AAK: PDK-ja as sot nuk parashtroi kërkesën për kamera

“AAK-ja dhe njëherë thërret Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që të parashtrojë kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për vendosjen e kamerave, në pajtueshmëri me deklaratat e saj publike se është pro vendosjes së kamerave”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
PDK-ja, theksohet në komunikatë, “nuk duhet të përdorë retorikë boshe dhe nuk duhet të zhvillojë fushatë parazgjedhore me çështjen e kamerave në zgjedhje”. “Njoftojmë opinionin publik se PDK-ja as në mbledhjen e sotme të KQZ-së nuk parashtroi kërkesë për kamera”, theksohet në komunikatë.
PDK-ja, sikurse po vepron tash – sipas AAK-së - është duke bërë marketing dhe lojë politike në dëm të transparencës, besueshmërisë dhe interesit të qytetarëve të Kosovës.
“Përndryshe, e tëra që nevojitet për të vendosur kamerat në zgjedhje është vota pro e të deleguarve të PDK-së në KQZ. Është, pra, vetë PDK-ja që ka bllokuar këtë iniciativë. PDK-ja me gjuhën që po përdorë është duke dëshmuar se po nervozohet çdo ditë e më tepër nga fakti se po humb përkrahjen nga qytetarët e Kosovës”, thuhet më tej në komunikatën e AAK-së.
“Për AAK-në, verdikti i popullit është absolut. Qytetarët e Kosovës vendosin në mënyrë të lirë për qeverisjen e ardhshme dhe kjo nuk mund të ndryshohet nga askush, duke tentuar të manipulojë rezultatet e votimeve. Prandaj, PDK-ja duhet të heq dorë nga tendencat e këtilla dhe të kontribuojë bashkë më partitë tjera në zhvillimin e demokracisë në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës. /Telegrafi/










































