8 Marsi në Prishtina Tech Park – vlerësohet roli i grave në STEM dhe teknologji

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, kryetari i Prishtinës, Perparim Rama ka theksuar rëndësinë e rolit të grave në zhvillim dhe inovacion.
“8 Marsi na kujton se shoqëritë përparojnë kur gratë kanë hapësirë të udhëheqin, të krijojnë dhe të inovojnë,” ka deklaruar Rama gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtina Tech Park.

Ai ka vlerësuar kontributin e grave në fushat e teknologjisë dhe STEM, të cilat po formësojnë të ardhmen dhe inovacionin.
“Kryeqyteti inkurajon fuqizimin e grave në çdo sektor, sepse një shoqëri që investon në potencialin e tyre ndërton një të ardhme më të mirë,” shtoi ai.
Ngjarja u organizua për të promovuar pjesëmarrjen aktive të grave në sektorët inovativë dhe për të nënvizuar rëndësinë e barazisë gjinore në zhvillimin e shoqërisë. /Telegrafi/




















































