LAJMI I FUNDIT:

Kurti përkujton Fehmi Aganin: Humanist dhe politikan racional, i vrarë nga policia serbe

Kurti përkujton Fehmi Aganin: Humanist dhe politikan racional, i vrarë nga policia serbe

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se teksa e përkujtojnë jetën dhe veprimtarinë e Fehmi Aganit, e ritheksojnë përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për të zbardhur para drejtësisë dhe historisë, krimet e Serbisë të kryera në Kosovë, siç është edhe vrasja e Fehmi Aganit.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pjesëmarrës në shumë procese shoqërore e politike dhe hartues i shumë dokumenteve me rëndësi historike, Profesor Fehmi Agani la pas edhe një trashëgimi të pasur shkrimesh e veprash për teoritë sociologjike, shoqërinë civile, demokracinë, kombin, vetëvendosjen, rrymat politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, për gjuhën e dhunës, sindikatat gjermane dhe një mori temash të tjera sociale e politike”.


Postimi i plotë i Kurtit:

“Për kujtim të Fehmi Aganit, në 23 vjetorin e vrasjes së tij

Ai ishte njeriu i cili pati kurajo që më 30 dhjetor 1991, kur policia serbe për herë të parë sulmoi familjen Jashari në Prekaz dhe arrestoi edhe Shaban Jasharin, shkoi të ndërmjetësonte me policinë për ta hequr rrethimin. I diplomuar në filozofi, i magjistruar në shkenca politike dhe i doktoruar në sociologji, Profesor Fehmi Agani (1932 – 1999), rezulton të jetë një nga figurat me profilin më shumëdimensional në historinë tonë politike. Kudo dhe kurdo që veproi, Profesor Agani ruajti autenticitetin e mendimit të tij politik, duke e përshtatur dhe përshfaqur atë në përputhje me rrethanat historike dhe kërkesat e kohës.

Në mesin e mijëra shqiptarëve që forcat e Serbisë po i deportonin me trena nga Kosova në pranverën e vitit 1999, ishte edhe ky burrë i urtë 67 vjeçar, që po jetonte dramën e popullit të tij sikur secili njeri që atë ditë, më 6 maj 1999, kishte qëlluar në trenin ku ishte edhe ai. Megjithëse treni arriti deri në kufi me Maqedoninë, policia serbe e ktheu atë sërish në Fushë-Kosovë, ku pasi zbriti të dëbuarit, disa prej tyre i arrestoi. Ndër ta edhe atë, akademikun dhe politikanin Fehmi Agani. Të nesërmen, ai u gjet i vrarë ndanë një rruge në afërsi të Lipjanit. Sot, bëhen 23 vjet nga dita kur u vra Fehmi Agani! Ky eliminim kriminal, u krye nga policia serbe në rrethana edhe sot të pasqaruara plotësisht.

I lindur në Gjakovë më 23 janar 1932, Fehmi Agani e nisi aktivitetin e tij politik që në rini si antifashist dhe e përmbylli po duke luftuar fashistët, bartës të fashizmit serb. Pas punës si profesor në shkolla të mesme në Gjakovë dhe Prishtinë, ai vazhdoi si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Më 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, kurse më pas ushtroi detyrat e prodekanit dhe dekanit në Fakultetin Filozofik, para se të diferencohej politikisht në Universitetin e Prishtinës, ku ai vetë kishte themeluar Katedrën e Filozofisë dhe Sociologjisë si dhe Institutin e Sociologjisë. Veçanërisht nga vitet ‘80-të e më pas, ky profesor i cili nga vitet ‘60-të e tutje kishte ligjëruar edhe për teoritë filozofike, sociologjike dhe politike, leksionet e tij universitare, i përktheu në ligjërime politike publike. Nënkryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Fehmi Agani dinte të bënte një figurë të mirë në publik, prej profesori të ditur, intelektuali humanist dhe prej politikani racional. Pjesëmarrës në shumë procese shoqërore e politike dhe hartues i shumë dokumenteve me rëndësi historike, Profesor Fehmi Agani la pas edhe një trashëgimi të pasur shkrimesh e veprash për teoritë sociologjike, shoqërinë civile, demokracinë, kombin, vetëvendosjen, rrymat politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, për gjuhën e dhunës, sindikatat gjermane dhe një mori temash të tjera sociale e politike.

Teksa e përkujtojmë jetën dhe veprimtarinë e tij, e ritheksojmë përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për të zbardhur para drejtësisë dhe historisë, krimet e Serbisë të kryera në Kosovë, siç është edhe vrasja e Fehmi Aganit”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori