“Odiseja” e Homerit ka kryesuar sondazhin e BBC Culture, për 100 tregime që ndryshuan botën. Natalie Haynes analizon se pse kjo poemë epike u ka mbijetuar mijëvjeçarëve, transmeton Telegrafi.
Nëse ka ndonjë tregim që mund të konsiderohet si rrëfenja më e madhe e thënë ndonjëherë, “Odiseja” e Homerit i ka gjasat më të mira se shumica. E gjatë 24 libra e me më shumë se 12,000 rreshta të vargut hekzametër (forma poetike e përdorur në epikën greke dhe pastaj në epikën latine) vazhdon aventurat e heroit dinak e të komplikuar grek, Odisesë, pas Luftës së Trojës. “Odiseja” është vlerësuar si pikë kulmore kulturore e mijëvjeçarit: në shekullin e V p.e.s., dramaturgu athinas Eskili i referohej tragjedive të tij si “rriskë nga gostia e Homerit.”
Shkrimtarët, që nga Dante e deri te James Joyce dhe Margaret Atwood, janë frymëzuar nga kjo histori origjinale e kërkimit. Por, kërkimi i Odisesë në vetvete duket si problem pothuajse i zakonshëm, i rrethuar nga perënditë dhe përbindëshat që zënë vend në poemë. Sepse, nuk është lundrim për të gjetur diçka të mrekullueshme dhe të re (leshin e artë për shembull, ose një vend të pazbuluar). Bëhet fjalë për një burrë që përpiqet të kthehet në shtëpi në fund të një lufte dhjetëvjeçare.
Kjo sigurisht është arsyeja se pse poema mbetet kaq e rëndësishme për kulturën tonë sot, 2700 vjet pasi ishte shkruar (në shekullin e VIII-të p.e.s. ose ndoshta të VII-të p.e.s.). Është një tregim njëkohësisht i madh dhe intim, me shtrirje të gjerë e me vëmendje te detajet më të vogla (lulet që rriten jashtë shpellës së Kalipsos, butësia e leshit të deleve të Ciklopit). Është histori që shtron pyetje rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh burrë, veçanërisht pasi është zhveshur nga konteksti që e ka përcaktuar më parë: Odiseja është burrë larg gruas së tij, baba që nuk e rriti djalin e tij, një luftëtar lufta e të cilit ka mbaruar, një mbret i cili është larg nga mbretëria e tij, udhëheqës të cilit të gjithë burrat i vdesin, një kurorëshkelës që është lodër e perëndeshave dhe një djalë nëna e të cilit vdes nga zemra e thyer meqë beson se ai është i vdekur. Ai është një lundërtar, një pirat, një aventurier, një refugjat…
Poema gjithashtu kërkon që audienca të marrë parasysh natyrën e tregimit, pasi gënjeshtra, ekzagjerimet dhe rrëfenjat e gjata ballafaqohen me njëra-tjetrën në një shtrirje të copëzuar kohore. Historia e Odisesë rrëfehet me shkallë të ndryshme të saktësisë nga ai vet, nga bardët që këndojnë vargjet epike siç bënte Homeri, e madje edhe nga Odiseja i maskuar si bard duke trilluar gënjeshtra për qëllimet e tij. Kur Odiseja dëgjon këngën e Sirenës, në Librin 12, ai është i vetmi në ekuipazh që mund t’i dëgjojë ato. Njerëzit e tij i kanë mbyllur veshët me dyllin e zbutur të bletëve, sepse kënga e Sirenës është vdekjeprurëse dhe i josh njerëzit drejt vdekjes së tyre.
Odiseja është i dëshpëruar që të mos humbasë asnjë pjesë të aventurës së tij, saqë burrat e tij e lidhin në direkun e anijes që të mund të dëgjojë po jo të lëvizë. Flet për një audiencë të robëruar. Dhe, sirenat po ashtu e dinë udhën drejtë zemrën e tij: ato e quajnë ‘poluain’ – shumë të vlerësuar. Nuk kemi asnjë dyshim se Odiseja është heroi i shumë tregimeve dhe se është fat i mirë i joni që ta ndjekim përmes ksaëj strukture të veçantë të aventurave fantastike.
“Odiseja” mbulon periudhën 10-vjeçare që i duhet Odisesë për t’u kthyer në shtëpinë e tij, nga Troja në Itakë. Por, fillon afër fundit të vitit të 10-të, pasi Odiseja pret në Ogigji, në ishullin ku jeton nimfa Kalipso në shtatë vitet e fundit, duke vështruar detin dhe duke dëshiruar që ai të mund të kthehet në shtëpi. Tri vitet e para të udhëtimit e sollën në kontakt me kanibalët me një sy, të varurit nga droga, gjigantët vrasës, sirenat vdekjeprurëse, shtrigën, dhe të tmerrshmet Skilla dhe Karibda. Të gjitha këto aventura thuhen në një kthim mbrapa në kohë. Ne gjithashtu arrijmë të ndjekim dy linja tjera të rrëfimeve, teksa ndjekim gjurmët e Penelopës (gruas së Odisesë që ka kohë që vuan) dhe gjurmët e lëvizjes së të voglit Telemako (biri i tyre i papjekur).
