Në episodin më të ri të podcastit Diana’Stories, Diana Luzha sjell një bisedë me Bekim Blakaj, drejtorin ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), mbi rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe ruajtjen e kujtesës kolektive në Kosovë.

Biseda është zhvilluar në hapësirat e Qendrës për Dokumentim, e cila funksionon si arkivë dhe ekspozitë edukative për publikun, me dëshmi, të dhëna dhe rrëfime të viktimave të luftës në Kosovë – përfshirë fëmijë, civilë dhe të zhdukur nga të gjitha komunitetet.


“Për neve në atë kohë ka qenë e rëndësishme që të dokumentohen këto krime dhe që viktimat mos të mbesin të harruara, të mos shndërrohen vetëm në numra pa e ditur identitetin e tyre. Ideja kryesore e jona ka qenë që viktimave mund t’u kthehet dinjiteti vetëm nëse publiku i njeh me emër dhe mbiemër dhe di mbi këto viktima”. theksoi Blakaj.

Qendra, që ndodhet në Prishtinë, përmes “Libër Kujtimit të Kosovës” ekspozon të dhëna për 13,535 persona të vrarë dhe të zhdukur, përfshirë civilë shqiptarë, serbë dhe romë dhe pakica të tjera etnike.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë

Në pyetjen e shtruar se kush njihet si viktimë e luftës, Blakaj përgjigjet: “Në fakt, ne e kemi zgjeruar këtë nocion. Ne kemi vendosur që të mbajmë evidencë, pra të regjistrojmë çdo jetë të humbur, qoftë ajo viktimë apo jo-viktimë, pra pa marrë parasysh statutin e këtyre personave – nëse kanë qenë civilë apo pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo pjesëtarë të ushtrisë apo policisë serbe. Ideja ka qenë që të dihet se kush u vra, pastaj rrethanat tregojnë se kush është viktimë dhe kush është vrarë në betejë apo në luftime”.

Sa i përket periudhës kohore të këtij dokumentimi, ajo është vendosur të përfshijë datat 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, duke qenë se edhe pas përfundimit zyrtar të luftës në qershor 1999, kanë ndodhur ende vrasje të lidhura me konfliktin.

I pyetur se çfarë dëshmon libri “Kujtimi i Kosovës”, një publikim i FDHK që i kushtohet të gjitha jetëve të humbura në Kosovë gjatë luftës, Blakaj thekson: “Në bazë të të dhënave që i kemi mbledhur gjatë periudhës njëzet e pesëvjeçare, kemi krijuar – pra i kemi të përafërta – edhe statistikat mbi numrin e të vrarëve dhe të zhdukurve në këtë periudhë, duke përfshirë krejt periudhën kohore prej tri vjetëve, nga 1 janar 1998 deri në fund të vitit 2000. Ne kemi dokumentuar 13,535 njerëz të cilët janë vrarë apo janë zhdukur në këtë periudhë”, tha ai duke shtuar se shumica dërrmuese prej tyre 10,812 janë shqiptarë, 2187 janë serbë...

Sa i përket statusit të viktimave, Blakaj tha se te shqiptarët diku rreth 80% prej tyre kanë qenë civilë që nuk kanë marrë pjesë aktive në luftë, ndërsa rreth 20% kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “edhe pse jo gjithë në momentin e vrasjes kanë qenë persona të armatosur dhe të uniformuar... Te serbët përqindja ndryshon – nëse s’gaboj – janë diku saktësisht 999 pjesëtarë të ushtrisë së Jugosllavisë dhe forcave policore serbe, dhe 1,188 janë civilë”.

Episodi është tashmë i disponueshëm në YouTube, në kanalin Diana’Stories. /Telegrafi/