LAJMI I FUNDIT:

Shefqet Hoxha – Sheki: Pesëdhjetë vjet me kitarë në dorë

Shefqet Hoxha – Sheki: Pesëdhjetë vjet me kitarë në dorë

Shefqet Hoxha - Sheki, lirisht mund të cilësohet si djaloshi i lindur për kitarë, margaritar dhe kampion nëpër festivale ndërkombëtare. I riu plot pasion - Sheki, alias “shmeki” - në kohën kur duhej zgjedhur profesionin, për asnjë çast nuk u hamend. Zgjodhi muzikën, tingujt e kitarës dhe që nga ajo kohë nuk ndahet dot nga magjia e saj.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Karrierën e tij si kitarist e ka nisur në Ferizaj, në kohën kur roku kishte nisur të merrte hov. Më 1963 takohet me Luigj Dedën e Franc Glasnoviqin dhe formojnë grupin e parë, kurse 2-3 vjet më vonë grupin “The Lord”, në të cilin merrte pjesë edhe Nehat S. Hoxha. Në vitin 1967 ai do të regjistronte Shkollën e Mesme të muzikës në Prizren, ndërsa pesë vjet më vonë, Akademia e Muzikës në Sarajevë do të hapte dyert për kitaristin kosovar, i cili tashmë ishte specializuar për bas-kitarë. Në vitet ’70 e ’80, Shefqet Hoxha – Sheki ka qenë anëtar i grupeve që kanë bërë nam në ish-Jugosllavi, për çka shpallet dy herë si basisti më i mirë. Ai njihej jo vetëm si një nga muzicientët më të njohur të asaj kohe, po edhe si një nga gruarët më të mëdhenj! Më 1982 formon grupin e tij “Carski Rez” dhe editon një album me kompozime dhe aranzhime. Gjatë viteve ’80 ka qenë instrumentist dhe orkestrues në Orkestrën e Radio Prishtinës, ku ka dhënë kontribut në afirmimin e shumë grupeve të asaj kohe. Prej vitit 1992, për 12 vjet Sheki sa ka jetuar në kryeqytetin bullgar, ka bërë muzikë me emrat më të njohur të skenës së xhazit në Bullgari. Më 2003 editon solo-albumin e tij të parë, “Kosova blues”, ndërkohë ftohet që të kontribuon në Big Band-in e RTK-së, në të cilin luan edhe sot.

Sheki mund të merret si njëri nga pinjollët e Rock ‘n’ Roll-it, i cili me emrin e tij ka fituar famë dhe cilësi. Po cili është në të vërtetë Shefqet Hoxha-Sheki, ky njeri i qetë nga dukja e jashtme, por shpërthyes përbrenda. Për të gjitha këto, lexoni intervistën e rrallë (e përmallë) me Shekin, kitaristin e pasionuar dhe të lakmuar.


Keni nisur jetën e artistit shumë i ri. Çdo të thotë për ju që nuk i jeni ndarë që prej atëherë muzikës?
Është e vërtetë se me muzikën jam i lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht shumë herët. Ajo menjëherë u bë pjesë e pandarë e jetës sime. Madje, edhe dashuria ime. Zaten, i dashuruar përjetësisht, por të mos thënë marrëzisht.

Qysh në hapat e parë ju i kishit rënë në sy mediumeve, madje si një djalosh i përkushtuar, i “çmendur” pas kitarës? Këto fjalë i ka thënë në eter, ish-redaktori i kulturës në RTP dhe shkrimtari ulqinak, Hajro Ulqinaku.
Dua ta falënderoj Ulqinakun, i cili sikur më mori përkrahësh dhe më futi në kutinë magjike, Radio Prishtina, për të më dhënë mundësinë e shprehjes së talentit tim për kitare. Isha një fëmijë i “çuditshëm” dhe kisha një pasion deri në pakufi. Në atë kohë, ta dëgjoje veten në një program të radios, ishte më shumë se kënaqësi apo mrekulli, sepse televizioni ishte gati i paarritshëm, sidomos për ne fillestarët.

Sheki (i pari djathtas), si anëtar i grupit “Vatreni Poljubac”

Fillet e karrierës suaj në muzikë i keni patur në piano. Ndërkohë që e keni braktisur dhe në kontekst vetvetiu iu jeni përkushtuar kitarës. Pse ka ndodhur ky transferim shpirtëror (muzikor)?
Kjo, sepse gjithnjë pianisti dhe bateristi në skenë gjendeshin në vijën e prapme, kurse unë si i ri, doja të isha në vijën e parë, që të më vërente më shumë gjinia më e bukur…

Cila ka qenë kitara e parë juaja, ndërkaq në cilin instrument muzikor tani luani?
Kitara e parë është blerë në librarinë e qytetit të Ferizajt, më ‘63. Kurse tani luaj në bas-kitarë. Ajo kitarë për mua ishte vet jeta, dhurata më e çmuar dhe e bekuar.

Ju ishit pjesë e bendeve, si “Vatreni poljubac”, “Divlje jagode”, “Carski rez”, “Detektor lazi” e “Rezonanca”. Çfarë kujtimesh ruani ndërsa keni qenë pjesë e tyre?
Ishte një kohë me plotkuptimin e fjalës, pra kohë e mbarsur me plot kujtime djaloshare (beqare), lozonjare, kujtime të mrekullueshme dhe të paharrueshme të një rokeri me të gjitha të mirat e shijuara nga ajo botë me shumë mundësi (kënaqësi). Kam bashkëpunuar me të gjitha bendet e asaj kohe, qysh prej moshës së fëmijërisë e deri më sot. Kurse, tashti, përjetimet janë krejtësisht ndryshe, sepse gjithçka ka ndryshuar dhe mosha ime e cila i është nënshtruar një pjekurie djaloshare.
Dua të shtoj edhe diçka tjetër. Unë jam i privilegjuar që në atë kohë incizimet e diskut i bënim në Londër. Meqë bateristi i “Bijelo dugme”, MilicVukasinovic punonte në “Hard rock” – klubin e famshëm – ne të tjerëve na mundësonte hyrjen dhe kishim mundësi të takoheshim me të gjithë yjet botërorë, si Mick Jagger, Tina Turner, Rod Stewart, etj.

‘Student psihologije’ (këngë e përpunuar nga “Oj Zogo”, të cilën e këndonte e ndjera Nazmije Hoxha), ishte për një kohë të gjatë hit, pastaj vijnë edhe hitet e tjera si, “Qëllo kokën në mur”, “Kush e din”, “Eja të vallëzojmë”, “Valët e detit” etj. Duket se jeni ndër rokerë e parë të një brezi të kohëve të arta për rokënrolin.
Të gjitha këto këngë, qysh në fillet e mia në Sarajevë, u bënë temë diskutimesh nëpër çarqet profesioniste muzikore, sepse si duket, i provokova me futjen e melosit shqiptar në pop-rok shkollën e Sarajevës.

Sheki me privilegjin e rrallë: Diskun e Artë

Sa e vështirë ishte në atë kohë për të zhvilluar jetën artistike në ato vite. Si ishin kërkesat e kohës?
Në çdo kohë, për artistin nuk është lehtë, e kjo bëhet edhe më e vështirë për njerëzit që i takonin provincës. Sikur kishte paragjykime dhe vështirë pranoheshim nga elitat e kohës të qendrave të një shteti hibrid dhe tani të dështuar (shpartalluar). Por, fatmirësisht, ata dinin ta çmonin vlerën dhe dinin ta dallonin cilësinë nga jocilësia. Në këtë kontekst nepotizmi, familjarizimi, mitmarrja, e gjëra të tjera të liga nuk gjenin shtrat të begatë sikurse ndodh në ditët tona (dikur, tash e mbase, tevona).

Në rininë tuaj a keni jetuar sipas “praktikës” së rokerëve: seksi, droga dhe alkooli?
Më ka mjaftuar të jetoj me të parën, për të tjerat nuk më premtonte koha… hahaha. Por, as që e kërkoja atë kohë.