Ndoshta aventura më e famshme e Odisesë shfaqet në Librin 9, kur ai dhe burrat e tij mbërrijnë në ishullin e Ciklopëve. Polifemi – një gjigant me një sy e me një oreks për mishin e njeriut – e vë në kurth Odisenë dhe njerëzit e tij brenda shpellës së tij. Ai thërret emrin e Odisesë, sepse i pëlqen të dijë se kush do të hahet më vonë. Odiseja i thotë se është Odisi – Askushi. Odiseja e deh Polifemin dhe ia nxjerr syrin me shkop të mprehtë. Kjo ishte siguri se Ciklopi nuk do të jetë i aftë për të ngrënë heroin tonë. Por, ai nuk është aq i paaftë që të mos heq shkëmbin e madh që mbyll hyrjen në shpellën e tij (kështu, delet e tij mund të dalin ditën tjetër jashtë) duke i lejuar Odisesë të realizojë ikjen e tij. Kur Ciklopi ulërin se Askushi po e lëndon, banorët e ishullit injorojnë zhurmën. Nëse Askushi po e dëmton atë, atëherë është e qartë se s’ka gjë që ata mund të bëjnë.
Është në natyrën e Odisesë të gënjejë: ndërtimi i një identiteti artificial ose e kaluara e trilluar është diçka që ai e bën me lehtësi dhe shumë shpesh gjatë poemës. Por, teksa largohet nga gjigandi i verbuar, ai nuk mund të rezistojë të tregojë emrin e tij, kështu që Polifemi do ta dijë se është qëlluar nga askush tjetër përveç se Odisesë së famshëm. Mirëpo, nuk i binte në mend se Polifemi mund të ketë miq në nivelet e larta. Apo më mirë, në nivelet e ulëta: Polifemi del të jetë biri i Posejdonit, perëndisë së detit. Nëse e bën rrugën në shtëpi me anije, Posejdoni është me të vërtetë perëndia i fundit që dëshironi ta keni armiq (edhe pse Odiseja ka përkrahje pothuajse të vazhdueshme nga ndihmësja e tij hyjnore, Athina).
Elementet fantastike të “Odisesë” e kanë bërë atë burim frymëzimi për shkrimtarët në pothuajse çdo fushë. James Joyce e përdori si bazë për “Uliksin” (emri latin për Odisenë). Margaret Atwood shkroi “Penelopiadën” e cila analizon kthimin e dhunshëm të Odisesë nga perspektiva e gruas së tij. Fëmijët në vitet 1980 e shikuan filmin e vizatuar franko-japonez të quajtur “Uliksi 31”, që ndjek aventurat e Uliksit dhe Telemakut në hapësirë. Fëmijët në vitin 2018 mund të luajnë “Super Mario Odisenë”, në të cilën heroi titullar kërkon të shpëtojë Princeshën Pjeshkë nga martesa e detyruar me Bouserin. Është pikërisht bashkimi i tillë që Penelopa e kishte frikë, pasi vonon shumë kërkuesit e dorës së saj te “Odiseja”, duke shpresuar se dashuria e saj e vërtetë do të kthehet para se të detyrohet të martohet me dikë tjetër. Mario udhëton në një anije të bërë nga një kapelë gjigante, e cila nuk është tamam homerike, por paralelet tjera sigurisht janë atje.
Seriali më i fundit i “Prison Break” (Ikja nga burgu) ishte shkruar qartas nga adhuruesit e Odisesë: Michael Schofield është mbajtur për shtatë vjet në një burg me emrin Ogigjia (emri i ishullit të Kalipsos dhe kohëzgjatja e njëjtë burgimit, edhe pse Odiseja kalon kohë më interesante sesa Schofield). Ai madje ka adoptuar edhe pseudonimin e Odisesë, Odis, dhe para përfundimit të serisë lufton një agjent të koduar me emrin Poseidon, ndërsa verbon njeriun me një sy. E, teksa Çihiro shikon që prindërit e saj tek hanë shumë dhe kthehen në derra, në filmin klasik të vitit 2001 nga Hayao Miyazaki, “Spirited Away” (Aventurat e Çhiros, një përkthim i mundshëm – v.j.), mund të mendojmë vetëm tek Çirçe që i kthen njerëzit e Odisesë në derra në të njëjtën mënyrë.
“Odiseja” është një epike me thellësi, me detaje dhe kompleksitet të tillë sa që çdo lexues mund të gjejë diçka të re në poezinë e tij dhe çdo shkrimtar mund të marrë frymëzim nga ky tregim. Në 2700 vitet e tjera, kjo do të vazhdojë të jetë e vërtetë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje