“134 vjet gjallë” për hyqymetin
Nuk ka ditur mixha Man për librin Gines sa ka jetuar njeriu më i vjetër në botë, ama tek ne mund të konkurronte për vendin e parë për jetëgjatësi. Ndoshta as vetë mixha Man nuk do të ishte pajtuar të jetonte aq gjatë në një varfëri të skajshme. Ku me ditë? Ndoshta i ka mbetur merak të hante edhe ndonjë dardhë apo pak mjaltë të kohës së re.
Grremçi pasi nuk po ndreqte punë në asnjë zyre të hyqymetit, mendoi gjithkah dhe pyeti vetën; mos e ka lënë amanet mixha Man që mos ta regjistrojnë që ka vdekur as nipat e tij. Kështu, as ata nuk e kanë lajmëruar se ka vdekur. Ndoshta mixha Man nuk ka pasur dëshirë të vdes kurrë dhe zoti ja ka plotësuar dëshirën duke e lënë jashtë regjistrave të hyqymetit. Ndoshta zoti e ka lënë pa shënuar në librat e hyqymetit për të jetuar i lirë si dëshiron vetë.
Ndoshta mixha as nuk ka ëndërruar se do të jetonte nën shtatë shtete të ndryshme!
Mendonte Grremçi, se mixha Man sa ishte gjallë thoshte kur të vdes ta varrosin në dhe mos ti vendosin asnjë shenjë mbi varr.
I vdekuri nuk duhet të uzurpoi tokë as për së gjalli as pas vdekjes.
Varri duhet të rrafshohet për tri katër vjet dhe mbi te të kullosin bagëtia. Ai po mendonte se ashtu varrezat nuk ishin shënuar për shekuj me radhë. Meremetimi i varrezave në Zezë kishte filluar shumë vonë. Vetëm pas luftës së fundit janë meremetuar shumë varreza, por mixha Man kishte vdekur moti, megjithatë akoma hyqymeti nuk beson që ka vdekur.
Ai kishte vdekur në sytë e atyre që e varrosën por jo edhe në regjistrat e hyqymetit. Kështu ndodhi që ai të vazhdojë “të jetojë” dhe tash ka mbushur 134 vjet dhe hyqmi akoma të mos pranohet se ka ekzistuar fare.
Mendonte Grremçi se nipat e stërnipat e mixhës Man janë gjallë dhe e dinë që gjyshi i tyre ka ekzistuar dhe kanë biseduar me te. Po hyqymeti po kërkon diçka tjetër. Bile Grremçit dikur ju duk sikur hyqymeti nuk po di çka po kërkon. Duke jetuar fqinjë të afërm me mixhën Grremçi nuk pajtohet dot se ai mixha nuk ka ekzistuar siç po thonë këta njerëzit e hyqymetit.
Pasi bëri krejt çka kërkonte prej tij hyqymeti, për të lëshuar një çertifikatë të vdekjes së mixhës Man, Grremçi, djali i vëllait të Manit, filloi ta pyeste vetën; A ka edhe ndonjë zyre ku dikush do të mund ti jepte një përgjigje apo të kërkonte edhe ndonjë dokument prej tij. Mendoi me veti se tash vendi ka edhe Gjykatë Supreme, ka edhe Gjykatë Kushtetuese. Cila prej tyre do të mund ti jepte një përgjigje njeriut të sotëm të cilit kadastri ia kërkon certifikatën që mixha ka vdekur.
Mixha Man thuhet se lindi në vitin 1891 dhe jetoi deri në vitin 1976. Ai jetoi pak në shehër, ku pat ble edhe shtëpi. Vdiq në Shehrin e Mustafë Agës ku ishte shpërngulur nga Zeza në vitin 1974. Në shërbimin e ofiqarëve edhe pas çlirimit të Kosovës ai konsiderohet ende gjallë, por emri i tij nuk gjendet as në regjistrat e të gjallëve as në regjistrat e të vdekurve. Kjo temë nuk do ti kishte ra ndërmend Grremçit, po të mos e kishte lexuar një shënim të një gazetari në një gazetë pas luftës së fundit në Kosovë. Një gazetar kishte parë se janë bërë lista për njerëzit që u vranë dhe kufomat e tyre u zhduken nga policia e ushtria serbe. Po ai gazetari kishte filluar të interesohej për të vërtetuar se ata njerëz që janë shënuar në listat e të zhdukurve, duhet të kenë emrat e tyre nëpër librat e amzës në secilin rast. Madje kishte hasur ai edhe shumë raste kur dikush të jetë vrarë e zhdukur kufoma e tij dhe nuk gjendej askund në librat e amzës, as i vdekur as i gjallë.
Dhe për të dyshuar më shumë me fakte, gazetari kishte vërtetuar se nuk është vetëm një rast i tillë, por ka me qindra njerëz që nuk kishin qenë kurrë të përfshirë në ndonjë regjistër të amzës nëpër ofiqaritë e vendit. Një ditë filloi të bënte listën e atyre që përnjëmend janë të zhdukur, pasi emrat e tyre nuk i gjeti as në regjistrat e të gjallëve as në ato të vdekurve. Ai konstatoi se ata të zhdukurit, emrat e të cilëve janë të shënuar në regjistrat përkatëse nuk janë krejt të zhdukur, por të zhdukur janë ata, emrat e të cilëve nuk kishin qenë kurrë të shënuar në ndonjë regjistër. I tillë doli të ishte edhe mixha Man.
Grremçit, po të mos ia kërkonin një certifikatë të vdekjes së mixhës Man, me siguri askush nuk do të kishte dëgjuar për rastin e zhdukjes së axhës së tij. Dhe për habi, fakte kishte sa të duash, se mixha Man ka ekzistuar. Është fakt se ai kishte shtëpi dhe tokë në fshatin Zezë. Madje ai ishte martuar tri herë. E fejuara e parë i kishte vdekur nder vade. Ishte martuar me një vajzë tjetër me të cilën kishte lënë edhe dy fëmijë; një vajzë e një djalë. I kishte vdekur edhe gruaja e dytë. Fakt është se edhe djali edhe vajza kishin jetuar në katundin Zezë dhe akoma ka dëshmitarë që i kanë njohur mirë. Po akoma duhen fakte për të dëshmuar se mixha Man ka ekzistuar. Në librin e amzës në Zezë u gjeten emrat e dy fëmijëve ti tij. Fakt tjetër është se në certifikatë shkruan edhe kush ishte babai dhe nëna e këtyre dy fëmijëve. Ama njerëzit e hyqymetit shkojnë e gjejnë diçka më thellë në histori.
Pas dy vjetësh, pritjeje në të gjitha zyrat që ekzistojnë për këso punë, por edhe në të tjerat, filluan të shtohen kërkesat e hyqymetit. Duke shkuar pas në histori, një ditë ofiqari pyeti Grremçin: a ka pasur kurorë me gruan e tij mixha Man? Këtu, për Çrremçin sikur fillon një histori tjetër e dyshimtë. Tash shtrohet pyetja mos i ka adaptuar ata fëmijë mixha Man? Apo ata nuk e kanë parë kurrë mixhën Man.
Pasi mixha Man kishte jetuar në disa shtete me radhë, ishte hapur një problem i ri që Grremçin mund ta detyronte të shkonte drejt Stambollit. Po mixha Man nuk ishte i regjistruar as atje, sepse ju kishte shmangur rekrutimit osman. Mixha Man kishte lindur në vitin 1891, dhe për të iu shmangur rekrutimit, atë ditë që kishte lindur ia kishin prerë gishtin e madh të dorës. Jo që ia kishin pre gishtin nga frika që mbreti e merr ushtar, por as nuk e kishin regjistruar kurrë në ndonjë defter. Në vitin 1912, vendin e kishte pushtuar Serbia e parë. Mani iu kishte shmangur hyqymetit për dy vjet rresht. Pastaj vendin e kishte pushtuar Austro-Hungaria për katër vjet. Mani nga frika e detyrimit për punë hangari, për katër vjet nuk ishte dukur para organeve të pushtuesit. Pastaj kishte ardhur Serbia e dytë në vitin 1918 dhe kishte sunduar deri në vitin 1941, por Mani iu kishte shmangur pushtetit me çdo çmim. Në luftën e njohur të Azem Bejtes në Kerrninë, kishte marr pjesë dhe ishte plagosur në fyt. Shokët e kishin strehuar ilegalisht dhe e kishin shëruar pa ditur askush nga pushteti. Kishte arritur edhe pushtuesi italian, por Mani nuk doli të ishte regjistruar askund. Në moshë më të shtyrë, e kërkonin më pak.
Ai shpëtoi pa rekrutuar, por jo edhe moshatarët e tij. Edhe kur pushtetin në Zezë e mori partizani, mixha Man nuk u regjistrua askund, as nuk e pyeti kush për ndonjë dokument. Se kush ka mbetur i pa përfshirë në regjistrat e amzës, pushteti i vendosur pas çlirimit të Zezës nuk u mor me ta fare. Me kalimin e viteve, filluan të shfaqen nevoja të ndryshme për dokumente të ndryshme. Kështu i erdhi puna edhe Grremçit. Ka shumë fakte se mixha Man ka ekzistuar dhe ka vdekur në shehrin e Mustafë Agës, ku edhe është varrosur. Në dy raste, ofiqarët edhe në Zezë edhe në Shehrin e Mustafë Agës i thanë grremçit bëni një fotografi të varrit të mixhës Man! Po si ta bënte foton Grremçi kur me mijëra njerëzve, ashtu si edhe mixhës Man nuk iu dihet varri. Pastaj Ofiqari i Zezë i kishte kërkuar Grremçit certifikatë të kurorëzimit të mixhës Man, megjithëse ai ishte martuar në kohën e Perandorisë Osmane. Edhe gruaja i kishte vdekur shumë herët duke ia lënë dy fëmijë jetim të cilët i kishte rritur vetëm mixha Man. Ai ka lënë dy fëmijë që dihen me dokumente. Vajza e tij ka lënë edhe shtatë nipër e mbesa që të gjithë janë gjallë dhe ata kanë tash shumë nipër.