Jeni një artist i kompletuar që i përkisni brezit të viteve ’60 e tutje. Çfarë është transformuar tek ju në gjithë këto vite?
Po pjekuria e bën të veten, isha njëri ndër themeluesit e shkollës së muzikës për degën e kitarës për muzikën artistike, në Sarajevë (1974). Edhe sot mburrem me nxënësit e mi, të cilët ende muzikojnë në formacionet më të mëdha dhe më të famshme të rok muzikës, grupet si “Hari Mata Hari”, “Divlje jagode”, “Crvena jabuka” etj. Kurse, tani, pas kthimit tim në Prishtinë në vitin 1986, jam edhe më krenar për hapjen e degës së kitarës në shkollën e muzikës të Prishtinës, e dy vjet më vonë edhe në Prizren.
Mburrem me nxënësit, të cilët në garat e mbajtura në Beograd, shpërbleheshin me vendet e para, ndërsa sot ata dominojnë në rok grupet kosovare.

Ti, njihesh si ndër rokerët e parë në Kosovë, krahas, Nijazi Bytyçit, Veni Llulla, Nexhat Maculës, Menan Kiserit, po, më vonë, a iu kanë trashëguar bindshëm të tjerët.
…si Valon Gashi, Leonard Canhasi, Jeton Dolaku, Faton Macula, Armend Xhaferi, Nesim Maxhuni, etj., të cilët janë të rinj në moshë, por shumë të prekur.

Vlerësimet ç’janë për ty, përgjegjësi apo madhështi?!
Është ndoshta talenti që flet si dhe kërkesat, ofertat, që sa më ngacmojnë aq edhe më gëzojnë. Më kujtohet i madhi Muharrem Qena, i cili kur më takonte rrugës, më përqafonte përzemërsisht për punën që po e bëja me birin e tij Nebiun, ndërsa kënaqej edhe vet si kitarist me zhvillimin artistik të djalit të tij. Po ashtu, edhe shkrimtari i nderuar, Musa Ramadani, me të birin e tij Nderimin, pastaj Flamur Sefaj, Shpend Bakalli, etj. Ndërsa, Ismet Shahini i grupit ‘Telex’, shkruante në Facebook se Sheki ishte frymëzimi ynë i i Rock ‘n’ Roll-it të viteve’70-ta.
Vlerësimet për mua janë një përgjegjësi e madhe, të veshura edhe me madhështi. Më vjen disi vështirë të them, por puna ime mirëpritet me mjaft sukses. Është e vështirë të flasësh për vete…

Foto e vitit 1980, kur një revistë mbledh yjet më të mëdha të rockut në ish-Jugosllavi, apo siç shkruante në legjendë: 11 të Madhërishmit. Rreshti i lartë (nga majtas): D. Jankelic (Bijelo Dugme), G. Bregovic (Bijelo Dugme), Z. Redzic (Bijelo Dugme), M. Vukasinovic (Vatreni Poljubac), V. Pravdic (Bijelo Dugme), G. Pecanac (Formula 4), P. Stojanovic (Vatreni Poljubac). Rreshti poshtë (nga e majta): A. Bujak (Formula 4), Z. Bebek (Bijelo Dugme), S. Hoxha – Sheki (Vatreni Poljubac), Lj. Racic (Formula 4).

Gjithmonë keni qenë pjesë e atyre rokerëve “inteligjentë”. A ka ndikim arsimimi në formimin e personalitetit, posaçërisht te artistët?
Si nuk ka, madje ka ndikim vendimtar. A keni dëgjuar të thuhet qenka zë i shkolluar? Më shumë se kaq, unë isha në mesin e rokerëve të ish-shtetit, njëri nga të rrallët që ka qenë muzikalisht i arsimuar.

A është e vërtetë se talenti është vetëm 10 për qind, kurse puna 90 për qind?
Varet për çfarë profesioni flitet. Në rastin konkret, unë do të shtoja se është e kundërta. Për mendimin tim talenti duhet të jetë 90 për qind, kurse puna 3×90 për qind.

