Nga: Emma Brockes / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në këto kohëra të trazuara, kënaqësitë e vogla i marrim aty ku mund t’i gjejmë. Dhe, këtë javë kemi këtë: një tablo të njerëzve të botës letrare në ceremoninë e ndarjes së çmimit Booker, duke u përpjekur që të futen në foto pranë Sarah Jessica Parkerit. Aktorja - nëse e keni humbur artikullin e gjatë për të në New York Times, apo postimet e panumërta në rrjetet sociale që promovojnë përfshirjen e saj - këtë vit ka shërbyer si anëtare jurie për çmimin Booker, proces që kërkoi prej saj të lexonte 153 libra, disa prej të cilëve në metronë e Nju-Jorkut, ndjekur nga një ekip xhirimi. “Oh, më lejoni ta provoj!” - u ka shkruar Parker drejtuesve të çmimit vitin e kaluar dhe, për arsyet që u bënë të qarta këtë javë, ata e pranuan.


E di çfarë do të thuash; se çdo gjë me më pak se një mbështetje e plotë për angazhimin interesant të Parkerit me librat në përgjithësi dhe me çmimin Booker në veçanti, është thjesht snobizëm i papranueshëm. Nuk ka asgjë të keqe me një aktore që përfshihet në jetën letrare ose përdor peshën e saj kulturore për të promovuar leximin. Dhe - nuk diskutohet - jemi të gjithë shumë mirënjohës për këdo që ka një platformë më të madhe se ajo e romancieres së zakonshme që rri në shtëpi dhe që përdor sharmin dhe vëmendjen e saj për më të mirën. Se përzgjedhjet e librave nga yjet janë bërë zgjatim i natyrshëm i marrëdhënieve me publikun, ashtu si marrja me bamirësi për kafshët ose të qenit ambasador i vullnetit të mirë i OKB-së, kjo është, padyshim, diçka për t’u shënuar. Kush prej nesh mund të mos e mirëpresë Mindy Kalingun, apo Emma Watsonin, apo Jenna Bush Hagerin në luftën e tyre kundër zvogëlimit të vëmendjes dhe varësisë nga ekranet?

Dhe, megjithatë: hajde tani. Vërtet? Përmbajtja e krijuar nga yjet që duan të paraqiten si të lidhur me librat ka sjellë disa imazhe - Natalie Portman (a e ka përmendur ndonjëherë që shkoi në Harvard?) që vështron një kopje të Valëve nga Virginia Woolf; Emma Roberts, aktore dhe mbesa e Julia Robertsit, që bën një dremitje me të sapolindurin e saj pranë antologjisë së Joan Didionit; Kaia Gerber, aktore dhe vajza e Cindy Crawfordit, që na siguron përmes postimeve të saj në rrjetet sociale se “leximi është shumë seksi”; shprehja “eksperienca zhytëse letrare e Dakota Johnsonit” - të cilat, nëse nuk të bëjnë të përqeshësh, atëherë je person shumë më i mirë se unë.

Disa nga mënyrat se si ti e sheh këtë lloj përmbajtjeje mund të vijë thjesht nga një pyetje e thjeshtë se si reagon trupi yt kur dëgjon fjalët “Reese Witherspoon” - me një buzëqeshje të ngrohtë apo një dridhje të pavetëdijshme. Witherspoon, lista e librave të së cilës është thuajse dhjetëvjeçare, është një emër i madh në kontinentin letrar të të famshmëve dhe trashëgimtarja natyrore e Oprah Winfreyt që shpesh paraqitet me veshje me lule, shtrirë në divan me një libër në dorë dhe me një shprehje në fytyrë që thotë: “Po, jam simpatike; por gjithashtu lexoj”. Ajo që po lexon Witherspoon, pa dyshim, është një roman për një vajzë të çuditshme që takon një burrë të çuditshëm dhe bashkë shënojnë mungesën e konformizmit të tyre me një dasmë konvencionale.

Sigurisht, jo të gjitha listat letrare të yjeve janë njësoj, dhe një brez pas Witherspoonit vjen Dua Lipa, me një listë shumë më ambicioze dhe letrare - që së fundmi ka përfshirë tituj nga Ocean Vuong, Patrick Radden Keefe dhe, ylli i momentit, Helen Garner. (Në fakt, ishte Sarah Jessica Parker që arriti te Garneri e para, duke e paraqitur Carrie Bradshawin në Seksi dhe qyteti me, herë pas here, me një kopje të romanit të parë të Garnerit, Mbërthimi i majmunit, dhe librin e saj Kjo shtëpi e dhimbjes, të futur me stil nën krah. Ky i fundit është historia rrëqethëse e një burri që vret fëmijët e vet - që çdo vajzë me stil dhe qytetare duhet ta ketë.)

Duke qenë se ka vend për të gjitha llojet e shijeve letrare, mendoj se bezdia ime me shumicën e kësaj është stilistike. Lidhur me frazën “leximi është seksi” - një pohim që shumica e yjeve me lista librash e marrin jashtëzakonisht fjalë për fjalë, aq sa çdo foto promovuese i tregon duke pozuar, gati për tapetin e kuq, mbi libër - a është jashtë mase e mërzitshme të pyesësh nëse “seksi” është fjala e duhur? Ka diçka thellësisht nënvlerësuese në supozimin se e vetmja gjë ndaj së cilës do të reagojnë të rinjtë, të paditurit dhe ata që nuk lexojnë është “joshja” apo se përkufizimi i joshjes është leximi i një libri në bikini.

Sa për vetë autorët, shumë prej tyre, sigurisht, janë të entuziazmuar të përfshihen me njerëz më të rinj, më të pasur, më të famshëm nga skaji popullor i spektrit të argëtimit, duke hyrë kështu në traditën e njerëzve të zymtë dhe të vështirë të letërsisë që takojnë një aktor dhe papritur bëhen të hareshëm. Në artikullin e New York Times-it për mënyrën se si Sarah Jessica Parker arriti të jetë një aktore e famshme që gjithashtu lexon libra, ylli televiziv tha: “Doja t’i shkruaja Roddyt [Doyle, kryetari i jurisë] dhe t’i thosha, ‘E ke prekur këtë libër ende? Ja ndjenjat e mia për të, por është e mundur që jam plotësisht gabim’”. Zbulim i parakohshëm: romancieri irlandez ishte absolutisht 100 përqind dakord me vlerësimin e fitueses së çmimeve Golden Globe dhe Emmy për atë libër të veçantë.

Nuk dua të jem shumë pesimiste. Askush nuk dëshiron të jetë Jonathan Franzen në këtë festë të veçantë (edhe pse, do të them se teksa zgjedhjet e librave nga Oprah po bëhen gjithnjë e më të dyshimta, po ndiej gjithnjë e më shumë simpati për refuzimin e tij të rreptë për të qenë pjesë e saj). Por, ndoshta mund të themi “urime” për përzgjedhjet e librave të yjeve, ndërkohë që ruajmë të drejtën të na duken paksa qesharake - shembuj të njerëzve që këmbëngulin të na tregojnë çfarë mendojnë për gjithçka, me një vetëbesim tërësisht të pandikuar nga ekspertiza. /Telegrafi/