Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
“Këtu ata e quajnë ishulli i vdekjes, ishulli misterioz, dhe kjo për një arsye të mirë”, ka thënë reporteri i BBC-së, Fyfe Robertson, teksa në vitin 1962 qëndronte buzë detit dhe pranë ishullit të largët e të shkretë skocez të Gruinardit.
“Sot për sot, kjo nuk është histori e të bëmave të vjetra të errëta apo e besëtytnive malësore. Jo, kjo histori nisi në vitin 1942. Lufta vazhdoi për tre vjet kur, papritmas, një grup i shkencëtarëve nga Zyra e Luftës e mori ishullin dhe nisi eksperimentet kaq sekrete saqë edhe sot, 20 vjet më vonë, shumë pak njerëz e dinë se çfarë ndodhi atje”.
Robertson synonte të hetonte historitë e eksperimenteve të rrezikshme të qeverisë, të cilat besohej se kishin ndodhur në Gruinard. Në kohën kur raportonte, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar e kishte shpallur ishullin të ndaluar për qasje dhe Robertsoni nuk mundi t’i bindte vendasit e frikësuar që të lundronin përreth për ta parë më nga afër.
Ishte katastrofë mjedisore. Për indinjatë, ishulli mbeti i kontaminuar në formë të rrezikshme dhe si zonë e ndaluar për gati gjysmë shekulli – derisa në vitin 1990, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar më në fund e shpalli ishullin Gruinard si vend të sigurt.
E vërteta është se ishulli Gruinard ka qenë vendi i përpjekjeve të fshehta të Mbretërisë së Bashkuar – gjatë Luftës së Dytë Botërore – për të krijuar armë antraksi me infeksion vdekjeprurës bakterial. Detajet e sakta të asaj që ndodhi atje dalin në dritë vetëm në vitin 1997, kur qeveria e deklasifikoi filmin – të cilin ushtria e kishte xhiruar në atë kohë – që detajonte eksperimentet.
Projekti i quajtur Operacioni Vegjetarian filloi nën drejtimin e Paul Fildesit, atëherë kreu i Departamentit të Biologjisë në Porton Daun – në strukturën ushtarake në Uiltshir të Anglisë e cila ekziston edhe sot.
Në vitin 1916, Porton Duani u ndërtua si Stacion Eksperimental i Departamentit të Luftës, për të studiuar efektet e agjentëve të armëve kimike – të cilat gjithnjë e më shumë përdoreshin teksa përparonte Lufta e Parë Botërore. Në vitet 1940, me Britaninë sërish në luftë, Porton Duani u ngarkua me zhvillimin e armëve biologjike me efekte shkatërrimtare, të cilat do të mund të përdoreshin kundër Gjermanisë naziste, duke minimizuar kështu luftimet e drejtpërdrejta aktuale midis trupave.
Plani ishte të infektoheshin mbetjet e lirit me antraks dhe që ato të hidheshin me aeroplan në kullotat e bagëtive rreth Gjermanisë. Lopët do t’i hanin dhe do të prekeshin nga antraksi, si dhe ata që hanin mishin e infektuar. Antraksi është organizëm i natyrshëm, por vdekjeprurës. Simptomat e infeksionit mund të kërkojnë kohë për t’u shfaqur plotësisht, ndërsa kur shfaqen janë të tmerrshme dhe shumë shpejt mund të bëhen vdekjeprurëse. Plani i propozuar do ta kishte shkatërruar furnizimin me mish të Gjermanisë dhe do të shkaktonte kontaminim mbarëkombëtar me antraks – duke rezultuar kështu me një numër të madh të vdekjeve.
Por, për të kuptuar se si antraksi do të funksiononte si armë në një mjedis real, studiuesve u duhej një vend në natyrë – larg zonave të populluara – për ta testuar. Në verën e vitit 1942, ushtria e bleu ishullin e largët të pabanuar me 522 hektarë, Gruinardin, dhe ua ndaloi vendasve të zbarkonin atje.
Një ekip ushtarak nën mbikëqyrjen e shkencëtarëve, më pas filloi të kryente eksperimentet rrëqethëse. Duke përdorur bagëtitë që silleshin në ishull për të shërbyer si subjekte testimi, nisi një seri e provave duke lëshuar spore antraksi në gjithë terrenin e ishullit.
“Qëllimi ishte të testohej nëse antraksi do t’i mbijetonte shpërthimit në terren; nuk e dinin këtë, por më pas ai do të mbetej virulent”, ka thënë Edward Spiers, profesor në Universitetin e Lidsit, për dokumentarin e vitit 2022 të BBC-së: Misteri i Ishullit të Antraksit.
“Tetëdhjetë dele të rëndomta ishin lidhur në faza të ndryshme në drejtim të erës së shpërthimit të mundshëm. Shpërthimi u bë me telekomandë. Nuk ishte zhurmë e madhe, por një rrymë sporesh shumë e fuqishme që lëvize me erën dhe shkaktonte infeksion dhe vdekje kudo që shkonte”.