Ka disa vite që ju dhe artistë të brezit tuaj dukeni si të dalë jashtë mode. Nuk ka më “lot”, nuk ka më kitarë për të dashurën… Ju si do ta shikonit këtë brez që ka kërkesa të tjera nga ç’kishit ju për muzikën?
Pa lot dhe pa dashuri, do të thotë – pa përjetime. Falë Zotit, edhepse nga këndvështrimi i të rinjve dukemi jashtë kohës, Rock ‘n’ Roll-i asnjëherë nuk ka dalë nga moda. Edhe sot, unë nuk di që këta “të modës”, të cilët i takojnë brezit të tallavasë, apo hip-pop-it që koketon me tallavanë, a thua do të ishin në gjendje që me bileta ta mbushin një sallë, me më shumë se disa veta… Falë Zotit, jam “Old fashion” dhe ende e lakmoj gjininë më të bukur, ndërsa disa të rinj të sotëm, sikur ta krijojnë dilemën se dashurinë e kërkojnë ndërmjet vete.

Sheki International Band

Një pjesë të karrierës e keni zhvilluar edhe në Bullgari. Ishte rastësi, apo shkuarje e rastësishme?
Shkuarje e rastësishme, kurse mbetja e kushtëzuar nga lufta më e ndyrë e këtij shekulli që nuk më mundësonte të kthehesha në Sarajevë. Mirëpo, me shumë dëshirë, mbeta 12 vjet edhe pas luftës në Bullgari, sepse ky shtet është në piedestal me artin muzikor. Jam i nderuar që më pranuan si një qytetar i tyre dhe më mundësuan të marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe eventet nacionale bullgare.

Ke edituar disqe të shumta. Cili disk ka qenë më i dashuri për Ju?
Pa mëdyshje, “Kosova blues”, sepse ne kemi jetuar gjatë në vuajtje dhe blues nënkupton vuajtje.

Ende jeni aktiv me grupin “Sheki Internacional band” dhe bas-kitarën; keni mbetur i adhuruar nga të gjitha moshat. D.m.th., keni bërë një art afatgjatë?
Po del se mund të jetë ashtu. Aktivitetet e mia vijojnë dhe nuk ndalen, pa marrë parasysh ndërskamcat dhe smirëzinjtë e mjedisit tonë. Mirëpo, ekziston një rregull në art: vlerat e gjejnë rrugën e vet dhe nuk njohin asnjë pengesë dhe depërtojnë sigurt edhe jashtë kufijve nacionalë. Nuk është krijuar kot thënia: “qentë lehin, karvani ecën”.

Ju keni dy formacione, atë vendor “Etno jazz Sheki International Band” dhe “Jazz classic”, ndërkombëtar.
Është fakt se me të dyja bendet edhe sot e tërë ditën bëj muzikë, madje me një entuziazëm si të fillestarit, sepse ose je artist, ose nuk je. Rrugë të mesme nuk ka.

A ka rokerë të vërtetë në Kosovë?
Rokerët e vërtetë zakonisht nuk vijnë në shprehje prej kuazirokerëve të vetëshpallur si legjenda, shprehje kjo së cilës duket se i ka humbur edhe kuptimi. E them me keqardhje se disa emra të cilët trumbetojnë se kinse Rock ‘N’ Roll-i ka filluar me ta, vetëm se e mashtrojnë veten e tyre.

Kur do të ketë më shumë jazz në Kosovë?
Në Kosovë do të ketë jazz atëherë kur pas tualetit të mësohemi ta tërheqim telin për ta lëshuar ujin…

Çka mendon për rrymën e ashtuquajtur tallava, e cila si duket na ka infektuar të gjithëve, pa mëshirë?


Tallavaja është murtaja e cila në shek. e XVI-të për pak sa nuk e zhduki mbarë njerëzimin. Për keqardhje, tallavaja vazhdon të jetojë, madje të dominojë. Kam bindjen se çdo gjë është bërë tallava, ku biem dhe zgjohemi me të. Vallë, a do të shpëtojmë nga ajo (gjallë)?! Dua të shpresoj, se si në çdo sferë tjetër edhe në muzikë ditët e mira do të vijnë.

