LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi duhet të ndalojë spastrimin etnik të palestinezëve

Perëndimi duhet të ndalojë spastrimin etnik të palestinezëve

Nga: Sarah Helm, ish-korrespondente nga Lindja e Mesme dhe redaktore diplomatike e Independent-it (Titulli origjinal: Netanyahu told 1.1 million Palestinians they had 24 hours to evacuate. What is that if not ethnic cleansing?)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kërkesa e qeverisë izraelite që më shumë se një milion palestinezë të lënë shtëpitë e veta në veri të Gazës dhe të ikin në jug, ka një jehonë të tmerrshme nga e kaluara.

Kam punuar si gazetare në rajon në vitet 1990, ndërsa gjatë viteve të fundit kam kaluar shumë kohë në Gaza dhe në Izrael, duke hulumtuar historinë e 2.3 milionë refugjatëve të Gazës. Pothuajse të gjithë në Gaza janë refugjatë nga njëri prej 200 fshatrave arabe, më pas nga Palestinën jugore që u shkatërruan nga forcat izraelite në vitin 1948 – atëherë kur u krijua shteti hebraik. Ajo që ka mbetur nga disa prej këtyre fshatrave, shtrihet brenda 10 miljeve [16 kilometra] nga kufiri i Gazës. Disa refugjatë madje mund të shohin tokën e tyre përmes gardhit.


Ishte e lehtë të parashikohej faza e parë e hakmarrjes së Izraelit për mizoritë e Hamasit – bombardimet intensive ajrore të ditëve të fundit. Çdo palestinez i pafajshëm në Gaza ishte i detyruar të paguante çmimin e tmerrshëm, dhe mijëra nga ta tashmë e kanë bërë këtë.

Megjithatë, këtë herë nuk parashikova se Perëndimi jo vetëm që do të lejonte që kjo të ndodhte – siç ka bërë disa herë më parë – por, se do të brohoriste për Izraelin duke dërguar armë dhe duke premtuar mosndëshkim nga ligji ndërkombëtar, duke i braktisur palestinezët në gjendjen e tyre të rëndë.

Me dritën e gjelbër nga aleatët e Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu të premten deklaroi se 1.1 milionë banorë të Gazës do të “evakuohen” nga veriu për në jug të Gazës. Netanyahu dëshiron që ne të besojmë se shqetësimi i tij kryesor është të mbajë civilët jashtë rrezikut – gjatë pushtimit të pritshëm tokësor nga veriu, që me sa duket është mënyra se si ai planifikon të “shpartallojë” përfundimisht Hamasin. Pretendimet e tilla boshe – në kohën e shkrimit, 1 800 palestinezë veçse janë vrarë – bëhen me shpresën e imunizimit të Izraelit kundër akuzave për krime lufte. Drejtimi i një milion njerëzve në jug, do të shkaktojë gjithnjë e më shumë tmerr, ndërsa të gjithë ne tashmë e dimë se nuk ka vend të sigurt për civilët – për të ikur apo për t’u strehuar.

Kur forcat izraelite “spastruan” fshatrat aty pranë, në vitin 1948, procesi filloi me të njëjtën luftë psikologjike që shohim sot, me paralajmërimet për të ikur, me hedhjen e fletëpalosjeve dhe kërcënimet se çfarë do të mund të ndodhte nëse këtë nuk e bëjnë. Më përgjithësi, fshatarët u granatuan përpara se trupat tokësore të hynin; u vranë shumë civilë dhe pati masakra. Fshati zakonisht ishte i rrethuar, me një dalje të lënë të hapur për palestinezët që të iknin. Të mbijetuarit përfundimisht shkuan në Rripin e Gazës, pasi u konsiderua si zonë e sigurt. Rezoluta 194 e Kombeve të Bashkuara, e miratuar në dhjetor 1948, ua dha atyre të drejtën për t’u kthyer. Izraeli e refuzoi.

Nëse Netanyahu vazhdon me planin e tij të “evakuimit”, historia dhe ngjarjet në terren tregojnë se pas paralajmërimeve dhe bombardimeve që tashmë po shohim, refugjatët do të ikin, siç bënë në vitin 1948. E vetmja dalje e mundshme për ta është për në Egjipt. Edhe pse Egjipti është fuqimisht kundër pranimit të refugjatëve, duke e ditur se do të bashkëpunonte në spastrimin e përhershëm etnik, kjo gjë mund të ndryshojë nëse përshkallëzohet kriza humanitare në kufijtë e saj. Nëse gazanët vërshojnë vërtet në Sinai, ata mund të mos lejohen të kthehen.

Janë të mëdha rreziqet për Netanyahun, kjo jo vetëm për shkak të pengjeve izraelite brenda Gazës. Por, duke qenë se e ardhmja e tij politike duket pothuajse e përfunduar, ai mund të llogarisë se nuk ka asgjë për të humbur. Dhe, e djathta izraelite prej kohësh ka bërë presion për të dëbuar popullsinë e Gazës për në Sinai.

Me fjalë të tjera, nëse Perëndimi dhe akterët e tjerë me ndikim nuk do të lëvizin për ta ndalur këtë “evakuim”, një proces i spastrimit etnik mund të jetë duke filluar, duke sjellë me vete rreziqet e një shpërthimi rajonal.

Ashtu si me dëbimet e Izraelit në vitin 1948, udhëheqja e sotme më pas do të projektojë një narrativë duke thënë se nuk ka të ardhme të sigurt për Izraelin, nëse e gjithë popullsia e Gazës nuk dëbohet përgjithmonë. Më pas do të fillojnë negociatat nëse refugjatët kanë të drejtë të kthehen në Gaza, që tashmë është një vend ekzili.

Ky skenar mund të tingëllojë tepër apokaliptik, por siç shumë mirë e dinë refugjatët palestinezë, nuk është ashtu. Izraeli prej kohësh ka shpresuar se do të harrohet historia e spastrimit etnik të fshatrave palestineze më 1948. Që në ditët e para të krijimit të vitit 1948, Izraeli krijoi narrativën e vet të atyre ngjarjeve, duke pretenduar se palestinezët u larguan nën urdhrat e udhëheqjes arabe. Kur u përpoqën të ktheheshin në fshatrat e veta, pas luftës, u etiketuan “të infiltruar” dhe më pas “terroristë”.

Qëkur Izraeli dhe Egjipti bllokuan Gazën më 2006-‘7, duke e shkëputur atë nga bota, Izraeli kishte arsye të shpresonte se historia e 1948-ës gjithashtu do të mbetej e fshehur. Arkivat janë bllokuar dhe mbetjet e fundit të fshatrave janë shkatërruar. Por, shumë gazanë sot jo vetëm që e kujtojnë 1948-ën, por ndihen sikur janë kthyer në të.

Kam folur me miq brenda rripit të cilët thonë se janë të vendosur të mos çrrënjosen për herë të dytë dhe se më mirë do të qëndronin në shtëpitë e veta dhe të vdisnin atje.

“Nuk do të lëviz. Do të më vrasin në shtëpinë time, me familjen time”, më tha nëna Adalah, e cila jeton në Gazën qendrore. Shtëpia e tyre ndodhet pranë plazhit, me pamje nga deti, ku patrullojnë varkat me armët izraelite. Adalah më tha se kishte mbledhur gjithë familjen e saj në shtëpi, që të mund të vdisnin së bashku. /Telegrafi/