Tashmë është publikuar draft-raporti për Kosovën i përpiluar nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

Ky draft- raport ka të bëjë me zhvillimet politike, ekonominë, sundimin e ligjit, dialogun me Serbinë dhe procesin integrues të Kosovës.


Një pjesë e draft-raportit vitin 2025 e vlerëson si vit të humbur për Kosovën.

“Parlamenti Evropian mirëpret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës më 12 shkurt 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor 2025 dhe pas më shumë se një viti ngërçi politik; megjithatë shpreh keqardhje për procesin politik të paralizuar gjatë vitit 2025 që rezultoi në një ‘vit të humbur’ për Kosovën.

PE shpreh keqardhje për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur një President të ri brenda afatit kushtetues, duke e shtyrë kështu vendin drejt zgjedhjeve të reja...”, thuhet në raport.

Përmes këtij draft-raporti Parlamenti Evropian e mirëpret ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës të marrëveshjeve në kuadër të ‘Instrumentit për Reforma dhe Rritje’.

Po ashtu, PE mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të paraqitur në dhjetor 2022, gjersa u bën thirrje pesë shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën të lëvizin drejt njohjes, duke i mundësuar Kosovës të përparojë në kushte të barabarta me kandidatët e tjerë.

PE po ashtu i bën thirrje Kosovës që të intensifikojë përparimin në zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të lirive themelore.

“PE rikonfirmon mbështetjen e plotë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për planin strategjik të vendit për t’u bashkuar me programin e NATO-s ‘Partneritet për Paqen’”, thuhet në raport.

Tutje, PE bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të mbetura, të cilat theksoi se nuk janë më të justifikueshme dhe vazhdojnë të kenë ndikim negativ në shoqërinë e Kosovë.

Një pjesë e draft-raportit i kushtohet demokracisë dhe sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, dialogut me Serbinë, etj.

Në pjesën për dialog thuhet se PE rikujton se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i angazhimeve nga dialogut Kosovë-Serbi mbeten pjesë thelbësore e perspektivës evropiane të Kosovës.

“Parlamenti Evropian rikonfirmon mbështetjen e për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe mirëpret zgjatjen e mandatit të Peter Sorensen si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë deri më 29 shkurt 2028”, thuhet tutje.

PE thekson rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë për të arritur një marrëveshje të plotë dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, bazuar në njohje të ndërsjellë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Parlamenti Evropian bën thirrje për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, që të zbatojnë Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe heqjen e kundërshtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, dhe të shmangin veprimet unilaterale që mund të minojnë procesin e dialogut”, thuhet tutje.

Parlamenti Evropian përmend edhe sulmin terrorist në Banjskë.

“Parlamenti Evropian dënon faktin që Serbia ende nuk ka ndjekur penalisht autorët, veçanërisht Milan Radoiçiq....”, thuhet në raport.

Për më shumë draft-raportin e PE-së mund ta lexoni KËTU. /Telegrafi/