LAJMI I FUNDIT:

PDK akuzon Qeverinë Kurti për mosveprim në zbardhjen e rastit Dehari

PDK akuzon Qeverinë Kurti për mosveprim në zbardhjen e rastit Dehari

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mungesën e përparimit në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit gjatë më shumë se tre viteve të qeverisjes.

Në një konferencë për media, Gruda e cilësoi si një “show politik” konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) para Prokurorisë Speciale, duke akuzuar partinë në qeverisje për mosveprim dhe për pengimin e përpjekjeve për zbardhjen e rastit.

“Sot janë bërë më shumë se tre vite që LVV është në pushtet dhe nuk ka bërë asnjë hap për të zbardhur të vërtetën e rastit tragjik të Astrit Deharit, përkundër premtimeve të shumta që kishin bërë gjatë kohës kur ishin në opozitë. Jo vetëm që nuk kanë zbardhur rastin Dehari, por gjatë më shumë se tre viteve të qeverisjes së tyre janë zhdukur dhe kthyer mostrat e Astrit Deharit dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë rresht”, tha Gruda.


Ai gjithashtu ngriti pyetje të rëndësishme lidhur me ngjarjet e fundit që lidhen me zhdukjen dhe kthimin e mostrave të Astrit Deharit, duke vënë në dyshim përfshirjen e njerëzve të qeverisë në këto veprime.

Gruda akuzoi qeverinë për pengimin e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar që do të hetonte zhdukjen dhe kthimin e mostrave të Deharit, si dhe për incidentet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

PDK kërkoi që rasti i Astrit Deharit të zbardhet sa më shpejt nga Qeveria dhe paralajmëroi se njerëzit e përfshirë në pengimin e zbardhjes së këtij rasti do të japin llogari para drejtësisë.

Gruda u shpreh se ky rast nuk do të mbetet i pazbardhur dhe se drejtësia do të vendosë për ata që kanë penguar zbardhjen e tij./Telegrafi/