LAJMI I FUNDIT:

Bojkot të supermarketeve në Ditën e Konsumatorit, Kaçaniku: Ka shumë abuzime me çmime

Bojkot të supermarketeve në Ditën e Konsumatorit, Kaçaniku: Ka shumë abuzime me çmime

Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit sivjet do të shënohet me thirrjen për bojkotimin e marketeve për shkak të rritjes së çmimeve, për herë të katërt brenda këtij viti në Kosovë.

Ndonëse kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi të drejtat dhe nevojat e konsumatorëve në mbarë botën, Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “Konsumatori”, tha për KosovaPress se ka shumë abuzimeve me çmime, gjë e cila dëshmon se ligji për mbrojtjen e konsumatorit nuk po gjen zbatim.

“Respektimi i të drejtave të konsumatorit në Republikën e Kosovës është në proporcion të drejtë me nivelin e zbatimit të ligjeve dhe ky nivel është i pamjaftueshëm andaj edhe zbatimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe i programit të mbrojtjes së konsumatorit janë nën nivel të pamjaftueshëm. Ne kemi shumë lloje të abuzimeve të çmimeve dhe kjo shumëllojshmëri i tejkalon të gjitha nivelet e ekspertizave, të gjitha niveleve të inspeksioneve apo agjencive për mbikëqyrjen e tregut”, tha ai.


Si rrjedhojë i rritjes së çmimeve iniciativa qytetare “Kosova Bojkoton” ka bërë thirrje që sot të bojkotohen të gjitha marketet.

Një nga themeluesit e iniciativës Xhevat Kastrati në Facebook ka potencuar tri arsyet pse duhet bojkotuar marketet: “Kur ne s’blejmë në super-marketet e padrejta, u tregojmë atyre se ne kontrollojmë tregun. Duke u bashkuar në bojkot bëhesh pjesë e një iniciative që i detyron kompanie të dëgjojnë dhe të veprojnë në interes tënd dhe të shoqërisë. Dhe së treti, bojkoti është një mënyrë për të protestuar ndaj padrejtësive si çmimet e larta, cilësia e dobët dhe mashtrimet”.

Kujtojmë, ky është bojkoti i katërt sivjet në Kosovë, e cila në muajin janar dhe shkurt iu bashkua nismave të ngjashme në vendet e tjera të rajonit.

Për të nënvizuar mbrojtjen e konsumatorëve, Organizata Botërore e Tregtisë ka rekomanduar rregullore specifike për transparencë dhe drejtësi më të madhe; vlerësimi dhe, nëse kërkohet, rishikimi i kornizave ekzistuese ligjore dhe politike për sfidat e tregut digjital; bashkëpunimi ndërkombëtar, rajonal dhe dypalësh për të adresuar sfidat globale; rritja e bashkëpunimeve dhe konsultimeve ndërmjet autoriteteve të ndryshme. /kp/