LAJMI I FUNDIT:

A është kjo dita më e rëndësishme për Kurtin dhe Vuçiqin, të pranohet plani i BE-së, apo do të ketë sanksione?

A është kjo dita më e rëndësishme për Kurtin dhe Vuçiqin, të pranohet plani i BE-së, apo do të ketë sanksione?

Në orët e pasdites kryeministri i Kosovës Albin Kurti pritet ta ketë takimin më të rëndësishëm të tij në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky takim në selinë e Bashkimit Evropian do të jetë ‘PO’ ose ‘JO’ ndaj propozimit që fillimisht njihet si plani franko – gjerman.


Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, fillimisht pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas kësaj pritet të jetë takimi i përbashkët, Borrel e Lajçak me Kurtin e Vuçiqin.

Se a do të ketë shtrëngim duarsh, konferencë të përbashkët apo vetëm nga konference nga shefi për politikë të jashtme Borrel deri tash ende nuk dihet.

Thirrja amerikane dhe letra e liderëve kryesorë të BE-së

Para takimit të dy liderët e dy shteteve kanë zhvilluar bisedime me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka thënë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti përpara takimit të liderëve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, ka shkruar Chollet.

Ai pas kësaj ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Pak para takimit Kurti ka pranuar edhe një letër nga tre liderët kryesorë të Bashkimit Evropian.

Në fakt kanë qenë kancelari gjerman, presidenti francez dhe kryeministrja italiane që i kanë shkruar Kurtit para takimit të sotëm.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Opozita në Kosovë e ka kritikuar qasjen e kryeministrit në dialog duke thënë se e ka larguar nga marrëveshja njohjen reciproke duke u fokusuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjithashtu opozita në Serbi e ka kritikuar Vuçiqin që ai ka marrë garancinë por vetëm për vetën.

Sipas tyre Vuçiq ka pranuar garanci për planin franko-gjerman.

‘Ka pranuar garancinë, por për veten. Përkrahje për qëndrim në pushtet deri kur marrëveshja të zbatohet…’, ka deklaruar Zdravko Ponosh ish kandidat për president i opozitës në Serbi.

Ndryshe ka pasur paralajmërime se negociatorët kanë qenë të drejtpërdrejtë me Kurtin e Vuçiqin duke edhe paralajmëruar edhe sanksione politike dhe bllokim të rrugës evropiane për dy vendet nëse nuk e pranojnë planin e BE-së.

Ajo çka pritet të ndodh sot do të jetë e rëndësishme për të ardhmen e dy vendeve dhe dy liderëve në të njëjtën kohë./Telegrafi/