27 vjet pas luftës, Kosova mes arritjeve në botë

Një histori suksesi është prezantuar nga gazetari Blendi Fevziu.
“Kosova është kthyer në një eksportuese në përmasa të mëdha në disa fusha,” shprehet Fevziu në emisionin Opinion.
Vetëm 27 vjet nga mbarimi i luftës, Kosova ka prodhimet e saj për tregun botëror.
Made in Kosova tani janë produktet që po hyjnë edhe në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kompania kosovare Ciao Berto po dëshmon se prodhimi vendor mund të fitojë besimin e tregjeve më kërkuese ndërkombëtare.
“Kemi qenë në kompaninë Ciao Berto, një kompani me një histori shumë interesante që nis nga babai dhe vazhdon te fëmijët, e cila sot eksporton rreth 75 për qind të gjithë prodhimit të saj,” thekson Fevziu.
Ai sqaron se kjo është vetëm një nga fabrikat e kompanisë, një kompleks modern i specializuar për mobilimin e plotë të hoteleve.
“Nga A-ja deri te ZH-ja, gjithçka prodhohet këtu. Mobilim për dhoma, recepsione, hapësira të përbashkëta dhe çdo element tjetër që kërkon hoteleria bashkëkohore.”
Sipas Fevziut, gjurma e prodhimeve të Ciao Berto-s shtrihet në disa kontinente.
“Këtu po flasim për mobilim hotelesh në Gjermani, Zvicër, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe Moxy Hotel në Nju Jork – si dhe në Afrikë.
Në Kosovë, pothuajse i gjithë rrjeti i Swiss Diamond Hotels të Behgjet Pacollit është mobiluar nga kjo kompani, ndërsa projekte janë realizuar edhe në Dubai.”
Pas njëzet e shtatë vjetësh nga lufta, Kosova eksporton me ‘Made in Kosova’.





















































