LAJMI I FUNDIT:

Sillini në Tiranë eshtrat e Hasan Prishtinës!

Sillini në Tiranë eshtrat e Hasan Prishtinës!
Ilustrim

Roland Qafoku

Më 14 gusht në Shqipëri dhe në trevat shqiptare u përkujtua vrasja e Hasan Prishtinës 88 vjet më parë në Selanik të Greqisë. Disa personalitete me të drejtë bënë deklarata nderimi për një nga figurat më të ndritura, më me kontribut dhe më me produktivitet për çështjen kombëtare.


Një politikan që shkriu pasurinë e vet për kombin, që niste që nga shkollimi me paratë e tij të djemve në universitetet e botës. Një politikan që luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare. I pari shqiptar i Kosovës si kryeministër i Shqipërisë e të tjera kontribute që duhet t’i njihen me të drejtë. Por, habia ime, duke qenë se kjo figurë ka qenë pjesë e studimeve të mia, është se përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar nuk po bëjnë një gjë fare të vogël për ta nderuar denjësisht kujtimin e tij.

Varri aktual i Hasan Prishtinës ndodhet në Kukës. Pas vrasjes, më 15 gusht 1933, Hasan Prishtina u varros në Selanik. Pas 44 vjetësh, ai u zhvarros dhe më 6 dhjetor 1977 u varros në Kukës dhe varri ende ndodhet atje. Personalisht nuk e kam kuptuar asnjëherë arsyen pse e varrosën në Kukës duke mos qenë as nga ajo zonë. Për më tepër që figura e Hasan Prishtinës është figurë kombëtare dhe jo lokale.

Do të ishte në nderin e autoriteteve qeveritare që eshtrat e Hasan Prishtinës të varroseshin në Varrezat e Kombit në Tiranë. Kjo do ishte shenja e parë se shteti ynë jo vetëm nuk i harron ata që kanë dhënë jetën për këtë shtet, por edhe i nderon denjësisht. Unë këmbëngul se ngritja e një panteoni me të gjithë figurat sipërore të kombit do ishte një nderim po sipëror për ta.

Ky do ishte një nga projektet më serioze në nderim të asaj aradhe patriotësh dhe shtetarësh që kanë kontribuar për këtë komb dhe që kërkon angazhim, kohë por edhe para. Gjithsesi, duhet të niset nga disa punë të vogla, por me vlerë të madhe: Sillini në Tiranë eshtrat e Hasan Prishtinës!