Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, i ka dërguar letër Presidentes së Komisonit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Në letrën e dërguar Abdixhiku thotë se LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend.


"Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës. LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend", thuhet në letër.

Ndër të tjera sipas njoftimit bëhet e ditur se masat e Bashkimit Evropian po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e shtetit.

"Pushteti lokal në Republikën e Kosovës në komunat veriore tashmë është transferuar dhe është plotësuar kriteri i vendosur nga BE-ja. Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike".

Sipas njoftimit bëhet e ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit.

"Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian", thuhet në njoftim. /Telegrafi/