LAJMI I FUNDIT:

Identifikimi i të pagjeturve, Kosova ende nuk ka arkeolog mjekoligjor

Identifikimi i të pagjeturve, Kosova ende nuk ka arkeolog mjekoligjor

Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ende nuk ka arritur të punësojë një arkeolog mjekoligjor, i cili ndihmon në identifikimin e vendeve ku dyshohet se janë të varrosur persona të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Pozicioni i cili më parë ishte mbajtur nga zyrtarët e EULEX-it, nuk është zëvendësuar ende pas transferimit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës.

Në mungesë të këtij profesionisti, autoritetet e kanë sfidë të identifikojnë saktë vendet ku mund të jenë të varrosur personat e vrarë.


Ditor Haliti, zëvendësdrejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), thotë se arkeologu mjekoligjor bën analizën e terrenit të dheut, për të verifikuar nëse ajo pjesë më herët ka pasur ndryshime apo ka qenë e çrregulluar.

“Arkeologu mjekoligjor është një profil profesional i cili bën analizën e terrenit të dheut apo të tokës kudo që shkon në kuptim të vlerësimit se a ka ndryshime, se a ka bazë që ajo pjesë e dheut ka qenë e çrregulluar, e trazuar në të kaluarën, kështu që mund të vlerësohet që aty mund të ketë diçka të fshehur”, thotë Haliti.

“Ne deri më tani jemi të mbuluar në profilin e arkeologut mjekoligjor nga kompotenta e EULEX-it e cila është e vendosur në IML dhe të cilët kanë brenda tyre këtë ekspertizë të arkeologut mjekoligjor. Duke qenë se janë pjesë e IML-së edhe kjo komponentë e EULEX-it, ne e kemi ekipën e plotë e cila funksionon qoftë në teren, qoftë edhe në Sallën e Antropologjisë”.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion në të cilin në mënyrë shkencore bëhet identifikimi i mbetjeve të gjetura në lokacione të ndryshme të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Fillimisht kur Policia e Kosovës apo Prokuroria identifikojnë një lokacion të caktuar ku dyshohet se janë varrosur njerëz nga lufta, të njëjtit më pas kërkojnë nga Gjykata një Urdhër për zhvarrim dhe hulumtim në atë lokacion.

Sapo IML-ja e merr Urdhëresën nga Gjykata përkatëse, antropologët në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in dalin në terren dhe verifikojnë informatat nëse janë të sakta.

Nëse rezultojnë të sakta informatat, Instituti i Mjekësisë Ligjore së pari bën vlerësimin nëse ka të bëjë me ndonjë varrezë masive apo me varrim individual, e më pas mbetjet që i gjen në atë lokacion i dërgon në Laboratorin e Mjekësisë ligjore, ku bëhet verifikimi fillestar i mbetjeve mortore.

Eksperti mjekoligjor pranë IML-së, Valon Hyseni shpjegon procedurën e mëtutjeshme.

“Po sa të vijnë mbetjet në Laborator, ne fillimisht bëjmë shikimin e tyre. Shikojmë a kemi të bëjmë me mbetje kockore, a janë njerëzore apo shtazore, sepse shpeshherë na vijnë mbetje që pretendojnë se janë njerëzore, por në fakt ato janë shtazore ose e kundërta”, thotë Hyseni.

“Ne bëjmë këqyrjen e mbetjeve kockore, fillojmë me profilin biologjik, ku nënkupton përcaktimin e moshës, gjatësisë trupore. Pastaj bëjmë përshkrimin e dëmtimeve, të mbetjeve kockore. Pra, dëmtimet a janë antimorterm – të shkaktuara para vdekjes, a janë perimorterm – që janë të shkaktuara gjatë vdekjes që lidhen direkt edhe me shkakun e vdekjes, apo dëmtimet janë të shkaktuara postmorterm – që të njëjtat mund të dëmtohen gjatë zhvarrimit të tyre”.

Sipas Hysenit, përveç profilit biologjik dhe përshkrimit të dëmtimeve trupore, ekspertët e IML-së i marrin edhe mostrat për analiza të ADN-së dhe antropologu mjekoligjor në Sallën e Antropologjisë e përcakton se cila pjesë e kockës është më e nevojshme dhe cila hyn në punë për analizë të ADN-së.

“Mbledhja e mostrave kërkon një fabrikim të veçantë të atyre mbetjeve kockore dhe të njëjtat dërgohen në Laboratorin e ICPM-së në Hagë, ku edhe kryhet analiza e ADN-së”.