Çka jeni duke punuar aktualisht në sferën e muzikës, por edhe të profesionit tënd të ngushtë?
Zakonisht i përcjelli të gjitha festivalet ndërkombëtare nëpër botë, ku shpesh jam edhe në jurinë e tyre. Nëpër këto festivale, dërgoj këngëtarë të mirëfilltë nga Kosova dhe regjioni, të cilët me aq lehtësi këndojnë “live”, sepse këndimi ‘playback’, nëpër festivale të tilla serioze është i ndaluar. Në këtë drejtim, kontributi im mbase është për t’u çmuar, meqë ua mundësoj shumë të rinjve të dalin në festivale ndërkombëtare duke garuar e shpesh edhe duke fituar, me çka jo vetëm që afirmojnë veten e tyre, por edhe kombin që i përkasin.
Aktualisht jam duke punuar për një album të ri, ku po bëj përpunimin e këngëve shqipe, që lirisht mund të quhen, margaritarët e melosit tonë.

Çfarë simbolike ka kënga që e bën të ketë vlerë edhe 46 vjet pas krijimit të saj?
Parasëgjithash e mbi të gjitha, sinqeriteti artistik, i cili përherë ngadhënjen mbi injorancën dhe i reziston të gjitha kohëve, pavarësisht nga uraganet dhe cunamet që e godasin.

Krijimtaria muzikore vuan nga kritika artistike. Kush i vlerëson krijimet tuaja muzikore?


Nëse e keni fjalën për Kosovë, këtu kritika artistike vuan nga sëmundja e quajtur letargji, sepse të gjithë merren me të, ndërsa me autokritikë asnjëri. Ja që shpesh autokritika është më e shëndetshme se sa lëvdatat e thata.

Si do ta përshkruanit veten, çfarë tipi jeni, çfarë karakteri keni?
Unë mendoj se çdo njeri duhet të ketë principe dhe karakter të paluhatshëm, përndryshe ia lë në duar shpirtin djallit duke e futur veten në telashe të mëdha…

Duke lënë mënjanë muzikën, ç’gjë u tërheq më shumë?
Gjinia më e bukur dhe tenisi.

Ç’është femra për ju?
Pa femra jeta nuk ka kuptim, edhepse janë një domosdoshmëri e hidhur, kurse muzika është madhështia e vërtetë.

Ku qëndron sekreti juaj prej muzikanti, meqë femrat jo rrallë i fascinoni?
Tek origjinaliteti, diskrecioni dhe spiritualiteti ndaj tyre.

Si i keni bërë për vete femrat? Me muzikë?
Me muzikë dhe ego të fortë.

Sa herë në jetë vërtet jeni dashuruar?
Pesë herë dhe me këtë dua të demantoj katërçipërisht thënien stereotipe se kinse njeriu vetëm një herë dashuron në jetë. Kjo nuk është e vërtetë.

Sipas një rregulli, në natyrën e mashkullit është që ai i pari të marrë iniciativën. Ndërkaq, në rastin tuaj femrat vrapojnë pas jush dhe ato dëshirojnë t’iu bëjnë për vete?
Do të thosha se kjo më shumë i takon së kaluarës, pra moshës së adoleshencës. Femrat e kësaj moshe joshen shumë nga fama e tjetrit dhe bien pre e fantazisë dhe adhurimit të tyre. Në moshën që jam, nuk do të thosha që femrat po prishin taket duke vrapuar pas meje. Ku merr të jetë e kundërta.

A ke trashëgimtar?
Nuk e di, deri më tashti askush nuk më është lajmëruar…

Për fëmijët e kuptuam, po gra(sa)?
Shumë më shumë se disa…

Pse nuk jeni martuar? Ndoshta e keni lexuar thënien “pendohet ai që është martuar njësoj si ai që nuk është martuar”?

