LAJMI I FUNDIT:

Qytetërimi perëndimor po trulloset nga profetët e rremë të “diversitetit”

Qytetërimi perëndimor po trulloset nga profetët e rremë të “diversitetit”

Nga: Allister Heath / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Nëse ende beson se jo gjithçka duhet të sillet rreth racës dhe gjinisë, e kam një lajm të keq. Pala jonë është shpartalluar. Derisa konservatorët po flinin në timon, një brez i ri i aktivistëve të zgjimit [Lëvizja Woke apo aktivistët që mëtojnë se angazhohen për ndërgjegjësim më të gjerë për pabarazitë sociale, si racizmi, seksizmi dhe mohimi i të drejtave të LGBT-së – shën. i Telegrafit] morën kontrollin e shumicës së institucioneve tona, duke i shtuar ankesat, ndarjet dhe mosmarrëveshjet, duke minuar ekonominë tonë, duke shkatërruar kulturën tonë dhe duke i kushtuar kjo taksapaguesve me miliona.

Lëvizja “diversiteti, barazia, përfshirja” (DEI) është krahu i përkohshëm i të zgjuarve, mjeti me të cilin teoria kritike e racës, transekstremizmi dhe mbeturinat e tjera post-moderne pushtojnë jetën tonë. Shumë kompani, si dhe sektori publik, e kanë përqafuar DEI-në duke besuar gabimisht se ajo e shpërfaq antiracizmin e tyre dhe i kanë ngarkuar departamentet e burimeve njerëzore që të indoktrinojnë punonjësit me parimet e tij. Përpjekjet e tyre u dënuan nga Kemi Badenoch, në një artikull të shkëlqyeshëm në këtë javë. DEI ka dështuar të sjell ndonjë dobi të dukshme, por shpërdorimi i parave është më i vogli nga problemet tona.


Ashtu si projektet e tjera politike të së majtës ekstreme, DEI është së tepërmi nën standard dhe njëkohësisht thellësisht orvellian teksa e çorodit kuptimin e fjalëve për të mashtruar. Po të kërkonte të luftonte racizmin e vërtetë, siç zakonisht kuptohet ky koncept, do të isha mbështetës i zellshëm. E dua botën ku raca është e parëndësishme dhe pajtohem me entuziazmin e vizionit E kam një ëndërr të Martin Luther Kingut, ku ai shpresonte që fëmijët e tij “një ditë do të jetojnë në kombin ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit të tyre”. Kombi i tillë – meritokratik, i drejtë, paqësor, i begattë, demokratik dhe pa ngjyra – është ai të cilin çdo shtet perëndimor duhet ta aspirojë.

Por, kjo nuk është ajo për të cilën po punojnë revolucionarët e zgjimit. Ata e refuzojnë vizionin e Kingut – në rastin më të mirë si naiv, ose si bashkëfajtor në rastin më të keq: për ta, racizmi është i natyrshëm në shoqërinë perëndimore, i brendshëm në botën e familjeve “patriarkale”, të pronësisë private, sipërmarrjes së lirë, sundimit të ligjit dhe të fjalës së lirë. Nuk mund të mos ekzistojë. Faktet tregojnë se po bëhemi më tolerantë, duke u martuar me njerëz të racave të ndryshme me ritme rekorde, ose se shumë pakica etnike fitojnë mesatarisht më shumë sesa të bardhët: por, për të zgjuarit e rrufeshëm, racizmi është patjetër i gjithëpranishëm.

Sipas definicionit, përparimi kurrë nuk mund të bëhet, shoqëria është po aq raciste sa ka qenë edhe më parë. Aktivistët e zgjimit besojnë se patologjitë e tilla janë tipare të pazgjidhshme të kombeve perëndimore – por, jo të atyre në pjesët e tjera të botës – edhe kur askush në mënyrë aktive nuk e diskriminon askënd. Studimi dhe puna e vështirë konsiderohet të jetë një opium i ri i masave: ndryshimi social është i pamundur për anëtarët e grupeve të “shtypura”.

Racizmi, për këta aktivistë të sfiduar në mënyrë semantike, është strukturë e padukshme e pushtetit që mund të shkatërrohet vetëm nëpërmjet revolucionit total, duke përmbysur kapitalizmin, sistemin ndërkombëtar “imperialist” dhe duke imponuar revolucionin gjinor. DEI është mjet për ta arritur këtë, duke transformuar institucionet nga brenda dhe duke shpëlarë trurin e punonjësve.

