LAJMI I FUNDIT:

16-vjetori i pavarësisë, Konjufca: Sot është dita më e rëndësishme e shtetit të Kosovës

16-vjetori i pavarësisë, Konjufca: Sot është dita më e rëndësishme e shtetit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Republikës së Kosovës, duke shënuar kështu fillimin e aktiviteteve për nder të 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Pas ngritjes së flamurit dhe intonimit të himnit të Kosovës, në adresimin e tij para mediave kryetari Glauk Konjufca e konsideroi 17 Shkurtin ditën më të rëndësishme të shtetit tonë.

Ai tha se sot është ditë jo vetëm e festimit, por edhe e reflektimit, falënderimeve dhe e mirënjohjeve.


“Falënderimi i parë shkon për ata dëshmorë dhe martirë të cilët e dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, për të gjithë ata veprimtarë e aktivistë politikë të cilët nuk kursyen asgjë që shteti ynë të krijohet, e padyshim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët ndihmuan që të lind Republika e Kosovës. Prandaj gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, gëzuar gjithë popullit tonë për këtë ditë të rëndësishme“, theksoi Konjufca. /Telegrafi/