162 ditë pa Kuvend, ish-opozita akuzon Kurtin për përmbysje të rendit kushtetues

Partitë që deri tani ishin në opozitë kanë akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, për keqpërdorim të pozitës së tij. Sipas tyre, deputetit nga radhët e LVV-së i ka filluar të pëlqejë pozita e kryeparlamentarit, andaj edhe po abuzon me të njëjtën.
LVV-ja dhe lideri partiak i saj, Albin Kurti, në “seancën” pas dështimit të pesëdhjetë të konstituimit të Kuvendit u akuzuan se po synojnë të përmbysin rendin kushtetues të Kosovës, raporton KosovaPress.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se Kurti po synon delegjitimimin e demokracisë dhe institucioneve në Kosovë.
“Kanë kaluar 162 ditë nga përfundimi i procesit zgjedhor. 162 ditë pa institucione funksionale dhe pa një Kuvend të konstituar dhe me një qeveri që ka uzurpuar zyrat dhe kompetencat. Në mënyrë të jashtëligjshme vazhdon të marrë vendime që ndëshkojnë qytetarët e Kosovës. Për 162 ditë, Albin Kurti ka synuar të shuajë zërin tonë dhe të pamundësojë ushtrimin e detyrave që na ka besuar qytetari i Kosovës... Për kënd nuk janë shumë 162 ditë? Për Albin Kurtin. Për të kjo kohë është pjesë e një plani. Për përmbysjen e rendit kushtetues, për delegjitimimin e demokracisë dhe institucioneve dhe për zhbërjen e ADN-së së shoqërisë sonë. Ai po synon krijimin e një rendi të ri ku nuk ka norma dhe ambicie kolektive, ku qytetarët sundohen dhe nuk qeverisen. Por jo Albin, nuk do t’ia dalësh”, tha ajo.
Kritik ndaj LVV-së si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Fadil Hadergjonaj. Sipas tij, Kurti po manipulon me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari.
“Partia e parë në Kuvend përmes liderit të saj dhe eksponentëve politikë po manipulon me figurën e më të moshuarit në këtë seancë, duke pretenduar se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen shumica e votave... Kryesuesi le ta kthejë seancën në rendin e rregullt të ditës dhe kandidatja le të tërhiqet nga kandidatura. Vetëm atëherë mund të ketë hapësirë për reflektim dhe ndoshta edhe ndryshim të qëndrimeve nga deputetë të tjerë”, thekson ai.
Akuza në drejtim të Deharit adresoi edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“Kryesuesi që ka uzurpuar karrigen e kryeparlamentarit ende pa folur po thotë ‘po abuzoni’. Ju e patë se ai nuk na la fare me folur dhe as me përfunduar përshëndetjet... Po më duket se po i pëlqen karrigia e kryeparlamentarit dhe ndoshta LVV-ja do të ishte mirë me lënë krejt si kryeparlamentar. Abuzim i skajshëm pasi këta po mendojnë se janë mbi shtetin dhe mbi ligjin e Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi Kadrijaj.
Fjalën në seancë e mori edhe deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, i cili tha se situata aktuale në Kuvend është e papranueshme, andaj nevojitet reflektim për formim të institucioneve.
“Kjo situatë është e papranueshme. Jam një deputet, kam përgjegjësi publike dhe institucionale dhe normalisht jam i gatshëm të marr përgjegjësi. Jam këtu për të ushtruar autoritetin tim dhe normalisht i qëndroj prapa të gjithave që kam thënë... Unë nuk jam në mesin e atyre që lejojnë të keqpërdoret ajo votë që më është dhënë dhe e cila është me mirëbesim. Kërkoj në mënyrë urgjente që secili nga ne t’i thërrasim përgjegjësisë institucionale, që të ndërtojmë institucionet pasi dëmi është i madh. Unë e kam deklaruar votën time. Jam i gatshëm me votu secilin kandidat për kryetar të Kuvendit, por në formën e hapur. Nuk pranoj veprime antikushtetuese”, deklaroi Berisha. /kp/






















































