e LDK-së.
Në një paraqitje në emisionin “Pressing” në televizionin T7, Abdixhiku u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Mërgata është e mirëseardhur për të votuar më 28 dhjetor”, u shpreh ai.
Sipas tij, pretendimet për ndikim të vogël të votës së diasporës në favor të LDK-së nuk qëndrojnë.
“E kanë nënvlerësuar mërgatën e LDK-së”, tha Abdixhiku, duke rikujtuar se edhe në zgjedhjet e fundit lokale, votat e diasporës kanë qenë kryesisht për këtë parti.
Ai theksoi se mbështetja e mërgatës po reflektohet edhe në terren gjatë fushatës.
“Po i takojmë në çdo tubim në Kosovë. Ata po ndikojnë edhe te familjet e tyre në Kosovë për të votuar LDK-në”, deklaroi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së vlerësoi se angazhimi i diasporës është faktor i rëndësishëm në procesin zgjedhor dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të reflektohet edhe në zgjedhjet e ardhshme.



















