Unë jam penduar, prandaj jam martuar, por me muzikën, e cila kurrë nuk më ka tradhtuar. Kjo i bie që nuk asnjëherë nuk jam penduar.

Sa janë të rëndësishme në jetën tuaj emocionet, veçanërisht kur bëhet fjalë për artin?


Ah, emocionet, ah kujtimet, kanë vetëm një detyrë që të të emocionojnë, por ja që pa to nuk ka art, as dashuri, prandaj emocionet janë primare në jetën e çdo artisti i cili është mishëruar me artin.

Jeni spirituoz, qejfli dhe komunikativ. Si po arrini të jetoni në këtë mjedis, i cili po thuhet se është në tranzicion?
Përderisa i kemi rezistuar edhe krajatave më të rënda, po mësohemi (dhe ky është rreziku) të mësohemi edhe me tranzicionin e stërzgjatur, i cili nuk sjell asgjë të mirë përveç që e nxjerr në pah anën e errët të së keqes duke anashkaluar vlerat, madje duke shkelur mbi to, pamëshirshëm.

Thuhet shpesh se një njeri njihet nga gjërat e vogla. Cilat janë ato gjëra “të vogla“ që sipas jush e bëjnë Shekin, Sheki? Mund të zbuloni ndonjë ves, zakon apo diçka pa të cilën përditshmëria dhe jeta juaj nuk do të ishte kjo që është?
Gjërat e vogla shpesh kanë kuptim të madh. Zaten cilësia nuk është sasi. E kam një ves që nuk po e flakë dot. Kur afër meje kalon ndonjë femër e bukur, unë e kthej kokën dhe e shikoj derisa ajo të largohet si me naze, kurse unë mbetem duke e imagjinuar atë bukuri fatale.

Jeta e artistit ka shumë shqetësime, drithërime edhe për shkak të natyrës së tij rebele…
Rock ‘n’ Roll është një zhanër specifik i cili ka baticat dhe zbaticat e veta. Ai di të dhurojë shumë dashuri, zhgënjime dhe shpesh njeriu e pyet veten ia vlen… kjo jetë(artistike). Pra, sikur janë në dyluftim arti me antiartin dhe jeta me antijetën.

A ka patur raste ku jeni ndjerë shumë keq dhe jeni penduar?
Po, jam penduar dhe vazhdoj të jem i penduar për faktin se nuk e kam përqafuar kontrabasin si instrument, në vend të bas-kitarës.

Ju tërë rrugën për punë dhe anasjelltas, më se 10 km, e bëni në këmbë. Është ky një lloj rekreacioni, hobi apo ikje nga monotonia e përditshmërisë?

Karikaturë e punuar nga në artiste bullgare
Ikje nga pisllëqet e përditshmërisë dhe unë ecjen e kam një lloj terapie që ma lufton stresin. Eci, eci, eci dhe kësisoj nga ecja ime, trembet stresi. Përveç kësaj, kur ec meditoj dhe kënaqem me botën time(intime).

Çka bëni kur rrini?
Për nga natyra jam mjaft dembel, ku shpesh me prapanicë dhe shpinën time, i hallakat mendimet e mia të thella, deri në fantazi. Në këtë mënyrë më lindin idetë e shumë projekteve muzikore si, kompozimet dhe aranzhimet.

Artisti nuk ka moshë. Këtë e dëshmoni ju më së miri. A do të thotë kjo për ju se vitet janë vetëm numër?
Kjo tashmë nënkuptohet dhe dihet, por ja që edhe duhet të përsëritet se vitet janë vetëm numra e asgjë më shumë. A nuk po e vëreni këtë tek unë? Unë jam vetëm 30 vjeçar(beqar), sepse netët nuk i numëroj dot, shpesh i kaloj kot.

Në trend

Më shumë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Diana reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK, falënderon publikun ndërsa nuk e përmend fare Arionin!

Diana reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK, falënderon publikun ndërsa nuk e përmend fare Arionin!

Magazina
Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së

Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Evropa
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Kalo në kategori