Rezultatet ishin shkatërrimtare: brenda disa ditëve pas ekspozimit, delet filluan të shfaqnin simptomat dhe të ngordhnin me shpejtësi. Trupave të tyre të infektuara iu bë autopsia dhe më pas u dogjën ose u varrosën nën tonelatat e tëra të mbeturinave.
Disa nga këto eksperimente u dëshmuan nga fermerët lokalë, të cilët i dalluan retë e antraksit që lëviznin mbi ishull. Një vendas, i cili ia kishte shitur delet ekipit shkencor, kujtoi se pa atë që ai e përshkroi si tym që binte mbi kafshët. “Mendoj se ishin të gjitha llojet e gazit helmues, të antraksit”, i tha ai Robertsonit në vitin 1962.
Provat sekrete vazhduan deri në vitin 1943, kur ushtria i konsideroi të suksesshme dhe shkencëtarët i paketuan gjërat dhe u kthyen për në Porton Daun. Si rezultat, u prodhuan pesë milionë njësi me antraks, por plani përfundimisht u braktis kur përparoi pushtimi i Normandisë nga Aleatët, për çfarë ato u shkatërruan pas luftës. Deri në vitin 1952, Britania e kishte zhvilluar një armë tjetër të shkatërrimit në masë dhe e kishte arritur ambicien për t’u bërë fuqia e tretë bërthamore në botë. Katër vjet më vonë i përfundoi programet e saj sulmuese të armëve kimike dhe biologjike, ndërsa më 1975 e ratifikoi Konventën e Armëve Biologjike e cila e ndalon çdo përdorim, prodhim ose grumbullim të tyre.
Pasojat e Operacionit Vegjetarian ishin katastrofale për ishullin. Antraksi është bakter shumë rezistues dhe mund të qëndrojë për dekada në tokë, duke shkaktuar infeksion kur gëlltitet, madje edhe shumë vjet pas shpërthimit. Eksperimentet e ushtrisë e kishin lënë ishullin shumë të rrezikshëm që njerëzit ose kafshët të jetonin aty, madje edhe uji i shiut që dilte nga ishulli ishte potencialisht vdekjeprurës.
Në muajt pas testeve, kafshët pranë gjirit Gruinard nisnin të ngordhnin. Siç citon Elizabeth Willis në letrën e saj, Kontaminimi dhe kompensimi, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e pagoi në heshtje kompensimin për të prekurit, por pretendoi se vdekja ishte rezultat i një dele të sëmurë që kishte rënë nga një anije greke që kalonte andejpari.
Një vendas i tha BBC-së në vitin 1962: “Ishte mjaft e qartë për ne se ata dinin diçka për këtë, përndryshe nuk do të kishin paguar kaq shpejt”.
Ushtria e futi ishullin në karantinë për një kohë të pacaktuar dhe i vendosi tabelat që paralajmëronin rrezikun për vizitorët.
Në dekadat që pasuan fundin e Luftës së Dytë Botërore, u bënë përpjekje për të dekontaminuar vendin duke përdorur trajtat kimike dhe djegiet e kontrolluara, por kryesisht rezultuan si joefektive. Një seri e testeve në vitin 1971, tregoi se derisa nuk kishte më spore antraksi në sipërfaqe, ato mbetën ende poshtë, duke paraqitur rrezik të madh për këdo që shkelte në ishull.
Në vitin 1981, grupi mjedisor i quajtur Komandot e Dark Harvestit, zbarkoi në ishull dhe merr mostra e dheut të infektuar me antraks. Një kovë me atë dhé e lanë jashtë Porton Daunit për të nxjerr në pah ndotjen vdekjeprurëse në ishull dhe duke synuar detyrimin e qeverisë që të bëjë diçka.
Pesë vjet më vonë, shkencëtarët u kthyen për të provuar përsëri dekontaminimin, duke e njomur ishullin me një përzierje të ujit të detit dhe me formaldehid, si dhe duke e hequr dhe djegur dheun e sipërm të kontaminuar. Këtë herë ishin më të suksesshëm dhe, më në fund, më 24 prill 1990, pas 48 vjetëve në karantinë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e shpalli ishullin Gruinard si të lirë nga antraksi.
Gruinardi nuk ishte i vetmi vend ku Britania e Madhe kreu testet sekrete të luftës biologjike, por ishte i pari. Pasojat e asaj që ndodhi atje, qëndrojnë ende si dëshmi e zymtë – si për rreziqet e luftës biologjike ashtu edhe për aftësinë e njerëzimit për të shkatërruar. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëQyteti më i vjetër në botë!
Disa shënime mbi traditën moderne greke
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes
“Medea” si bazë e tragjedisë apo vetë pasoja e një gruaje
Thënie të zgjuara të emrave të mëdhenj: Jeta është përgatitje e gjatë për diçka që nuk ndodh!
PARAJA
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A