Grremçi filloi të mendonte vetmeveti se kujt duhet ti drejtohet, kur tash e 8 muaj ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Shehrit të Mustafë Agës, por asgjë nuk doli as prej atje. Grremçi edhe vetë është pensionist në moshë të shtyrë dhe mezi kalëron nga komuna në komunë, nga zyra në zyre, por kot. Mendoi fort ti drejtohej ndonjë gjykate, por nuk kishte si ta arsyetonte faktin se mixha Man ka ekzistuar dhe e ka parë vet me sy dhe ka jetuar fqinjë me mixhën Man për 35 vjet rresht. Puna e ndërrimit të gjashtë pushtuesve i ka bërë gjerat lesh të zi.
Madje edhe kur u çlirua vendit herën e fundit u vendos njëfarë administrate e shteteve të botës që quhej UNMIK, e me punët e kadastrit në kudër të këtij un-mikut, merrej një farë HABITAT-i. Nuk pat mbetur familje pa u zhvendosur, o me hatër o me zor, dhe pastaj kush mbeti gjallë u kthye në shtëpi të vetë, e shumëkush pat mbetur edhe pa shtëpi. Armiku pat djegur me mijëra shtëpi. Po kujt ju ka dashur mixha Man, kur ai kishte vdekur në vitin 1976, shumë kohë para luftës së fundit. Mixha Man sa duket nuk e ka ditur që do të vjen liria se ndoshta vërtetë do ishte ngjallë, po mendonte Grremçi.
Grremçi pret e pret, por gjykatat kanë punë tjera. Mixha Man për ta është gjallë, megjithëse i kanë vdekur edhe fëmijët e tij, por ama ai ka lënë nipa e mbesa që janë gjallë e mund të shihen .
Grremçi dyshon kudo. Ai dyshon edhe për veti mos po sheh ëndërr apo është e vërtetë krejt kjo që po përjeton nëpër zyre.
Çdo pushtuesi i duheshin njerëz. E mixha Man e kishte ditur se po ta kishte emrin diku në defter, mund ta kishin kërkuar. Krejt këto fakte dihen, por ama mixha Man për komunarët e tashëm është gjallë dhe po jetuaka ilegalisht. Grremçi vazhdoi të kërkonte një zgjidhje por askush nuk i ndreq punë tash katër vjet me radhë.
Mixha Man dinte më shumë histori për Shkup e për Shkodrës së për veti.
Në moshën 24 vjeçare i kishte vdekur e ëma nga epidemia e Lisë. Kjo sëmundje ngjitëse ia kishte mbytur edhe të vëllain tetëmbëdhjetë vjeçar Halilin.
I ati i mbetur vejan kishte tre djem e një vajzë. Vajzën e fejoi shumë herët duke e martuar në moshën trembëdhjetë vjeçare për një burrë dyzetvjeçarë. Sa ishte e motra e Manit vajzë, qysh si fëmijë qe mësuar të gatuante e të lante rrobat e familjes. Pas martesës, ajo më nuk mund ti ndihmonte familjes së të atit çdo ditë. Ajo u martua dhe kur lindi fëmijën e parë, akoma as ajo e as i shoqi nuk kishin menduar se duhet të bënin kurorë.
Fati deshi që djalit të vajzës së mixhës Man i erdhi koha të shkonte në shkollë. Prindërit i kishte pa kurorë dhe të pa regjistruar diku. Aty i shoqi i saj në kohën kur kishte edhe tre fëmijë, bëri kurorë dhe i regjistroi ata në librin e amzës. Kështu me atë rast u regjistrua edhe mixha Man me dëshmitar në vitin 1974 kur kishte 85 vjet moshë. Ofiqari i Zezës lëshoi certifikatën e lindjes së Mixhës Man por jo edhe të vdekjes, pasi atë nuk e kishte lajmëruar askush se ka vdekur.
Grremçi vazhdon të përsiatët se çka duhet të bënte, por askush nuk i jep një përgjigje. Ai kërkoi nga gjykata e Zezës që të legalizoi vdekjen e mixhës Man, por gjykatësi tha se ai ka vdekur në komunën tjetër dhe ata duhet të japin një vendim.
Mixha jetoi në Mbretërinë Osmane, në Serbinë e parë,(I), nën Austro-Hungarinë kater vjet, nën Serbinë e Dytë nga viti 1918 deri me 1941. nën Italinë tri vjet, nen Gjermaninë një vit, nën shtetin e partizanëve RSFJ nga viti 1945 deri në vitin 1974, por vetëm në këtë vitin e fundit e kishin futur në evidencë në librin e amzës me dëshmitarë, duke shkruar aty edhe emrat e dëshmitarëve, Po kur tash mixha Man do ti kishte 134 vjet, shokët e moshatarët i kanë vdekur, gjithçka duket sikur e shpien drejt arkivave të Stambollit apo edhe të Romës. Gremçi vazhdon përsiatjen por pa parë ndonjë shtegdalje.





























