Shumë njerëz mbështeten vetëm te grimi me faktor mbrojtës, por sasia që përdoret zakonisht mund të mos jetë e mjaftueshme – një hap i thjeshtë në rutinë bën dallimin

Një nga rregullat më të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të lëkurës është përdorimi i rregullt i mbrojtjes nga rrezet e diellit. Pudrat dhe kremrat e tonuar me SPF janë praktike, sepse bashkojnë mbulimin e lëkurës me një shkallë mbrojtjeje nga dielli. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se mund ta zëvendësojnë kremin mbrojtës.


Dallimi kryesor qëndron te qëllimi dhe sasia e përdorimit. Kremi mbrojtës nga dielli është krijuar për t’u aplikuar në sasi të mjaftueshme, në mënyrë që të sigurojë nivelin e mbrojtjes të shënuar në paketim. Pudra, ndërkaq, është para së gjithash produkt grimi, ndërsa SPF-i është vetëm një përparësi shtesë.

Disa produkte të tonuar përmbajnë edhe pigmente që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës nga drita e dukshme. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për personat që kanë njolla të errëta, melazmë apo shenja të mbetura pas akneve, transmeton Telegrafi.

A mjafton vetëm pudra me SPF?

Në shumicën e rasteve, jo.

Për të arritur nivelin e mbrojtjes të deklaruar në pudër, do të duhej të përdorej një sasi shumë më e madhe sesa ajo që zakonisht vendoset gjatë grimit. Një shtresë e tillë do ta bënte pamjen të rënduar dhe jo natyrale.

Prandaj, fillimisht duhet të aplikohet kremi mbrojtës nga dielli, e më pas pudra. Për përdorim të përditshëm zakonisht rekomandohet një krem me të paktën SPF 30, që mbron si nga rrezet UVA, ashtu edhe nga ato UVB.

Pas kremit mbrojtës mund të vazhdohet me grimin dhe pudra të aplikohet vetëm në sasinë që nevojitet.

Mos i përzieni dy produktet

Nuk rekomandohet as përzierja e pudrës me kremin mbrojtës në dorë, me synimin për të krijuar një produkt “dy në një”. Përzierja mund të ndikojë në shpërndarjen e njëtrajtshme të kremit dhe ta zvogëlojë mbrojtjen.

Pudra me SPF është një shtesë e mirë në rutinën e përditshme, por baza e mbrojtjes mbetet kremi me faktor mbrojtës nga dielli.

Pra, pudra me SPF është një mbrojtje shtesë, jo zëvendësim për kremin mbrojtës. /Telegrafi/