248 gjoba në Gjilan për xhama të errësuar pa leje – Policia intensifikon kontrollet në trafik

Policia e Kosovës në Gjilan ka shtuar kontrollet në komunikacion ndaj automjeteve me xhama të errësuar, si pjesë e angazhimit për rritjen e sigurisë rrugore dhe respektimin e ligjit.
Gjatë muajit maj, Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, nën autoritetin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, ka shqiptuar 248 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë modifikuar xhamat pa miratimin përkatës. Shkelësit janë gjobitur në përputhje me nenin 248, paragrafi 2, nënparagrafi 2.7 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ndalon qartë ndryshimet në mjet pa iu nënshtruar atestit përkatës.
Sipas policisë, modifikimi i xhamave që ndikon në dukshmërinë e brendshme dhe të jashtme të automjetit pa leje të autoriteteve kompetente përbën shkelje të rregullave dhe cenon sigurinë në trafik.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë thirrje publike për të gjithë ngasësit që të heqin materialet apo foljet e errëta nga xhamat, nëse këto nuk janë të certifikuara apo të lejuara me dokumentacion të rregullt.
“Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, por garantimi i një mjedisi sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik,” thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/

















































