LAJMI I FUNDIT:

Rihapja e terminalit doganor në Trepçë, vendimi për dhënien e vaksinës te fëmijët 12-15 vjeç dhe deklarata e Ramës për kërkim faljen nga Serbia – top lajmet e javës

Rihapja e terminalit doganor në Trepçë, vendimi për dhënien e vaksinës te fëmijët 12-15 vjeç dhe deklarata e Ramës për kërkim faljen nga Serbia – top lajmet e javës

 Javën që po lëmë pas është hapur terminali doganor i Trepçës në Mitrovicë, ndërsa ky terminal është rihapur pas shtatë vjetësh.

Po javën që lamë pas Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech, me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.

Të enjten, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte për vizitë në Beograd, ndërsa deklarata e tij se kërkim-falja nga Serbia vjen në fund, për t’i vënë kapakun përfundimisht dialogut ka ngjitur reagime.


Rihapet pas 7 vjetësh terminali doganor i Trepçës

Pas shtatë vjetësh është rihapur terminali doganor i Trepçës në Mitrovicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vitin 2014 padrejtësisht Trepçës i është privuar kjo hapësirë.

“Nga viti 2003 deri në vitin 2014, terminali doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës. Padrejtësisht edhe çuditërisht kjo hapësirë i është privuar Trepçës për terminal doganor dhe i është dhënë një privati jashtë zonës së Trepçës, e ç’rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune. Në këtë mënyrë kanë humbur bizneset, ka humbur Trepça dhe ka fituar një privat”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, asokohe 24 punëtorë kishin mbetur papunë kur e patën nxjerr jashtë kësaj hapësire këtë terminal.

“Shtatë vjet më vonë, ne po e bëjmë këtë hapje në hapësirën e Trepçës, po e rikthejmë atë që gjithmonë i ka takuar Trepçës, e në këtë mënyrë po e korrigjojmë një dëm të bërë para shtatë vjetësh. Asokohe 24 punëtorë kishin mbetur papunë kur e patën nxjerr jashtë kësaj hapësire terminalin”, ka shtuar ai.

Ndërsa, drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu hapja e këtij terminali është mjaftë i rëndësishëm për bizneset.

“Sot rihapet terminali doganor i Trepçës. Kjo është shumë me rëndësi për ekonominë, për arsye ndihmon bizneset dhe qytetarët që ofron çmime më të lira, po ashtu është atraksion për investimet e huaja”, tha Llugaliu.

Ky terminal kishte operuar nga viti 2003 deri në vitin 2014. Ditë më parë, drejtori Llugaliu kishte nënshkruar kontratën për hapjen e këtij terminali.

“Nënshkrova një marrëveshje me kryeshefin e Trepçës për rifunksionalizimin e Terminalit Doganor në Mitrovicë, siç është operuar edhe më herët në pronën e Trepçës. Kjo është një arritje e rëndësishme për shkak se pagesat që bëhen në terminalet private prej 40 eurosh, ta rikthejmë në një pagesë simbolike, gjithashtu kjo adreson edhe një problem me vite që është përsëritur si sfidë e të bërit biznes në raportin e Progresit të Komisionit Evropian”, kishte deklaruar ai.

Ministria e Shëndetësisë miraton dhënien e vaksinës Pfizer BioNTech te fëmijët 12-15 vjeç

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech, me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.

MSH në njoftimin e bërë për media thotë se, vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor.

“Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grupmoshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjor nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse. Ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA, FDA, CDC, dhe në praktikat e shumë shteteve të cilat deri tash kanë arritur shkallë të konsiderueshme të vaksinimit të fëmijëve të kësaj moshe me vaksinën kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

Më tej, MSH thotë se “përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të papërfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi”.

“Ministria e Shëndetësisë rikujton se deri tash ka qenë i lejuar vaksinimi i grup-moshës 12-15 vjeçe me indikacione shëndetësore dhe i të gjithë qytetarëve të moshës mbi 16 vjeç. Ministria i inkurajon prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër COVID-19, si mënyrën më të sigurt për parandalimin e infeksionit COVID-19 në mesin e fëmijëve”, thuhet në njoftim.

Dialogu Kosovë-Serbi, Rama: Kërkim-falja nga Serbia vjen në fund, për t’i vënë kapakun përfundimisht dialogut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të mërkurën dhe të enjten ka qëndruar për vizitë në Beograd, ndërkaq gjatë bashkëbisedimit me gazetarë ka thënë se kërkim-falja nga Serbia për Kosovën vjen pasi të përfundojë dialogu mes dy shteteve.

Rama mori shembull rastin e Gjermanisë e Francës, duke thënë se as Gjermania nuk kishte kërkuar falje pas Luftës së Dytë Botërore.

“Ju keni dëgjuar që është thënë se Serbia duhet të kërkoj falje, dhe jam shumë dakord, dhe mendoj se është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që duhet të zgjidh të gjitha çështjet dhe t’i japi zgjidhje njohjes së Kosovës nga Serbia”, ishte shprehur Rama.

Tutje, ai tha se “Aty ku dalloj unë me ata që ma kanë vënë përpara faljen, për të më treguar se sa jam unë tradhtar, unë u them se falja vjen në fund, nuk mund të vij në fillim”.

“Nuk ka ardhur kërkesa e faljes së Gjermanisë në 1945, ka ardhur në 1969, dhe deri atëherë Gjermania e Franca kanë bërë gjithçka përveçse kanë arritur paqen përfundimtare dhe e kanë filluar saktësisht siç po ndodh me Ballkanin e Hapur”, kishte thënë Rama.

Duke folur për Ballkanin e Hapur, Rama ka deklaruar se kjo nismë nuk ndikon në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ky proces nuk interferon me dialogun e domosdoshëm mes Serbisë e Kosovës, por në këndvështrimin tim e lehtëson dialogun, dhe bën atë që ka bërë një proces shumë i ngjashëm një proces shumë i ngjashëm mes Gjermanisë e Francës”, tha kryeministri i Shqipërisë. /Telegrafi/