“Kultura shqiptare në RMV ka pësuar ndryshime pozitive viteve të fundit”, intervistë me Jeton Pustina
Intervistoi: Aroma Aliti
Ai njihet si një nga muzikantët më të suksesshëm në Maqedoninë e Veriut. Rrugëtimi i tij në sferën kulturore nisi më shumë se 30 vitesh më parë dhe vazhdon ende. Duke filluar si fëmijë në një nga shoqëritë kulturore artistike më të vjetra në vend e ashtuquajtur “Xheladin Zeqiri” dhe deri më sot ku ai është kryetar i kësaj shoqërie.
Sot, Jeton Pustina dirigjon një numër të madh të artistëve të rinj dhe për këtë fakt ai ndjehet krenar sepse sipas tij puna e tij ka marrë vlerësimin maksimal. Në intervistë për Telegrafi Maqedoni, Jetoni tregon se kultura shqiptare në RMV ka pësuar ndryshime të mëdha pozitive, por sipas tij ndryshimi më rrënjësor do të ishte nëse në Ministrinë e Kulturës ose institucionet tona kulturore do të delegonim njerëz që me të vërtetë e duan kulturën.
Ndërkaq, ai rrëfen gjithashtu për festivalet ku ai së bashku me nxënësit e tij kanë qenë pjesëmarrës dhe veçon disa nga ato si më të njohura. Ndër festivalet më të njohura evropiane ku ai ka udhëhequr shoqërinë” Xheladin Zeqiri” kanë qenë “Ballkan Trafik” në Bruksel, “Karnavali i Kulturave” në Berlin, festivalet ndërkombëtare në Büyükçekmece dhe Bursa të Turqisë.
Me pak fjalë si do ta përshkruanit karrierën tuaj deri më sot?
Me pak fjalë karrierën time do ta përshkruaja si një rrugëtim të nisur para më shumë se 30 vitesh, rrugëtim me shumë suksese dhe i cili sot e kësaj dite vazhdon. Gjatë këtyre viteve kam përjetuar shumë momente të bukura, koncerte, festivale, inçizime, udhëtime dhe ngjarje të paharruara. Si në aspektin shpirtëror por edhe në atë profesional mendoj se jam i përmbushur, por në të njëjtën kohë edhe shumë i bindur se ende kam për të dhënë. Ndjehem krenar që puna ime ka marrë vlerësim maksimal nga bashkëqytetarët e mi por edhe nga personalitete të shumta dhe institucionet kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.
Çfarë mund të thoni për eksperiencën tuaj si kryetar në Shoqatën Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri” dhe faktin që punoni me një numër të madh të artistëve të rinj?
E gjithë ecuria ime profesionale është e lidhur ngushtë me Shoqërinë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”. Kam filluar si fëmijë me shfaqe teatrale, kam vazhduar si instrumentistë në orkestrën popullore, kam dirigjuar korin dhe orkestrën, kam qenë disa vite udhëheqës artistik dhe së fundmi edhe kryetar i saj. Me një fjalë i kam kaluar të gjitha nivelet dhe jam krenar që tani e udhëheq këtë shoqëri shqiptare ndër më të vjetrat në vend dhe e cila është brendi kulturor i qytetit tonë dhe jo vetëm. Nuk është aspak e lehtë të udhëheqësh një Shoqëri ku kontributi i anëtarëve është mbi baza vullnetare dhe ku mungon përkrahja financiare e cila nuk është e kënaqshme si nga pushteti lokal poashtu edhe nga ai qendror duke na financuar ose ndihmuar vetëm sa për të “marrë frymë”. Sa i përket pyetjes tuaj do ju thuaja që puna me të rinjtë është përgjegjësi shumë e madhe por në të njëjtën kohë edhe kënaqësi. Unë këtë e konsideroj si një mision që mendoj se përfundoi me dinjitet, fundja ua kemi borxh të rinjve por e kemi obligim edhe ndaj qytetit tonë. Tetova ka fëmijë shumë të talentuar, ata kryesisht janë nxënës të shkollës së muzikës dhe të cilët në shoqërinë tonë kanë gjetur një dritare të hapur për të treguar talentin dhe aftësitë e tyre artistike.
A mendoni se Maqedonia e Veriut ju jep mbështetjen e duhur artistëve në përgjithësi?
Mendoj se mbështetja për artistët dhe subjektet kulturore joqeveritare në Maqedoninë e Veriut len për të dëshiruar por është edhe një fakt tjetër pozitiv që vitet e fundit kultura shqiptare fillon të institucionalizohet nëpër shumë qytete siç është rasti me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve në Shkup, Ansamblit Muzikor në Tetovë, me teatro, galeri, shkolla muzike etj. Mendoj se problemi më i madh tek ne është përzgjedhja e kuadrove joprofesionale dhe joautoritative në postet udhëheqëse si në Ministrinë e Kulturës dhe në komisionet atje, në sektorët për kulturë të komunave tona si dhe në drejtori të ndryshme. Ky fenomen ndodh ndër vite dhe duhet të gjithë ta luftojmë.
Nga të gjitha festivalet ku keni qenë pjesëmarrës, cilin do e veçonit si më të suksesshëm?
Kemi marrë pjesë në shumë festivale dhe koncerte të cilat sigurisht nuk kam asnjë mundësi ti përmbledh në një intervistë, por ndër festivalet më të njohura evropiane ku e kam udhëhequr shoqërinë” Xheladin Zeqiri” kanë qenë “Ballkan Trafik” në Bruksel, “Karnavali i Kulturave” në Berlin, festivalet ndërkombëtare në Büyükçekmece dhe Bursa të Turqisë. Gjithashtu jemi paraqitur edhe në festivale në Bullgari, Shqipëri, Zvicër, Kosovë, Bosnje, Mal të Zi etj. Kemi bashkëpunim shumëvjeçar me Qendrën për Veprimtari Folklorike të Republikës së Shqipërisë ku kemi prezantuar këngët dhe vallet tona tipologjike në Kavajë, Shkodër, Lushnje, Peshkopi, Berat, Elbasan, Kukës, Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Bajram Curr, Ersekë dhe Korçë. Gjithashtu nuk kanë munguar prezantimet edhe në Kosovë si në Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Viti, Rahovec, Prishtinë, Kaçanik dhe Kamenicë. Jemi pjesëmarrës të rregullt në manifestimet dhe koncerte dhe festivale të organizuara në qytetet tona Strugë, Kërçovë, Dibër, Gostivar, Shkup, Kumanovë, Manastir dhe sigurisht në qytetin tonë, në Tetovë.
A priten ndryshime të reja kulturore në Maqedoninë e Veriut?
Ndryshimet vazhdimisht ndodhin, mendoj se shkojnë nga e mira por ndryshimi më rrënjësor do të ishte kur edhe në Ministrinë e Kulturës ose institucionet tona kulturore do të delegonim njerëz që me të vërtetë e duan kulturën, janë të rritur në ambiente me kulturë, kanë autoritet tek komuniteti artistik, nuk e trajtojnë kulturën si biznes për përfitime personale, nuk vuajnë nga komplekset dhe mbi të gjitha rrjedhin nga familje me tradita në arsim dhe kulturë. Por nëse bëjmë krahasimin e para 20 viteve dhe tani, lirisht mund të them se në kulturën shqiptare tek ne kanë ndodhur ndryshime pozitive dhe investime të shumta të cilat nuk guxojnë të ndalen. Mendoj se me themelimin e teatrove për fëmijë si institucione të pavarura ose në kuadër të teatrove ekzistues do të investohej që në të ardhmen të kemi publik elitar dhe të edukuar në aspektin kulturor.
Për fund ai i drejtohet rinisë me mesazhin që të jenë aktiv sa më shumë në jetën kulturore dhe atë sportive duke anashkaluar mundësitë për të qëndruar shumë nëpër rrjetet sociale.
Çfarë mesazhi do i jepnit rinisë?
Mesazhi im për rininë do të ishte i njëjti që ua them çdo ditë nxënësve të mi, të jenë sa më shumë aktiv në jetën kulturore dhe atë sportive, sa më pak kohë të harxhojnë në rrjetet sociale, ta bëjnë shprehi leximin dhe sigurisht mos i lënë anash edhe kënaqësitë tjera. Mua më bëhet shumë qejfi nga fakti se nuk ka familje tetovare që nuk donë që ndonjë fëmijë i tyre të jetë pjesë e shoqërisë tonë duke na sjellë edhe telashe të lezetshme, them telashe sepse nuk kemi mundësi ti pranojmë të gjithë ngase kushtet ku funksionojmë nuk na lejojnë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A