DEI është i interesuar vetëm për diversitetin racor ose gjinor. Nuk i intereson vërtet varfëria, klasa apo gjeografia. Urren shumëllojshmërinë e mendimeve; predikon mendimin grupor imbecil i cili nuk duhet të vihet kurrë në dyshim. Mohon metodën shkencore. Përkrahësit e tij më ekstremë të Amerikës Veriore, herë pas here madje e refuzojnë idenë se 2+2=4, duke pretenduar se kjo e nënkupton “supremacinë e fshehtë të bardhë”, një lloj ky i marrëzisë për të cilën do të skuqej edhe pseudo-agronomi sovjetik Trofim Lysenko [simbol i pseudo-shkencës i cili nuk besonte në gjenetikë, por në “edukimin” e bimëve, për çfarë shkaktoi zi buke në BRS – shën. i Telegrafit].

Zgjimi kërkon aderimin performues ndaj dogmës, edhe kur dukshëm është në kundërshtim me realitetin, prandaj “Homoseksualët për Palestinën” brohorasin parullat pro-Hamasit dhe pro-Lëvizjes Huti, edhe pse të dy organizatat terroriste janë brutalisht homofobike, ndërsa Tel-Avivi e shënon Paradën e Krenarisë të homoseksualëve. Eliminimi i realitetit objektiv është ëndrra e çdo tirani: qytetarët nuk mund të gjykojnë më vlefshmërinë e asaj që u thuhet.

Ideologjia e zgjimit e inkurajon diskriminimin e egër ndaj grupeve që i konsideron si shtypëse – burrat e bardhë heteroseksualë “cisgjinorë”, gratë që besojnë se gjinia nuk ndryshon dhe “të bardhët që u bashkohen”. DEI, siç praktikohet në veçanti në kampuset e ShBA-së, është tmerrësisht antisemitik duke i konsideruar hebrenjtë si grup shtypës dhe Izraelin si shtet të kolonialistëve. Pakicat e tjera të suksesshme – si aziatiko-amerikanët – po bien në telashe nga DEI-n dhe po i padisin universitetet për diskriminim; atje ku kryeson Amerika, Britania me siguri e ndjek.

Më e rëndësishmja, avokatët e zgjimit besojnë në “paanësi”, jo “barazi”. Ata nuk mendojnë se individët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë përpara ligjit, nuk e mbështesin barazinë e mundësive, nuk arrijnë të mbështesin prezumimin e pafajësisë dhe vërtet nuk besojnë në të drejtat individuale. Qytetërimi modern po e përqafon maksimën e famshme të Bonapartit “la carrière est ouverte aux talents [punët janë të hapura për të talentuarit], pa dallim lindjeje apo pasurie”.

Në vend të kësaj, DEI mbron “drejtësinë” për grupin, gjë që është njëkohësisht e padrejtë dhe e pabarabartë, bazuar në konfiskimin dhe rishpërndarjen. Njerëzit nuk kanë rëndësi, vetëm statistikat e përgjithshme. Meritat individuale nuk llogariten për asgjë: DEI i gjykon njerëzit vetëm në bazë të anëtarësimit të tyre në një fis i cili bazohet në karakteristikat racore ose seksuale. Kjo paraqet përmbysje të përparimit shekullor perëndimor drejt dinjitetit individual, refuzim i idealeve të iluminizmit dhe adaptim i serishëm i politikës grupore para-moderne.

DEI është tmerrësisht përjashtues, duke kërkuar të anulojë këdo që nuk pretendon se është dakord: përqafon inkuizicionin e përhershëm, auto-da-fé, shkishërimin dhe (në aspektin metaforik) djegien e heretikëve në kunj. Stafi “inkurajohet” të reagojë, të mbajë bexha të veçantë, të tregojë se si duan të referohen. Punonjësit ndahen në “aleatë” dhe “kundërshtarë”, “të mirët” brenda grupit përballë grupit “të keq”. Denoncohen “mikroagresorët”.

Kompanitë po kthehen tek e majta, nuk janë më të fokusuara te motivi i fitimit, por tek arritja e synimeve të politizuara. Shërbimi Civil, pasi ka hequr dorë nga paanshmëria, promovon ide të diskutueshme duke shpenzuar pasuri të tëra për skema të kota.

Pse nuk ka reaguar Rishi Sunaku? Kjo katastrofë është shpalosur gjatë 14 vjetëve të qeverisjes konservatore dhe Keir Starmer (lideri i laburistëve) do të dyfishojë gjasat për zgjedhje pas revolucionit të zgjimit. Konservatorët, tani dhe në opozitë, duhet të hyjnë në luftë me DEI-n. Duhet të zbatojnë ndalesën për të gjitha format e diskriminimit, duke përfshirë edhe ndaj burrave të bardhë. Duhet të ndalojnë dhe eliminojnë të gjitha vendet e punës të DEI-t në sektorin publik dhe në çdo universitet, muze dhe organizatë të financuar nga shteti. Duhet të nxjerrin ligje kundër kapitalit të zgjimit për të mbrojtur kapitalizmin fitimprurës. Por, tash për tani, përgatituni për gjithçka më keq e jo që gjërat të përmirësohen. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Kalo në kategori