Hyseni thotë se Raporti i identifikimit zakonisht në Hagë vonohet nga 3 deri në gjashtë muaj, varësisht se sa është e dëmtuar kocka dhe sa shpejt mund të nxirret profili i ADN-së.

Aktualisht, sipas Hysenit, në Morgun e Kosovës janë rreth 300 mbetje mortore, që dyshohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë.

“Por këto nuk nënkupton që janë trupa komplet, sepse kemi edhe mbetje mortore që ndoshta është vetëm një kockë dhe që identifikon një individ dhe llogaritet si një individ. Qe dy vjet është punuar mjaft dhe vazhdon të punohet me intensitet maksimal në zbardhjen e fatit të këtyre mbetjeve mortore, ku kemi fillu një analizë të mirëfilltë – duke e ditur që në të kaluarën kanë punuar edhe organizata të ndryshme, qoftë Tribunali i Hagës, qoftë KFOR-i, qoftë UNMIK-u, tash edhe EULEX-i. Dhe, është një punë e gjerë e hulumtimit të të gjitha dokumentacioneve dhe lokacioneve ku i marrim këto mbetje kockore, ku shpesh na duhet prej këtyre rasteve me marrë mostra shtesë. Ato dërgohen për analiza në Hagë dhe që presin për rezultate”, ka thënë Hyseni nga IML.

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë të punësuar rreth 57 persona të ndarë në tre Departamente. Departamenti i Mjekësisë Ligjore, Departamenti për Laboratore dhe ai për mbështetje Mjeko-Ligjore. Në kuadër të Departamentit për Mjekësi ligjore është Divizioni i veçantë për Personat e Zhdukur, në të cilin Divizion punojnë 10 persona. Aty përfshihen antropologë dhe specialistë të Mjekësisë ligjore.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit thotë se përgjatë vitit 2024, nga 124 Raporte të ADN-së që Kosova ka pranuar nga Haga, 26 prej tyre janë të personave që kanë qenë në Listën e Personave të zhdukur.

“Nga 124 Raporte që kemi pranuar po flasim për 38 identifikime të reja, megjithatë duhet theksuar faktin që nga këto 38 identifikime të reja, 26 i përkasin personave që janë në Listën e Personave të zhdukur. Pra, rastet e tjera mund të përfshihen edhe në rastet që ne i trajtojmë si raste në kuadër të konfirmimit të identitetit.” – bën të ditur Gara.

Sipas tij, prioritet gjatë këtyre viteve është adresimi ose trajtimi i çështjes së mbetjeve mortore të paidentifikuara.

“Në shumicën e rasteve ne pranojmë edhe këtë Raport, të cilin pastaj e klasifikojmë si konfirmim identiteti, pra jo identifikim që ndërlidhet drejtpërdrejt me rastet që janë ende në Listën e Personave të zhdukur”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë, për herë të parë ka përfshirë si statistikë edhe dëmet nga lufta e fundit në Kosovë. Sipas këtyre të dhënave që përfshijnë periudhën 28 shkurt 1998 – 11 qershor 1999, si pasojë e luftës në Kosovë janë vrarë 11 mijë e 417 njerëz, janë zhdukur 1 mijë e 407 persona, janë plagosur 6 mijë e 682, janë burgosur 3 mijë e 312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193 mijë e 765 njerëz.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, si pasojë e luftës në Kosovë konsiderohen të zhdukur ende edhe 1 mijë e 636 persona, kurse Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se janë të pagjetur edhe 1 mijë e 595 persona. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Lamtumirë Ferid Gjikolli, Haradinaj i ndan dekoratën post mortem ‘Me besim në Zot, atdhe e shtet’

Lamtumirë Ferid Gjikolli, Haradinaj i ndan dekoratën post mortem ‘Me besim në Zot, atdhe e shtet’

Lajme
Ligji i ri për kadastër, drejtori i AKK-së: Hap i madh për unifikimin e procedurave pronësore

Ligji i ri për kadastër, drejtori i AKK-së: Hap i madh për unifikimin e procedurave pronësore

Lajme
Faton Abdullahu: Votimi për Kurtin më 9 shkurt do të ishte “vetëvrasje elektorale”

Faton Abdullahu: Votimi për Kurtin më 9 shkurt do të ishte “vetëvrasje elektorale”

Politikë
KQZ-ja prezanton kamerat vëzhguese që do të vendosen në vendvotime

KQZ-ja prezanton kamerat vëzhguese që do të vendosen në vendvotime

Lajme
Iu bashkua organizatës terroriste

Iu bashkua organizatës terroriste "Al Nusra" në Siri, shpallet aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist

Drejtësi
Kalo në kategori